Sonja Caka
Dy problematikat u nxorën në pah nga krerët e gjykatave, marrin garanci nga nënkryetari i KLD-së për mbështetje
E hapur me 4 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Administrative analizon punën e muajve të parë të funksionimit të saj. Dhe, si çdo gjë e re, e cila ka nisur rishtas, edhe aty kanë dalë në pah problemet e para për të cilat kërkohet zgjidhje. Kështu, ndër problematikat e shfaqura, dy kanë qenë ato më kryesoret, vendosja e sistemit audio dhe shortit elektronik në Gjykatat Administrative, të cilat do të jenë objektivat kryesore për vitin 2014. Ndërkohë që, Kreu i Gjykatës Administrative gjatë analizës kërkoi rritjen e numrit të këshilltarëve ligjorë, me qëllim rritjen e shpejtësisë së gjykimit. “Kërkojmë vendosjen e sistemit elektronik dhe audio, çka do rriste efiçencën, si dhe hapësira për trajnime”, – u shpreh kryetari Eriol Roshi. Nënkryetari i KLD-së garantoi se këto dy objektiva do të përmbushen në vijimësi. I pranishëm në analizën vjetore të Gjykatës Administrative, Cefa tha se pavarësisht problemeve, shumë objektiva janë arritur. “Gjatë katër muajve të parë janë evidentuar probleme të shumta, si nga ana logjistike, ashtu edhe nga ajo burokratike, por pavarësisht kësaj puna është bërë mirë”, – tha Cefa. “Transparenca mbete misioni ynë kryesor, prandaj dhe vendosja e sistemit elektronik të regjistrimit të seancave dhe hedhjes së shortit në rrugë elektronike, duke eliminuar çdo dyshim të palëve në proces, janë objektivat kryesore të 2014-ës”, – u shpreh Cefa, duke garantuar mbështetje të plotë nga ana e KLD-së për këto gjykata.
Problematikat
Kryetari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe ai i Gjykatës Administrative të Apelit janë shprehur se shorti elektronik dhe mungesa e regjistrimit audio të seancave gjyqësore mbeten dy nga problemet më shqetësuese të punës së Gjykatave Administrative në vend. Kastriot Selita, kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit, e cila ushtron kompetencat e saj në gjithë vendin, theksoi se ka mungesë të logjistikës dhe të zyrave. “Edhe pse nuk kemi shërbime mbështetëse, si ndihmës ligjor, regjistrim elektronik të çështjeve, brenda 30 ditëve të para janë gjykuar çështje që prisnin tre vjet në Gjykatën Civile. Po ashtu, gjatë muajve janar-shkurt 2014 janë gjykuar sipas afateve kohore në ligj 435 çështje, çka tregon përkushtim dhe vullnet të plotë për të kryer punën tonë”, – tha ai. “Ne jemi 7 gjyqtarë që mbulojmë gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nga 4 nëntori deri më 28 shkurt kemi të regjistruar a1264 çështje, nga të cilat 6 nga juridiksioni fillestar, ndërsa pjesa tjetër me ankimim. Nga totali, janë gjykuar 435 çështje deri më 28 shkurt dhe kjo përbën sukses, pasi po të bëjmë llogaritë, çdo gjyqtar shqyrton mbi dy çështje në ditë”, – theksoi ai. “Sot, që po flasim, janë çuar në dhomë këshillimi 414 çështje dhe janë në seancë gjyqësore 21 çështje”, – theksoi Kreu i Gjykatës së Administrative të Apelit, i cili shtoi se veç sa më sipër problem është dhe mjedisi i punës ku hapësirat nuk janë të mëdha dhe prandaj kanë nisur diskutimet për këtë. Ndërkohë, Eriol Roshi, kryetar i Gjykatës Administrative të Shkallës së parë në Tiranë, tha se mungesa e logjistikës, duke filluar nga regjistrimi audio e duke vijuar me vonesat në postim, janë problemet kryesore që na çojnë në zvarritje të çështjeve. Sipas tij, në 2 muajt e parë të punës së kësaj gjykatë janë regjistruar 780 çështje, nga të cilat për 196 është dhënë vendimi, ndërsa pjesa tjetër, 594 janë mbartura për vitin aktual. “Shifrat tregojnë se ngarkesa e çdo gjyqtari është e lartë. Problemë mbetet shorti elektronik si dhe regjistrimi audio, po ashtu s’kemi faqe zyrtare për dhënie informacioni. Problem është edhe mungesa e ndihmësit ligjor, çka i shton volumin gjykatësit”, – theksoi Roshi. Duke folur për ambientet, Roshi bëri të ditur se “Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka 7 salla gjykimi dhe 16 gjyqtarë, pra 1 sallë për 2 gjyqtarë, që duke parë fluksin nuk është e mjaftueshme, por pavarësisht kësaj është respektuar afati i gjykimit”, – tha ai. Po ashtu, sipas Roshit, vështirësi ka në njoftimin dhe kontaktimin e palëve në mungesë, ndërsa duhet pranuar se ka kosto të larta menaxhimi dhe veç kësaj ka mungesë fondesh.
