E ngarkuara me punë e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Van Horn ka zhvilluar një vizitë në vendburimin e gazit në Delvinë, një biznes që u godit fort nga qeveria vitin e kaluar deri me arrestime përmes provave, që në gjykatë rezultuan të sajuara.
Gjatë kësaj vizite zonja Van Horn ka qenë e shoqëruar edhe nga ambasadori hollandez në Tiranë, Reinout Vos. Lajmi është bërë publik nga vetë ambasada e Shteteve të Bashkuara, e cila i ka shoqëruar fotot e vizitës me një mesazh shumë të fortë për qeverinë.

“Presidenti Trump po nxit një epokë të re të rritjes së prodhimit energjetik amerikan, me investimet amerikane që forcojnë sigurinë energjetike globale. Duke theksuar rëndësinë e një mjedisi rregullator transparent për tërheqjen e investimeve ndërkombëtare, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn dhe Ambasadori holandez Reinout Vos vizituan Fushën e Gazit në Delvinë javën e kaluar për të eksploruar mundësitë në sektorin energjetik të Shqipërisë,” thuhet në postimin e ambasadës amerikane.

Goditja nga qeveria
Vendburimi i gazit në Delvinë shfrytëzohet me koncesion nga kompania Delvina Gas Company. Kjo kompani zotërohej nga biznesmeni shqiptar Sokol Meqemeja. Por verën e vitit të kaluar, policia e shtetit rrethoi ambientet e kompanisë duke arrestuar disa inxhinierë si dhe duke shpallur në kërkim pronarin e kompanisë dhe administratorin e saj.

Sokol Meqemeja
Sipas qeverisë, kompania kishte ndërtuar një termocentral pa leje në ambientet e koncesionit, por kompania e kundërshtoi këtë akuzë duke theksuar se objekti ishte impiant për pastrimin e gazit. Arrestimet e policisë u shfrynë vetëm pak ditë më vonë, kur prokuroria i rrëzoi akuzat ndaj kompanisë si të paqena.
Sipas disa burimeve të mirëinformuara, arsyeja e sulmit të papritur ndaj Delvina Gas kishin prapavijë interesash. Në atë kohë Edi Rama foli për një plan që shihte krijimin e një monopoli të përzier në sektorin energjetik. Një skemë, e cila sipas disa burimeve do të rrotullohej rreth një biznesmeni izraelit, mik personal i Edi Ramës.
Goditja ndaj Delvina Gas, e cila në terren u dirigjua nga ish zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e detyroi biznesmenin Meqemeja që ta shiste kompaninë tek një konsorcium amerikano-hollandez.
Ndaj vizita e të ngarkuarës me punë Van Horn dhe ambasadorit hollandez Vos në vendburimin e Delvinës duket si një vijë e kuqe për qeverinë shqiptare, tashmë që në qytet ka ardhur sherifi i ri.




