Amant Josifi, ortaku i Olsi Ramës, a po përdor ‘prestanome’ vartësit e Call Centerave për ndërtim kullash e resortesh?

Biznesmeni shqiptar, Amant Josifi, i shumëkërkuar nga autoritetet spanjolle për mashtrimin e 200 mijë shtetasve europianë për një shumë prej 2.5 miliardë euro nëpërmjet call-center, ka qenë ortak me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama. Olsi Rama dhe Amant Josifi kanë krijuar shoqërinë “Pegasus” shpk, e cila ka si aktivitet kryesor shërbimin e shitjes nëpërmjet telefonit, call-center.

Kompania është regjistruar në maj 2014, vetëm pak kohë pasi Olsi Rama u rikthye në Shqipëri, menjëherë sapo vëllai i tij mori mandatin e kryeministrit. Bashkëpunimi zyrtar ndërmjet Josifit dhe Olsi Ramës ka vijuar deri në janar të vitit 2018.  Jo vetëm ortakëri me Olsi Ramën, por Josifi rezulton të ketë lidhje të forta me qeverinë e Edi Ramës. Ai ka qëndruar për shumë vite në krah të ministres Olta Xhaçka, si këshilltar i saj, gjatë kohës që ka qenë Ministre e Mbrojtjes.

Po ashtu, ai është djali i Pranvera Strakoshës, një zyrtare e lartë në qeverinë e Edi Ramës që tashmë mban postin e Komisioneres së Mbikqyrjes së Shqërbimit Civil, për dy mandate e votëbesuar nga deputetët socialistë. Aktualisht, Amant Josifi konsiderohet nga autoritetet spanjolle dhe ato gjermane si personazh kyç në një skemë gjigande mashtrimi, ku janë goditur dhjetëra-mijëra qytetarë europianë. Paratë e përfituara nga kjo skemë, sipas drejtësisë spanjolle e gjermane kanë patur si destinacion më së shumti Shqipërinë, e vetë Josifi vijon ti shijojë ato i strehuar në Dubai.

E bëmë këtë parashtrim për tu njohur me një prej personazheve kyç të kësaj historie Amant Josifi, lidhjet e tij ortakërore e familjare me Edi Ramën, e në vijim do tju tregojmë se si ky personazh sëbashku me disa ish-vartës të tij dhe zyrtarë të tjerë shtetëror kanë ndërtuar një perandori biznesesh.

E veç milionave cash që futen në sistem me biznese të nisura nga hici, për leje ndërtimi dhe krijimit të lehtësirave për këtë aktivitet kujdeset personalisht Edi Rama.

Nëse pas tyre është Olsi Rama, Amant Josifi apo çdokush tjetër, i mbetet SPAK që ta vërtetojë. Por për të kuptuar më mirë këtë skemë do të ndalemi në vijim edhe te një tjetër personazh kyç, Arbër Habilaj, i cili sëbashku me vartësit e Amant Josfit janë zbatuesit, apo ndoshta prestanomet e bosëve të tyre.

Kjo deklaratë për sa kohë artikulohet nga një ish-kryeprokuror i SPAK, me patjetër që ka prova të forta, por siç edhe ai vetë e ka thënë ky lloj krimi konsiderohet intelektual, dhe ka vështirësi për të arritur deri tek intelektualët e vërtëtë me pushtet.

Vetëm emisioni PLUG qe nga nisja e tij dy vite më parë ka bërë transparencë për shumë nga aferat kryesore të qeverisë Rama. E kemi filluar me një nga aferat më të rënda korruptive, aferën e inceneratorëve dhe kemi bërë publike dokumente ekskluzive sesi u zhdukën qindra miliona euro në të quajturën afera e shekullit, për një incenerator që nuk ekziston.

Kemi ndjekur edhe paratë në këtë aferë apo edhe kontratat e kleringut, të cilat edhe vetë SPAK nuk denjoi t’i gjurmojë për të gjetur përfituesit e vërtetë. Para e apartamente që nuk janë pak, por disa dhjetra milionë euro.

Sot do të bëjmë publik një tjetër dokument. Një tabelë me listen e debitorëve tek kompania e inceneratorit të Tiranës deri ne momentin e sekuestrimit nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara.

