Akuzat e drogës/ PD, Paloka: Mazhoranca po i shmanget hetimit, Kodheli s’mund ta mbyllë çështjen  

Gëzim Saliu

 

“Opozita, e vendosur për të bërë transparencë lidhur me çështjen e përdorimit të strukturave të FA-së për trafikun e drogës. Reagimet e ekzekutivit vërtetojnë implikimin e tyre në këtë trafik”

 palokaMazhoranca po kërkon të mbyllë hetimin e çështjes së akuzave të përdorimit të infrastrukturës së Forcave Ushtarake në trafikun e drogës. Kështu deklaroi dje kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, në përgjigje të deklaratave të ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila kishte pohuar se çështja e përdorimit të infrastrukturës ushtarake për trafik droge u mbyll edhe nga partnerët amerikanë. Duke theksuar se opozita është e vendosur t’i shkojë deri në fund transparencës së kësaj çështjeje, Paloka akuzoi përfaqësuesit e qeverisë për mungesë përgjegjësie. “Deklarata e mbrëmshme e ministres Kodheli është pak, po të thuash se ishte një deklaratë e turpshme, sepse të deklarosh pa pikën e përgjegjësisë se çështja e hetimit të drogës qenka mbyllur dhe për më tepër të keqpërdorësh aleatët tanë të mëdhenj lidhur me këtë çështje, e përsëris, është më tepër sesa e turpshme. Asnjë çështje nuk është mbyllur ende”, – tha ai.

 

Reagimi

Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, mazhoranca po kërkon që ta mbyllë çështjen e hetimit të akuzave për trafik droge nga strukturat e bazat e FA-së në interes të disa përfaqësuesve të qeverisë e mazhorancës, duke përdorur, siç nënvizoi Paloka, për këtë qëllim edhe komisionin hetimor. “Dua t’ju kujtoj se Komisioni Hetimor sipas rregullores, duhej të kishte filluar punë tri ditë pas miratimit të tij në Kuvend. Ende sot e kësaj dite nuk është thirrur, me justifikimet banale se gjoja ende nuk është përcaktuar kryetari i Komisionit dhe justifikime të tjera si këto. Pra, duket qartazi se kjo mazhorancë kërkon ta mbyllë këtë çështje dhe jo ta hetojë”, – tha deputeti demokrat. Nga ana tjetër, Paloka bëri të ditur vendosmërinë e opozitës për t’i shkuar deri në fund transparencës së kësaj çështjeje. “Do të bëhet transparencë për shqiptarët, të bëhet transparencë për trafikun e drogës, kush janë përgjegjësit, a është e lidhur kjo qeveri me këtë trafik droge dhe mesa duket edhe reagimet e ministrave dhe përfaqësuesve të kësaj mazhorance tregojnë se frika e tyre ka pikërisht lidhje me faktin që ata janë të implikuar”, – deklaroi kryetari i grupit kuvendor demokrat. Dy ditë më parë, në një intervistë televizive, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi se çështja për përfshirjen e mundshme të strukturave të ushtrisë në trafikun e drogës është një kapitull i mbyllur. “U inskenua një situatë që për fat të keq përfundoi si një tullumbac. Ata që e ngritën gjithë këtë baltë për turpin e tyre, duhet t’u kërkojnë të falur Forcave të Armatosura. Unë kam dalë disa herë në Parlament dhe kam thënë se FA nuk janë të involvuara në asnjë nga këto gjëra. Ne kemi kërkuar nga organet kompetente, përfshirë SHISH, për të investiguar diçka që sot rezulton e pavërtetë dhe që Ministria e Mbrojtjes, FA dhe infrastrukturat e tyre dalin të papërfshira”, – theksoi Kodheli. Deklarata e ministres erdhën kur Komisioni Hetimor i Kuvendit “Mbi implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake për trafik droge” nuk ka zhvilluar ende mbledhjen e tij të parë, vonesë e cila sipas opozitës është e qëllimshme dhe ka synim mos zbardhjen e çështjes.

 

 Raporti i “Freedom House”/ Reagimi i PD-së: Kryeministri po imponohet si kryeredaktor i gazetave dhe televizioneve

Partia Demokratike ka reaguar dje lidhur me publikimin e raportit të “Freedom House” mbi lirinë e medias, ku Shqipëria humb dy pikë në vlerësim. Deputeti demokrat, Luçiano Boçi, bëri përgjegjës Kryeministrin Rama, që, sipas tij, po imponohet si kryeredaktor i gazetave dhe i televizioneve. “Shqipëria ka humbur dy pikë në renditjen për lirinë e medias dhe ky është një lajm i keq për vendin. “Freedom House” një vit më parë e vlerësoi Shqipërinë me 96 pikë, ndërsa këtë vit me 98, duke e larguar me dy pikë, çka do të thotë përkeqësim me dy pikë. Liria e medias është një prej cilësive më të rëndësishme të demokracisë, dhe kur liria e medias përkeqësohet, edhe gjendja e demokracisë në vend përkeqësohet. Sigurisht që pritej një vlerësim i tillë, kur Kryeministri i vendit imponohet në fakt si kryeredaktori i shumicës së gazetave dhe televizioneve në vend”, – theksoi deputeti demokrat. Sipas Boçit, përkeqësimi i lirisë së medias ishte i pritshme kur Kryeministri urdhëron manipulimin e të dhënave dhe shkrime për kundërshtarët politikë. “Pritej përkeqësimi i lirisë së medias në Shqipëri, kur Kryeministri ka bllokuar transparencën dhe i vetmi komunikimi i tij me publikun është propaganda me regji qendrore. Pritej përkeqësim i lirisë së medias në Shqipëri, derisa Kryeministri kërcënon mediat nga salla e kuvendit, dhe ushtron të gjithë instrumentet e dhunës që ka në dorë, kundër medias kritike dhe investigative”, – theksoi deputeti demokrat.

 

PS për raportin/ Shkjau: Ishte i vitit 2013, opozitës nuk i takon të flasë për lirën e medias

 Përkeqësimin e lirisë së medias në vend Partia Socialiste ia ka faturuar ish-qeverisjes së djathtë. Në përgjigje të akuzave të PD-së, deputetja socialiste Esmeralda Shkjau tha se raporti i “Freedom House” për lirinë e shtypit ka të bëjë me vitin 2013, pikërisht me vitin e fundit të qeverisë Berisha. Sipas saj opozita është e fundit që i takon të flasë për lirinë e medias, pasi përpara se të flasë për ketë gjë, duhet të kërkoj ndjesë për gjithë të zezat që i ka bërë medias në Shqipëri. “Raporti i “Freedom House” për lirinë e shtypit ka të bëjë me vitin 2013, pikërisht me vitin e fundit të qeverisë Berisha, që për hir të së vërtetës bëri çmos për t’ia vështirësuar jetën medias, qoftë me gjoba e qoftë me mbyllje gazetash e televizionesh. Por falë ndryshimit të qeverisë e falë frymës të qeverisë së re, liria e medias në 2013 nuk është përkeqësuar si vitet e mëparshme, por pikëzimi i Shqipërisë ka mbetur i njëjti”, – tha deputetja socialiste. Më tej, ajo theksoi se qeveria është e angazhuar për të përmirësuar situatën e medias në Shqipëri. “Prova më e qartë e këtij angazhimi ishte raporti për lirinë e medias i organizatës “Reporterët pa Kufij”, i cili që në muajin shkurt, duke vlerësuar shprehimisht hapat e marra nga qeveria e re, e renditi Shqipërinë 17 vende më lart në indeksin për lirinë e medias”.

Share it :