Sot fillon të japë efektet e para amnistia, prej së cilës përfitojnë lirimin nga qelitë e burgut dhe paraburgimeve 900 persona. Përmes një deklarate për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se sot, më datë 10 prill 2014, nis zbatimi i ligjit nr. 22/2014 “Për dhënie amnistie”, i cili hyri në fuqi dy javë pas botimit në “Fletoren zyrtare” nr. 38, datë 26 mars 2014. Përfitimi nga ky ligj është tërësor ose i pjesshëm. Nga zbatimi i tij është përllogaritur, se fitojnë lirimin e menjëhershëm rreth 900 të dënuar dhe të paraburgosur. Ndërsa ulje dënimi përfitojnë të gjithë të dënuarit në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar zbatimin pa probleme dhe mbarëvajtjen e këtij procesi në të gjitha burgjet e vendit. Sipas ligjit, përfitojnë nga amnistia të dënuarit me burgim deri në 3 vjet, personat e dënuar me gjobë apo me një nga alternativat e dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligjit; të dënuarat femra, që janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji; të dënuarit meshkuj, që janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji; të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 139, 140 e 141 të Kodit Penal. Lidhur me nenin 4 të ligjit, janë përfshirë kategoritë e të dënuarve që nuk përfitojnë ulje dënimi. “Kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë”, që do të thotë një garanci e shtuar për mbrojtjen e interesit publik dhe nuk vë në rrezik sigurinë dhe rendin publik. Veprat penale të parashikuara në nenin 4, të projektligjit, janë vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe, për këtë qëllim, këta persona përjashtohen tërësisht nga përfitimi i amnistisë”, – thuhet në nenin 4 të ligjit “Për dhënie amnistie”.