Sipas kësaj tabele, lista fillon me debitorin Alesjo 2014, një kompani e sekuestruar si e lidhur me krimin e organizuar e cila ka rreth 4.5 milion euro detyrime deri në gusht të vitit 2023, pra s’ka paguar për depozitimin e dherave dhe vazhdon me kompaninë Artech Group shpk. Artech Group shpk ka rreth 400.000 euro detyrime, për depozitim dherash.

Image
Foto: Lista e debitorëve tek kompania e inceneratorit të Tiranës

Në dijeninë tonë prokurori Dritan Prençi ka kërkuar të merren në pyetje të gjithë kompanitë që kanë përfituar leje ndërtimi në Tiranë, dhe të sqarojnë ku i kanë depozituar mbetjet dhe pagesat që kanë kryer ndaj Inceneratorit të Tiranës. E gjitha kjo pasi Belind Këlliçi në kallëzimet e bëra pranë SPAK për inceneratorin e Tiranës ka kërkuar disa herë që të kryhet ky veprim hetimor pasi do të ishte e vetmja mënyrë për të gjetur paratë dhe apartamentet e përfituara të pa deklaruara në bilancin e Integrated Energy VB.

I sollëm këto detaje në vëmendje, pasi duket se paratë e pista nga mashtrimi dhe korrupsioni gërshetohen në skemën e pastrimit, ndaj dhe Emisioni Plug bëri një analizim të detajuar të këtyre kompanive, për të dalë më pas në krye të skemës së pastrimit të parave.

Artech Group shpk është një kompani e themeluar në maj të vitit 2017, me ortak shtetasin Arbër Habilaj. Ky i fundit rezulton të jetë djali i xhaxhait të Endrit Habilaj, gazetari i cili është në arrati si pjese e skemës së inceneratorit të Tiranës.

Në janar të vitit 2018, Arbër Habilaj vendos të kalojë aksionet në emër të të ëmës Lejkë Habilaj dhe në dhjetor të vitit 2018, aksionet kalojnë në emër të babait, Gjergji Habilaj, e kjo duket më shumë edhe si një skemë që pasojat ligjore të kalonin nga djali tek prindërit, pa asnjë lidhje me këtë biznes.

Image

Në 9 shtator të vitit 2020 emri i kompanisë ndryshon nga Artech Studio në Artech Group. Dhe kjo ka një arsye, pasi në këtë moment themelohet një tjetër kompani me emrin Arech Studio, e cila në letra do të ishte më e pastër se kompania e parë.

Në datën 8 shtator 2020 themelohet kompania tjetër Artech Studio me aksioner, Genti Shtëmbari me profesion arkitekt, por tek roli i kësaj kompanie dhe lidhjet në skemën e pastrimit të parave do të ndalemi në vijim.

Për vitet 2017/18/19/20 kjo kompani nuk ka depozituar asnjë bilanc në QKB. Për vitin 2021 deklaron bilance të cunguara, por nga analizimi i tyre rezulton se për vitin 2021 ka realizuar shitje në vlerën 185 milion lekë ose mbi 1.5 milion euro dhe ka dal me një humbje 300.000 euro me kursin e sotëm.

Sipas shënimeve shpjeguese deklarojnë se kjo kompani është në fazë investimi dhe pret të arkëtojë të ardhura nga shitja e ndertimeve.

Nuk dihet se për cilin ndërtim bëhet fjale pasi nuk ka një leje ndërtimi të miratuar në këtë kohë për këtë kompani por as nuk ka një adresë sekondare të regjistrtuar në QKB ashtu siç e përcaktojnë detyrimet ligjore. Por ky fakt lidhet më së miri me borxhin që kjo kompani ka pranë inceneratorit tiranë për depozitimin e dherave.

Në bilancin e 2022 nuk deklarohet asnjë e dhënë përvec humbjes që është 70.000 euro.

Në janar të vitit 2024 kjo kompani ndryshon adresën kryesore duke u transferuar në Pallatin Domus, pranë rrugës ‘Myslym Shyri’.

Emisioni Plug investigoi edhe me tej dhe rezulton se pallati Domus, pranë ‘Myslym Shyrit’ është projektuar nga Artech Studio.

