Apel institucioneve të shtetit: Më ndihmoni!/ Partizani i vogël Velo: Bashkia e Korçës po më grabit shtëpinë

Bisedoi Vepror Hasani

 

PARTIZANI I VOGEL VELOKorçë– Kostandin Ropi, tashmë 84 vjeç, banues në qytetin e Korçës, i quajtur ndryshe “Partizani i vogël Velo”, kjo për arsyen sepse ka qenë partizani më i vogël gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, vetëm 12 vjeç, aktualisht rrezikon të mbetet i pastrehë, madje partizani i vogël Velo thotë se tashmë shtëpia e tij zyrtarisht është grabitur, pritet vetëm vendimi përfundimtar i Bashkisë Korçë për ta nxjerrë në mes të katër udhëve bashkë me bashkëshorten e tij Lirika Ropi. Për partizanin e vogël Velo grabitja ka filluar të bëhet e qartë fill pas mbërritjes në shtëpinë e tij në dt 17.03. 2014 një shkresë që dërgohej prej Bashkisë Korçë.

 

Dokumenti

Në këtë dokument thuhet: “Në bazë të ligjit nr 9232, datë 13.05. 2004, “Për programet sociale të strehimit të banorëve në zonat urbane” të ndryshuar si dhe ne vendimin nr 17 datë 29.03 2013 “Për përcaktimin e masës së qirasë vjetore të banesave që kanë kaluar në pronësi të Bashkisë Korçë nga Enti Kombëtar i Banesave, ju duhet të lidhni kontratën e qirasë për banesën ku jetoni, pasi banesa ka kaluar në pronësi të bashkisë Korçë.  Për këtë arsye, brenda 30 ditëve nga marrja dijeni e këtij njoftimi ju duhet të lidhni kontratën e qirasë me Bashkinë Korçë, pranë njësisë së menazhimit të banesave me qëllim social të Bashkisë Korçë, sepse në qoftë se ju nuk lidhni kontratën e qirasë, si dhe të paguani rregullisht qiranë e përcaktuar nga Këshilli Bashkiak ju nuk mund të privatizoni banesën ku jetoni”. Gjithashtu në këtë shkresë thuhet: “Në rast se ju nuk kryeni veprim vullnetarisht, bashkia do të ndjekë gjithë rrugën ligjore për t’ju larguar nga ambientet ku jetoni, në bazë të dispozitave të Kodit Civil, si dhe ju do të humbisni mundësinë për t’u trajtuar përsëri nga programet sociale të strehimit nga bashkia Korçë”. Por për partizanin Velo mbërritja e kësaj shkrese në shtëpinë e tij, është veprimi më absurde që ka hasur ndonjëherë gjatë gjithë jetës së tij. “Rasti im, thotë Velo, është rast i veçantë, pasi unë nuk kam qenë asnjëherë i pastrehë, por vetëm kam ndërruar shtëpinë me një bashkëqytetarin tim”. Për të kuptur më shumë se çfarë ka ndodhur me strehimin e partizanit të vogël Velo, i kërkuam që të na rrëfejë gjithçka që ka lidhje me këtë ngjarje.

 

Z.Velo, cila është historia e strehimit tuaj në Korçë?

Unë fillimisht kam qenë banues në Durrës. Qëndrova në këtë qytet deri në vitin 1986. Me të dalë në pension, pata dëshirë të rikthehesha në Korçë, pasi Korça është origjina ime. Fatmirësisht, në këtë kohë një banor i Korçës, Vasil Xhuni, dëshironte të banonte në Durrës, ndaj vendosëm, që sipas të gjitha rregullave dhe ligjeve të kohës, t’i ndërronim banesat me njëri-tjetrin. Unë të merrja shtëpinë e tij në Korçë dhe Vasil Xhuni të merrte shtëpinë time në Durrës

 

U realizua ndërrimi i banesave?

Sigurisht, për këtë gjë unë zotëroj edhe dokumentin përkatës, dt. 24.12.1986, me anën e të cilit si unë ashtu edhe  Vasil Xhuni i drejtohemi Komitetit Ekzekutiv të rrethit Korçë. Me pak fjalë përmbajtja e shkresës është kjo: “Me dëshirën e dy palëve kërkojmë të na miratohet ndërrimi i vendbanimeve respektivisht, shoku Kostandin Ropi të banojë me gruan e tij në shtëpinë që ka sot Vasil Xhuni, lagje nr 13, rruga Fan S. Noli, nr. 46 dhe shoku Vasil Xhuni të banojë në shtëpinë e Kostandin Ropit në Durrës, në lagjen nr. 17.  Për miratimin e kësaj kërkese nuk patëm asnjë pengesë, pasi nuk ekzistonte ndonjë arsye për mosmiratim. Kërkesa jonë u miratua nga si nga Këshilli i qytetit ashtu edhe nga Komiteti Ekzekutiv i rrethit Korçë. Shkresa e miratimit mban dt 14.03.1987 me nr. protokolli 14/3. Jetova në këtë shtëpi për shumë vite me radhë. Me ardhjen e demokracisë, si shumë të tjerë, edhe unë emigrova në Greqi, por kur u ktheva që andej, në vitin 1999, shtëpisë sime i kishte dalë për zot një pronar tjetër.

