Argjentina, triumf të vuajtur ndaj Belgjikës

Jurges Veizaj

Ka mjaftuar një gol i Higuainit për skuadrën argjentinase për të arritur te suksesi

Skuadra e Sabelës u tregua më e qartë në fazën sulmuese, ndryshe nga belgët që nuk ishin në një ditë të mirë

 

 

argentina-v-belgium-quarter-final-20140705-170333-880Një kualifikim historik për Argjentinën, që ditën e djeshme arriti të kapte vendin e saj si gjysmëfinaliste. Një sukses i madh nga ekipi i Sabelës që arriti të tregohej më i qartë papara portës dhe arriti që të organizonte më shumë në sulm. Një lojë jo e bukur dhe që nuk dhuroi spektakël, por që nxori një fitues brenda 90-minutëshit. Ekipi bardhekaltër nuk ka zhvilluar ndeshje spetakolarë në asnjë nga përballjet e saj. Mirëpo, Mesi me shokë kanë ditur që të gjejnë hapësirat e duhura për të shënuar në momentin e duhur. Ndërsa belgët nuk kanë arritur të shfaqin formën e tyre si në ndeshjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Skuadra e Vilmotsit u soll pa ide në fushë dhe mungesa e përvojës në këto kompeticione nuk e ndihmoi në minutat e fundit. Ky triumf kështu i kalon latinët pas 24 vitesh në gjysmëfinale. Një rezultat historik që vjen me Mesin si lider. Sfida do të niste menjëherë me një presion të lehtë nga ana e Argjentinës. Amerikanojugorët patën që në minutën e 2-të një mundësi të artë, por që u gabua ndaj Laveci. Belgët nga krahu tjetër nuk po arrinin të gjenin veten e tyre në fushë. Kjo do të sillte edhe pësimin e golit. Pas një rrëmuje në zonë topi do të binte në këmbët e Higuainit, që me instinktet e tij prej sulmuesi arriti të shënonte në mënyrë magjike golin e epërsisë. Argjentina në festë, pasi nuk e kishte menduar që goli do të vinte kaq shpejt. Ashtu si edhe Gjermania ndaj Francës, goli që në minutat e para duket se është i vështirë për t’u kthyer. Belgjika u përpoq të reagonte, por luante shumë larg portës së Romeros, aq sa në të 13-ën dhe 26-ën, De Bruyn u përpoq të zgjidhte gjithçka me goditje nga jashtë zone. Argjentina kishte kontrollin e lojës, por dhe Mesin, që në të 28-ën hapi lojën në mënyrë fenomenale për Di Marian, por lojtari i Realit u mbyll në goditje nga Kompani. Në të 40-ën, ylli i Barçës provoi dhe vetë të gjente portën nga një goditje dënimi, por topi shkoi pak mbi traversë. Belgjika dha një sinjal jete në të 42-ën, me Kevin Miralas që goditi jashtë me kokë pas harkimit të Vertongenit. Fillimi i pjesës së dytë ishte fotokopje e së parës, me Argjentinën që e nisi sërish zjarr. Higuain ishte i pafat në dy raste, teksa në të 51-ën, goditja e tij u devijua ngjitur me shtyllën, ndërsa në të 55-ën, pasi realizoi një tunel mes këmbëve të kundërshtarit e pa goditjen e tij të stampohej në traversë. Vertongen, që ishte një prej më të mirëve në fushë për të tijtë, hodhi një tjetër top drejt zonës për Fellainin, por ky i fundit nuk e çoi dot topin drejt rrjetës në minutën e 61-të. Pas minutave të tëra prodhimi loje, por jo rastesh, në të 84-ën, De Bruyn goditi më në fund portën dhe devijimi i Garait për pak sa nuk përfundoi në rrjetën e Romeros. Në të 89-ën, Belgjika u përpoq të rrezikonte me një goditje këndi, por nuk shfrytëzoi rrëmujën në zonë. Ekipi belg kishte të gjitha mundësitë për të barazuar, por gaboi atëherë kur nuk pritej. Pesë minutat e shtesës ishin një orvatje pa efikasitet në zonën e Argjentinës, por që nuk solli asnjë gol. Ishte Lukaku ai që kishte mundësinë e artë, por që për fatin e Romeros topi nuk prek portën. Mbrojtja bardhekaltër, edhe pse nuk shquhet për forcën e saj, kësaj radhe arriti që të tregonte veten, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë. Kështu, sfida mbaroi dhe argjentinasit festojnë triumfin. Një sukses i madh për Mesin me shokë, të cilët largojnë mallkimin që i ka ndjekur që nga viti 1990.

 

 

 

Juve jep Vidalin për 56 milionë euro plus Nanin

Juventusi e ka njoftuar Mançester Junajtidin se mund ta transferojë Arturo Vidalin, nëse paguan 56 milionë euro dhe e përfshin Nanin në marrëveshje. “Djajtë e Kuq” janë në treg për një mesfushor këtë verë, ndërsa Luis van Gal është një admirues i kilianit. Megjithatë, shuma që kërkojnë bardhezinjtë është tepër e lartë për zëvendësshefin Ed Uduard, i cili tashmë ka shpenzuar 70 milionë euro për transferimet e Luke Shau dhe Ander Herrera. Gjasat janë të mëdha që Junajtid të heqë dorë nga Vidal dhe të kthejë interesin kah mesfushori mbrojtës i Sportingut të Lisbonës, Uilliam Karvalho, megjithatë edhe ai mund të kushtojë rreth 46 milionë euro.

 

 

Mandzukiç afër Atletikos

Lajme të reja duket se vijnë nga Spanja, ku Simeone është në kërkim të zëvendësimit të Diego Kostës. Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, Atletiko Madrid ka hequr dorë nga tratativa për ta afruar në radhët e tyre sulmuesin spanjoll të Mançester Sitit, Alvaro Negredo, kjo për shkak të pretendimeve të larta të kampionëve të Premier League-s. Mirëpo kampionët e Spanjës dhe nënkampionët e Evropës kanë gati planin “B”: është përpiluar një ofertë zyrtare prej 18 milionë euro për sulmuesin e Bajernit të Mynihut, Mario Mandzukiç, i cili do të lerë “Allianz Arena”-n pas afrimit të Robert Levandovskit. Një përforcim që mund t’i shërbejë shumë skuadrës që tashmë po mendon për të bërë disa blerje të reja duke parë se disa nga lojtarët mund të largohen gjatë merkatos.

 

 

Arsenali jep Vermalenin për Manolasin

Arsenali është duke synuar transferimin e mbrojtësit grek, Kostas Manolas. Greku është një lojtar që premton shumë për të ardhmen dhe zotëron aftësi mjaft të mirë taktikë çka shërben shumë mirë në futbollin anglez. Mbrojtësi i Olimpiakosit do t’u kushtonte “Topçinjve” plot 10 milionë euro, por ata do të transferojnë lojtarin vetëm nëse Vermalen largohet gjatë verës. Sipas “Metro”, Arsenali po mendon edhe për zëvendësime cilësore, jo vetëm transferime. Kujtojmë që lojtari bëri paraqitje mjaft të mira me Greqinë në Brazil 2014, ku ishte edhe një nga lojtarët kryesorë në sfidën ndaj Kosta Rikës.

Share it :