Artech Studio e cila është regjistruar në emër të Genti Shtëmbari, prej shtatorit 2024, 50% aksioner ka edhe vetë shtetasin Arbër Habilaj.

Disave mund t’i duken si loje fjalësh, por të gjitha këto veprime kanë një arsye të caktuar, marrjen dhe largimin e përgjegjësive ligjore të personazheve të përfshirë. Arber Habilaj në vitin 2021 rezulton i punësuar pranë Bashkisë Tiranë.

Nga burimet e hapura është gati e pamundur të gjesh informacione, por PLUG arriti të gjente se në cilën drejtori të bashkisë 5D ka punuar Arbër Habilaj.

Sipas këtij dokumenti të tetorit të vitit 2018, Arbër Habilaj është i punësuar si specialist i nivelit të lartë në drejtorine e Ditjon Baboçit, që miratonte pikërisht lejet e ndërtimit, nga ku rrjedhimisht përfitoi edhe vetë Arbër Habilaj.

Image

Nga investigimi i Emisionit Plug rezulton se leja për pallatin Domus të ndërtuar pranë Myslym Shyrit është miratuar nga Erion Veliaj dhe Ditjon Baboçi me vendimin P-13107/7 datë 27.08.2019. Ndërtues është Ales Construction dhe projektues Artech Stucio.

Sipas të dhënave në QKB nga Ales Construction, ky ndërtim është kryer në kohë rekord. 10.800 m2 u ndërtuan për vetëm 13 muaj, një sukses ky edhe për kompanitë më të mëdha të ndërtimit, e me lukiditet disa herë më të madh. Por duket se për Habilajn & CO, paratë nuk janë problem.

Pra kompania e vartësit të Erion Veliaj do të kryente edhe punime në atë godinë e jo vetëm projektimin. Fill pas ndërtimit, e deri më sot të gjitha kompanitë e lidhura me shtetasin Arbër Habilaj kanë zyrat pranë pallatit Domus në ‘Myslym Shyri’.

Image
Foto: Pallati Domus tek ‘Myslym Shyri’, Tiranë, ndërtuar nga Arbër Habilaj.

Se ku i gjeti paratë një specialist bashkie për tu bërë biznesmen ndërtimi këtë duhet të na e faktojë SPAK, e bashkë me këtë duhet të zbulojë nëse Habilaj nuk është prestanome i personazheve më të rëndësishëm se ai.

Ndërtimi i këtij pallati në qendër të Tiranës, duket se do të ishte vetëm fillimi, pasi në vijim do tju tregojmë se tashmë nuk bëhet më fjalë vetëm për miliona, por për miliarda që po investohen në kompani ndërtimi kullash e resortesh me firmë direkte nga Edi Rama. E gjithë skema zbulohet nga rrjeti i kompanive, që bazën e tyre e kanë në qendër të Tiranës, pikërisht në pallatin Domus të ndërtuar nga Arbër Habilaj.

Sipas të dhënave të QKB kompanitë e lidhura me Arbër Habilaj të cilat kanë adresën pallati Domus, janë:

-Artech Group që nga janari 2024

-Artech Studio që nga prilli 2024

-AG Holding që nga tetori 2023

-Arbër Habilaj PF që nga janari 2026

-Geraldo Habilaj PF që nga janari 2026

-A2G Construction & Development që nga nëntori 2024

-Bee Taxi që nga tetori 2023

-PRONIX që nga nëntori 2025

Në këto kompani nuk rezulton vetëm emri i Arbër Habilajt, por edhe personazheve të tjera, që ngrenë dyshime të forta se përdoren si Prestanome nga Amant Josifi. Por le të rikthehemi tek kompania Artech Group, e cilat siç duket se është ndër të preferuarat e kryeministrit Edi Rama për tu bekuar me leje ndërtimi në Tiranë por edhe në bregdet.

Edhe pse nuk deklarojnë të dhëna të plota të bilanceve, kjo kompani nga qershori i vitit 2025 deri në mars të vitit 2026, pra në më pak se një vit ka regjistruar plot 3 adresa te reja në QKB.

Nuk janë as më shumë e as më pak, por 3 leje ndërtimi për kulla dhe resorte me firmë direkte të Edi Ramës. Në qershor 2025 regjistrohet adresa :

TIRANE; Njesia Administrative nr.7, Rruga e Kavajes, Zona Kadastrale 8250, me disa pasuri të bëra pjesë të saj në shërbim të ndërtimit.