 

Kjo do të thotë se shtëpia juaj ka qenë me ish- pronar?

Unë nuk e di që shtëpia ime të ketë qenë me ish-pronar, sepse, sipas dokumentacionit të zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, shtëpia që kisha marrë nga Vasil Xhuni kishte qenë pronë e shtetit që nga viti 1932, pasi pronari i banesës nuk kishte mundur të shlyente detyrimet financiare që kishte ndaj shtetit dhe në këto kushte shtëpia ishte sekuestruar. Gjithsesi, pronari duket se kishte mundur të siguronte dokumentacionin e nevojshëm mbi këtë ndërtesë. Tashmë problemi ishte ndërlikuar. Unë isha me shtëpi dhe në të njëjtën kohë pa shtëpi. Në banesën time në Durrës tashme jetonte një banor tjetër, kurse unë kisha dalë në rrugë. Për këtë arsye ishte detyrë e bashkisë të më strehonte, pasi me shtëpinë time ishte strehuar një qytetar tjetër i këtij shteti. Dhe kështu ndodhi. Në vitin 2000, me vendim të Këshillit të Bashkisë, nr. 42, datë 31.07. u strehova në një banesë të ndërtuar me fondet shtetërore nga Enti Kombëtar i Banesave në rajonin nr 3, lagjja nr 15, rruga Viktor Eftimiu, pallati nr 4, hyrja B-2/2, nr i shtëpisë 1, kati i parë,  në qytetin e Korçës, ku mora dy dhoma dhe një kuzhinë. Dokumenti në fjalë mban firmën e Kryetarit të Bashkisë, Dhionis Kotmilo, të sekretarit të Bashkisë, Ermir Skënderi dhe të  zyrës së investimeve, Myrvete Pazaj.

 

Më në fund u bëtë me shtëpi?

Po më në fund u bëra me shtëpi. Si veteran i luftës, familje dëshmori, dhe si gjithë të tjerët që kanë pasur kontributin tim na kap ligji i strehimit falas. Kur vajta të bëja dokumentet hipotekore, Drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave, Brunilda Treska më kërkoi 5.5 milionë lekë të vjetra. Për këtë arsye i kërkova të dija me ç’vendim dhe cili ishte dokumenti përkatës që mua më bënte debitor. Doja ta dija këtë, që në rast se do të paguaja të isha i sigurtë që të hollat do t’i kalonin shtetit, por Treska nuk më ofroi asnjë dokument, gjë që më bëri të dyshoj se këto lekë mund të përvetësoheshin. Kisha të drejtë të dyshoja edhe për një arsye tjetër. Shkresat që më vinin në shtëpi të dërguara nga ana e Bashkisë Korçë e vendosnin banesën time herë në rrugën “Viktor Eftimu” dhe herë në rrugën “Gaqo Avrazi”, gjë që nuk po e kuptoja dot pse ndodhte kështu, flitej për të njëjtën ndërtesë apo bëhej fjalë për ndonjë shtëpi tjetër që unë nuk e dija se ku ndodhej. Për gjithë arsyet e mësipërme, tashmë, edhe pse kanë kaluar 14 vjet nga dita e strehimit tim, ende nuk e kam bërë hipotekimin e banesës. Dhe pengesa e vetme ka qenë mospajisja me dokumentin që u kërkoja. Tashmë më kanë dërguar shkresën e radhës

 

Çfarë thuhet në këtë shkresë të fundit?

Po, do t’jua shpjegoj me radhë. Në këtë shtëpi ku jetoj edhe sot, u strehova në vitin 2000, por pasi kaluan 14 vjet, gjithçka u përmbys. Një vit më parë, në vitin 1913 në dt 29.03,  më dërgojnë një shkresë ku më kërkojnë që për shtëpinë të paguaj 2.103.723 lekë të rinj. Nuk mund ta besoja dot një vendimmarrje të tillë të Bashkisë, pasi siç e thashë edhe më sipër, unë nuk kam qenë pa banesë, por kam bërë vetëm ndërrim banese.Lashë shtëpinë time që kisha në Durrës dhe mora banesën e Vasil Xhuni në Korçë. Veç kësaj, tashmë ekziston edhe një pyetje tjetër. Me ç’të drejtë Kryetari i Bashkisë ndërron rregullat e lojës pas 13 vjetësh nga dita që mora banesën sociale, pasi në fillim shtëpia m’u dha falas, kurse tani më kërkojnë edhe rreth 22 milionë lekë të vjetra. Edhe shkresa e fundit më kërkon të njëjtën gjë, e kam sqaruar në krye të fjalës time. Kjo është një padrejtësi flagrante që po më bëhet, ndaj për problemin e mësipërm, në dt 10.03 2014, vura në dijeni Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, Prokurorin e rrethit gjyqësor Korçë, Alket Mersini dhe shumë organe të tjera. U drejtohem edhe një herë gjithë institucioneve shtëtërore të ndalin dorën e grabitësve të bashkisë Korçë.

 

 

 

 

 

Share it :