Aksioni/ Mungesa e kutisë së ndihmës së shpejtë, ndëshkohen 303 drejtues automjetesh

police rrugoreMungesa e kutisë se ndihmes së shpejtë në çdo automjet penalizon drejtuesit e saj. Prej më shumë se dy javësh, nga policia rrugore e kryeqytetit është ndërmarrë një aksion me ngritjen e përditshme të pikave të kontrollit për të evidentuar nëse ka automjete që lëvizin pa kutinë e ndihmës së shpejtë. Sipas Informacioneve zyrtare, mësohet se janë ndëshkuar 303 drejtues automjetesh për mospajisje me kutinë e ndihmës së shpejtë. Aksioni sipas burimeve zyrtare është ndërmarrë pasi është vërejtur se në aksidente rrugore ku të dëmtuarit kanë plagë të lehta ose të rënda automjetet nuk kanë qenë të pajisura me kutinë e ndihmës së shpejt. Grupet e kontrollit në komisariatin e policisë rrugore tiranë do të vijojnë deri në fund të muajt nëntor planizimin në hyrje daljet e Tiranës për kutinë e ndihmës së shpejtë. Në nenin 72 të Kodit Rrugor është përcaktuar pajisja te sistemet e pajimit të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre. Pra, në këtë nen përcaktohet se çiklomotorët, motomjetet dhe automjetet duhet të jenë të pajisura me a) sistem drejtimi; b) sistem frenimi; c) sistemin e sinjaleve pamore dhe ndriçuese; d) sistemin zhurmëmbytës dhe të shkarkimit, në qoftë se kanë motor me djegie të brendshme; e) sistemin e sinjalizimit zanor; f) sistemin e shikimit prapa; g) gomat ose sistemin ekuivalent me to. Automjetet dhe motomjetet me peshë pa ngarkesë mbi 0.35 tonë, duhet të pajisen me sistemin e marsheve të lëvizjes prapa. Automjetet duhet të pajisen edhe me a) mekanizmin e qëndrimit (freni i dorës) dhe mekanizmin e mbrojtjes (bllokazhin) për mjetet që janë konstruktuar në mënyrë të tillë, duke pasur edhe vendet përkatëse të mbërthimit, që kanë karakteristikat e treguara në aktet në zbatim për çdo kategori mjetesh; b) sinjalin e lëvizshëm për të treguar rrezikun, sipas nenit 160; c) treguesin kilometrik të dyllosur, sipas karakteristikave të përcaktuara në aktet në zbatim; d) sinjalin e lëvizshëm shumëfunksionesh për ndihmë, karakteristikat e të cilit dhe mënyra e përdorimit përcaktohen në aktet në zbatim; e) kutinë e ndihmës së shpejtë. Cilido që qarkullon me një nga mjetet e lartpërmendura në këtë nen, në të cilin mungon ndonjë sistem, ose ky sistem nuk është në përputhje me aktet në zbatim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.

 

 Mirditë/ E kap duke vjedhur energji në banesë, dhunohet punonjësi i OSHEE-së

Një 41-vjeçar nga Kodër-Rrësheni ka rënë në prangat e policisë së Mirditës, pasi akuzohet se ka goditur punonjësin e OSHEE-së për shkak të detyrës. Burime të policisë kanë bërë të ditur se është prangosur në flagrancë Dritan Jushi, i cili akuzohet se është kapur nga punonjësit e OSHEE-së në banesën e tij, duke vjedhur energjinë elektrike në mënyrë të paligjshme. Pasi kanë konstatuar këtë rast, ata e kanë thirrur 41-vjeçarin për t’u njohur me procesverbalin përkatës që ata i kishin plotësuar atij për vjedhjen e energjisë. Sapo ai është njohur me ndëshkimin që ata i kanë bërë, ka debatuar ashpër me punonjësit dhe më pas njërin prej tyre e ka goditur me shkelma dhe grushte, ndërsa punonjësi ka qenë duke kryer detyrën. Kanë qenë kolegët e tij, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke arrestuar 41-vjeçarin Jushi. Ai tashmë do të përballët me akuzën “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”, ndërsa materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Lezhës.

 

Korçë/ E zë poshtë pema ndërsa e sharronte, humb jetën 32-vjeçari

Një 32-vjeçar ka humbur jetën dje në fshatin Orman të Korçës, pasi e ka zënë poshtë një pemë. Policia e Korçës e ka identifikuar viktimën si 32-vjeçarin Mikel Saliu. Ende nuk dihen qartazi rrethanat e këtij aksidenti të pazakontë, ndaj policia ka shkuar në vendngjarje për të verifikuar rrethanat e vdekjes dhe për të kërkuar dëshmitarët e mundshëm. Dyshimet e para flasin për një vdekje aksidentale, pra që në përfundim të sharrimit, pema ta ketë zënën nën vete.

 

 

 

 

Share it :