Aparatura e syve në QSUT qëndroi 2 vite në qese’/ Profesori: U promovua nga ministrija Koçiu, por nuk u vu kurrë në punë
Një aparaturë e specializuar për operacionet delikate të retinës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka qëndruar e papërdorur dhe e paketuar për dy vite me radhë, për t’u hapur së fundmi dhe për t’u përdorur për qëllime krejtësisht të tjera.
Gjithçka nisi me promovimin me bujë të pajisjes së re, një ngjarje ku ishte e pranishme edhe ministrja e atëhershme e Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Nga studioja e ‘Kafe Shqeto”, Profesori Pajtim Lutaj tha se megjithëse që në ditën e parë u dha alarmi se aparatura nuk mund të vihej në punë pa aksesorët e nevojshëm, të cilët kërkonin një procedurë të re tenderimi, ky paralajmërim, i bërë direkt para drejtuesve, u injorua.
Një vit më pas, situata ishte e pandryshuar. Sipas mjekut, aparatura vijonte të ishte në ambalazhin e saj, e pahapur.
Për këtë gjendje u vu në dijeni sërish ministrja, ku pavarësisht kësaj, asnjë masë konkrete nuk u mor dhe pajisja mbeti në harresë për një tjetër vit. Pas dy vitesh pritjeje, historia merr një kthesë edhe më shqetësuese.
Deklarata e plotë:
“Ndryshoi pak stafi, sepse me stafin e vjetër të Ogerta Manasiliut unë kisha bërë disa herë debate dhe kërkesa për këtë punë.
Po meqë erdhi stafi i ri, qoftë drejtoresha e spitalit Alma Cami dhe qoftë ministrja e Shëndetësisë që sot e kemi zëvendëskryeministre Albana Koçiu, u angazhova dhe e promovova.
Erdhi vetë Albana Koçiu, e promovuam bashkë aparatin. Në fund të promovimit i them ministres dhe drejtoreshës, nuk duhet të kishit ardhur sot këtu. Duhet të kishit ardhur ditën që do bëhej operacioni i parë, sepse ky operacion nuk do kryhet. Sepse duhen aksesorë, duhen këto. Si t’i gjejmë tha. Ja ku e ke drejtoreshën, i thashë.
Brenda një muaji të bëjë tenderin, të vijnë aksesorët, të fillojë operacioni. Një vit më vonë fiks, një vit më vonë, aparatura e pahapur. Bëj një fotografi dhe ja nis ministres. Dhe i them ministre, aparatin që neve promovuam bashkë, nuk është hapur akoma.
Më përgjigjet, e them tamam si mund të përgjigjet një njeri që i dhëmb diçka, O Zot çfarë po ndodh tha.
Ky është problemi që këta nuk bëjnë administrimin. Duhet ta ndjekë ministrja. Përse kjo punë nuk u zhvillua? Çfarë mungon, çfarë bëjnë? Hajde ta zhvillojmë. Iku. Kaluan dy vjet. Akoma aparati në qese.
Përpara një muaji kam marrë vesh akoma më të keqen. Këtë aparat, që është për operacionin e retinës, e kanë hapur dhe e përdorin për gjëra të tjera.
Domethënë, imagjinoni, është pak të thuash skandaloze.