Cefa
Në fjalën e tij, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa, u shpreh se një gjykatë administrative efikase, do të thotë shpejtësi, por edhe transparencë në vendimmarrje dhe kjo pa dyshim që do të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, si kurdoherë do të kërkojë në vazhdimësi nga trupa gjyqësore administrative, që të jetë model në zbatimin e ligjit. Duke u ndalur te problematikat që kanë dalë gjatë ushtrimit të veprimtarisë të Gjykatave Administrative, z. Cefa tha se “problem dhe sfidë e radhës mbetet nevoja për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve administrative në këto gjykata, pa të cilat puna e gjyqtarit të vetëm do të ishte joefiçente. Fjalën e kam për plotësimin e këshilltarëve ligjorë të gjyqtarëve, përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës së punës, futjen e teknologjisë në shortimin e çështjeve dhe regjistrimin e seancave. Këto janë detyra që nuk i përkasin KLD në fakt, por ne do të jemi vazhdimisht në kërkim të përmbushjes së këtyre standardeve”. Në përfundim të fjalës së tij, numri dy i KLD-së u shpreh se “KLD nuk do të bëjë kompromis me askënd, në kurriz të së drejtës së publikut për të marrë drejtësi të shpejtë dhe cilësore. Këshilli do të jetë monitorues i kujdesshëm, por edhe penalizues i ashpër në të gjitha rastet, kur do të identifikohet veprimtari joligjore”.
Tiranë
Gjykata rrëzon kërkesën e Gjikës për pushim të çështjes
Nuk pranohet kërkesa e kryebashkiakut Shpëtim Gjika për pushim të çështjes, duke rrëzuar kështu çdo shpresë të tij për të shpallur të pavlefshme dhe jashtë afateve aktet procedurale të hetimit të Prokurorisë së Vlorës për akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikim dokumentesh” ndaj tij. Gjyqtari Arben Micko, pasi dëgjoi katër faqet e konkluzioneve të prokurorëve, i dha të drejtë argumentimit se për ta çështja ndaj Gjikës ka nisur në 23 korrik të vitit 2013, kur është ngritur dhe akuza ndaj tij, dhe jo në 21 shtator, kur nisën hetimet për ligjshmërinë e pallatit të vjehrrit të kryebashkiakut të Tiranës, në shtator të vitit 2012 apo në veprimet procedurale të 19 shkurtit të vitit 2013. Në përfundim të seancës, gjyqtari Arben Micko ka vendosur që seanca tjetër të bëhet ditën e hënë, në datën 17 mars 2014. Kreu i Bashkisë së Vlorës, i cili ishte i pranishëm në seancë, tha se është një proces i montuar politikisht ndaj tij. Gjika akuzohet nga Prokuroria për abuzime në dhënien e lejeve të ndërtimit në dy raste. Funksioni i tij si kryetar Bashkie u përdor si argument nga Prokuroria për të zhvendosur procesin ndaj tij nga Vlorë në Gjykatën Penale në Tiranë. Sipas avokatëve mbrojtës të Gjikës, i pavlefshëm ishte edhe akti i ekspertimit që Prokuroria ka kryer për dy pallatet pa leje në Vlorë. Për pasojë, sipas avokatëve, gjatë veprimeve hetimore ishin shkelur dhe të drejtat e njeriut. Në të njëjtin proces janë të pandehur edhe Eleni Dardha, Gëzim Peta, Gentian Sherifaj, Gerti Liçaj, Mustafa Tartari, Aleks Ahmetaj dhe Artan Ferhati, kryesisht punonjës të bashkisë së Vlorës.
Procesi
Shtyhet gjyqi ndaj Mziut, akuza: Gjyqi, me prapavijë politike
Për të dytën herë është shtyrë seanca ndaj kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu. Seanca e parë u shty për mungesë të vetë të pandehurit, ndërsa dje pasi mungonte i pandehuri tjetër, drejtori i Tatimeve të Bashkisë, Bujar Loshi. Kryetari i Bashkisë së Kamzës deklaroi jashtë mjediseve të Gjykatës se akuzat ndaj tij kanë prapavijë politike dhe janë të pavërteta. Xhelal Mziu ishte vetë dje i pranishëm në Gjykatën e Tiranës për të marrë pjesë në procesin gjyqësor, ku ai akuzohet për pabarazi në tendera, por seanca u shty. Në një deklaratë për median, Mziu shprehu gatishmërinë e tij për t’u paraqitur sa herë që kërkohet në seancë. “Nuk ka asnjë bazë ligjore, veçse me prapavijë politike. Kjo akuzë që është bërë ndaj meje, është e pavërtetë. Jam i gatshëm të përballem me drejtësinë në çdo moment. Do të vij në çdo seancë gjyqësore”, – tha Mziu. Kryebashkiaku Xhelal Mziu, juristi Atli Hoti dhe kreu i Tatimeve në Bashkinë e Kamzës, Bujar Loshi, janë akuzuar për pabarazi në tendera. Hetimi nisi pas denoncimeve të kompanive “Gjoka Konstruksion” dhe “Albavia”. “Gjoka Konstruksion” u përjashtua nga ndërtimi i rrugës “Zgjimi” në Valias, edhe pse kishte fituar tenderin, për shkak të disa pretendimeve të ngritura nga Mziu dhe Hoti më pas.