Në janar 2026 regjistrohet adresa: Dhermi, Bashkia Himare, Zona Kadastrale 1739, Nr. Pasurie 68/17; 68/31

Në mars 2026 regjistrohet adresa : TIRANE; Zona Kadastrale 8270, Tiranë edhe këtu me disa pasuri në shërbim të ndërtimit.

Pra 3 leje ndërtimi me firmë të Edi Ramës në  zonat më të lakmuara të Tiranës dhe Bregdetit, për një kompani të dalë nga hiçi e me bilance me probleme.

Adresa e regjistruar në mars është një leje ndërtimi e miratuar nga Edi Rama për 20.000 m2 ndërtim në një kullë 32 kate në zonën e liqenit artificial.

Siç e shikoni edhe nga pamjet e ofruara nga vetë kompania, bëhet fjalë për një kullë luksoze 32 katëshe e me disa kate garazh, e vendosur në një prej zonave më të lakmuara të Tiranës. E për nga projektimi dhe niveli i ndërtimit është një objekt që do ta kishin  zili, por vështirësi financiare për ta ndërtuar edhe kompanitë më të vlerësuara ndërkombëtare. Por për Arbër Habilajn, asgjë nuk është e pamundur nëse bëhet fjalë për para.

Ndërtimi tjetër është në dhërmi, në një nga zonat më të bukura.

Leja është për rreth 11.000 m2 ndërtim mbi dhe nen tokë.

Në këtë leje bëhet fjalë për ndërtimin e një resorti në Dhërmi, Himarë, një prej zonave më të lakmuara, ku jo vetëm incvestimi shkon në qindra milionë euro, por edhe për nga vendosja, duket qartë që ka në dizpozicion një prej hapsirave më të bukura të rivierës shqiptare. E bashkë me kullën, ky bëhet projekti i dyt që lyp nevojën e disa qindra milionë eurove për tu ndërtuar. E për ta rikujtuar ndërtues është një person që kulmin e karriesës e kapi me të qenurit specialist në Bashkinë 5D të Erion Veliajt.

Edhe pse dy investime qindra milionë euro, duket se për aftësinë e Arbër Habilajt, të paktën si pronar në letra, këto dy leje janë të pamjaftueshme, ndaj dhe Edi Rama është kujdesur për një tjetër leje ndërtimi kulle në qendër të Tiranës.

Në vitin 2025, Artech Group ka marrë një tjetër leje për ndërtimin e një kulle me 20 kate në Rrugën e Kavajës, e me një sipërfaqe totale ndërtimi prej 17 mijë metrash katrorë. Siç shikohet edhe në renderat e projektit, bëhet fjalë për një kullë tepër luksoze që kërkon gjithashtu edhe një financim të madh. Por duket se edhe në këtë rast paratë nuk janë problem, mjfaton që vetëm Edi Rama të firmoste lejen për ndërtimin e saj.

Image

Deri në këte moment te investigimit nuk dihej sesi kompania e Arbër Habilaj arriti të krijonte besueshmëri te Edi Rama për të ndërtuar 2 kulla gjigande në Tiranë dhe një kompleks gjigand në Dhërmi por ajo që dim me sigur është se vlera e këtyre projekteve i kalon mbi 100.000.000 euro.

Por ne ndihme na erdhi kompania e themeluar ne nentor te vitit 2024.

A2G Construction & Development, se kush eshte germa A e dim, Arber Habilaj, prandaj hulumtuam të kuptonim gërmen G në emrin e kompanisë.

A2G Construction & Development themelohet nga dy ortake, Arber Habilaj 50% dhe Elgerti Bixha.

Në dhjetor 2025, Elgerti Bixha largohet nga kjo ortakeri.

Po kush eshte Elgerti Bixha…

Sipas te dhenave te bera publike nga SPAK ne dosjen e AKSHI-t, Elgerti Bixha është prestanome i perdorur nga Ergys Agasi, e parandaj me plasjen e skandalit ne dhjetor 2025 ai largohet nga kjo kompani për të mos tërhequr vëmendjen e hetuesve shqiptar e jo vetëm.

Ne nuk e dimë nëse G në emrin e kompanisë është për të përfaqesuar Gysin e Ramës por kjo do të kishte qenë arsye e mjaftueshme për t’i dhënë 3 leje ndërtimi me vlere 100.000.000 euro.

Tre leje ndërtimi me vlerë 100 milionë euro për prestanome të bosëve të Inceneratorëve, ngriti dyshime, ndaj invetigimi ynë shkoi edhe më tej për të faktuar që nuk janë prestanome të lidhura me inceneratorët por me personazhin e prezantuar që në hyrje të këtij emisioni Amant Josifin, ortakun e Olsi Ramës.

Arbër Habilaj ka themeluar në tetor 2023 kompanië AG Holding. Aksionerë janë Arbër Habilaj dhe vëllai i tij, një ish punonjës i agjencisë së trajtimit të pronave Geraldo Habilaj. Ne nuk e dijmë nëse pronat ku po ndërtojnë kanë kaluar në këtë agjenci por sigurisht do duhet të sqarohet edhe ky detaj nga SPAK.

AG Holding është aksioner në kompanitë:

-PRONIX e themeluar në nëntor 2025

-Petville Coffe e themeluar në mars 2025

-A2G Construction & Development e themeluar në nëtor 2024

-Petville e themeluar në dhjetor 2023

-BEE Taxi e themeluar në nëntor 2023

Kompanitë Petville, Petvilee Coffed he BEE Taxi janë në bashkë pronësi me kompani të tjera të zotëruara nga shtetasit Luis dhe Renald Shtëpani si dhe Kliton dhe Eris Xhemali. Luis dhe Renald Shtepani kanë themeluar kompaninë R_L HOLDING në tetor 2023. Ndërsa Kliton dhe Eris Xhemali kanë themeluar kompaninë E.K HOLDING në tetor 2023. Në kompanite e themeluara nga këta shtetas dhe Arbër Habilaj BEE TAXi dhe Petville, ata kanë investuar mbi 1 milion euro vetëm automjete (taksi) dhe 340.000 euro në kompaninë Petville.

Po ku u gjendën të gjitha këto para që sipas bilanceve rezulton se nga ortakët janë investuar mbi 700.000 euro CASH vetëm në vitin 2024?

Shtetasit Luis dhe Renald Shtëpani si dhe shtetasit Kliton dhe Eris Xhemali në vitin 2021 rezultojnë se punojnë në kompaninë Ever Plus, e cila rezulton e themeluar në tetor të vitit 2019 nga Amant Josifi. Dhe pronarët e rinj të kompanive, te cilet nga pagamarrës të thjeshtë që arrijnë të paguajn 700 mijë euro CASH rezultojnë të kenë qenë vetëm menaxher, shef zyre dhe specialist marketing të Amant Josifit.

Kompania EVER PLUS është themeluar në tetor të vitit 2019 nga Amant Josifi dhe në mars të vitit 2020 ai ja ka kaluar aksionet shtetases Greta Picari, e cila është dhe motra e Egla Josifit. Në dhjetor të vitit 2021 pasi u njoftua për hetimet gjermane ai pezullon këtë kompani. Ever Plus ka patur si aktivitet Call Center dhe në të punonin mbi 250 persona, ku në vitin 2021 qarkulloi miliona euro.

Në vitin 2023 kjo kompani kalon në likuidim dhe asnjë nga organet shtetërore edhe pse Josifi ishtë shpallur në kërkim ndërkombëtar që nga dhjetori 2022, nuk ka marrë mundimin të hetojë kompanitë. Nëse edhe në këtë rast organet e drjetësisë janë stepur përballë ortakut të Olsi Ramës, por agjencitë ligjzbatuese gjermane e europiane duket se kanë qenë më të pa ndikuara, e bashkë me ta edhe gazetarët italianë që vllazërisht iu lutën kryeministrit Edi Rama që t’i lejojë të investigojnë vjedhjen e qytetarëve italianë nga kullat e Tiranë.

Ndërsa shefi i tyre Amant Josifi shijon paratë e vjedhura në Dubai, çuditërisht vartësit bëhën milionerë dhe hapin biznese në të cilat është e thjeshtë t’i biesh kasës e të presësh fatura për ushqim kafshësh, kafene apo dhe xhiro me taksi. Por duket se nevoja ka lindur për më shumë aktivitet financiar, ndaj në horizont del edhe një tjetër leje ndërtimi.

Luis Shtëpani në vitin 2014 ka themeluar kompaninë AGRA – LU, e cila si aktivitet ka patur, Zyrë këmbimi valutor.

Në vitin 2017, Luisi ja kalon aksionet dajës së tij Agim Cani. Në maj të vitit 2020 kjo kompani vendos t’i futet ndërtimit duke shtuar edhe një adresën:

TIRANE; Rruga Ali Demi, Objekt ne ndertim ne Zonen Kadastrale 8180, Pasuria Nr. 1/358.;

Menjëherë te kjo kompani rriten edhe të ardhurat pasi futet në biznesin e ndërtimit.

Faturimet nga 1.7 milion lekë në vitin 2019, fluturojnë në 70 milion për vitin 2020, e të mos harrojmë se ishte vit pandemie. Në bilancin e vitit 2024 vetëm aktive të mbajtura për shitje shkojnë në vlerën 308 milion lekë ose 3 milion euro.

Pra nga një zyrë këmbimi me faturime 10.000 euro në vit, kompania e Luis Shtëpanit në vitin 2024 ka apartamente të pashitura në vlerë mbi 3 milion euro.

Por në mbledhjen e KKT në korrik të vitit 2025, vëllai i Olsit, Edi Rama ka miratuar një tjetër leje ndërtimi në Mjull Bathore për subjektin Agra Lu.

E ndërsa vazhdonim investigimin rezultoi se Artech Studio e Arbër Habilaj në faqen e instagramit pasqyronte një projekt me vila ne Mjull Bathore, një zonë shumë e lakmuar pranë TEG, çka fakton edhe njëherë lidhjet e biznesit mes tyre në sektorin e ndërtimit fal zemërgjerësisë së Edi Ramës.

Pyetja më e thjeshtë që ngrihet në këto raste është se si një specialist bashkie si Arbër Habilaj dhe 4 punonjës Call Centeri arrijnë të shndërrohen ndër biznesmenët më të sukseshëm në Shqipëri, e më naive është pyetja se ku i gjetën lekët për të hapur kompani dhe marrë leje ndërtimi në vlera qindra milionë euro.

E pa përgjigje do të mbetet pyetja se si këta personazhe i hynë në zemër kryeministrit Edi Rama që brenda pak muajve të firmoste për ta mbi 5 lejë ndërtimi kullash e resortresh me vlerë disa qindra milionë euro.

Cili ishte interesi i kryeministrit Edi Rama që të firmoste këto leje ndërtimi, për kompani e personazhe subjekte hetimi nga SPAK?

Ti jepte leje kullash një ish-specialisti bashkie apo punonëjsve të Amant Josifit?

A i firmosi Edi Rama këto leje me vullnet të plotë për pastrimin e parave të ortakut të vëllait apo ndokujt tjetër, i takon SPAK-ut t’i vërtetëojë.

Por ne si emision i sugjerojmë kryeministrit që në vend që të urdhërojë Ceno Klosin të kallëzojë Syri TV, le ta dërgojë të depozitojë edhe një kallëzim për këtë skemë.

E ndërsa vetë Ceno Klosi është i zënë me hetimet që SPAK po kryen ndaj tij pikërisht për pastrim parash, Syri Televizion nuk do të frikoshet e as të stepet nga denoncimi i korrupsionit dhe pastrimit të parave nga zyrtarët e tu, z. Kryeministër.

Madje ky është vetëm fillimi, pasi në vijim denoncime edhe më të forta e më afër teje do të ketë. E nëse SPAK nuk do t’i hetojë, do të dalë dikur diku një prokuror mbase edhe jashtë Shqipërisë, që në mos të ka ndalur ty dhe familjarët e tu pas zbritjes nga avioni, kjo do të vijë edhe dita kur t’i të japësh llogari për vjedhjen e këtij vendi dhe kriminalizimin e ekonomisë duke detyruar mijra fëmijë, të rinjë e të reja që të braktisin shtëpinë e tyre./ Emisioni PLUG

Share it :