Aksioni kundër vjedhjes së energjisë/ Rama: S’ka ndalim dhe mbarim, deri sa fenomeni të zhduket. Më në fund po lëviz edhe gjykata

Gëzim Saliu

aksioni kunder energjise elektrike shtylla korent sakte“S’janë të varfërit shkaku i shkatërrimit që ka sjellë vjedhja e energjisë, po janë ata që e vjedhin energjinë edhe pse i kanë lekët për të paguar”

Me fokusin tek operacioni në shkallë vendi kundër vjedhësce të energjisë elektrike, kryeminsitri Rama deklaroi dje se ai nuk do të mbyllet pa u zhfukur tërësisht fenomeni. “Prandaj edhe Operacioni Kundër Vjedhjes së Energjisë është fokusuar në këtë fazë të parë pikërisht tek vjedhësit e mëdhenj e të kamur. Së bashku me bashkëpunëtorët e tyre brenda kompanisë ata po arrestohen dhe çohen përditë përpara drejtësisë. Ky operacion nuk ka ndalim as mbarim, deri ditën kur ky fenomen skandaloz dhe shkatërrues i vjedhjes së energjisë nga të katër anët, të jetë zhdukur në çdo cep të Shqipërisë”, tha kreu i qeverisë në një reagim në rrjetin social. Ndërkaq për herë të parë, kryeministri vlerësoi edhe pse jo drejtëpërdrejte sistemin e drejtësisë, ku tha se, “më në fund edhe gjykata po lëviz”. “Të dhënat e Operacionit Kundër Vjedhjes së Energjisë jane mjaft inkurajuese. Më në fund edhe në gjykata diçka po lëviz në drejtimin e duhur në këtë fushë. Jo pak vjedhës të energjisë po mbeten në burg! Por ka ende shumë shumë për të bërë që ky krim i toleruar për njëzet vjet rresht, me pasoja shkatërruese në arkën e shtetit po edhe në buxhetin e familjeve që paguajnë rregullisht, të zhduket njëherë e mirë si fenomen i turpshëm për vendin e për shoqërine tonë”, u shpreh Rama.

 

Heqja e fashës

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë ka nënvizuar edhe njëherë se ky operacion është i orientuar në radhë të parë drejt vjedhësve “të mëdhenj e të kamur”, duke shtuar se rreth 200 mijë familje në nevojë do të kompensohen për të mos e ndier heqjen e fashës 300 kw.“Pensionistët kryefamiljarë si edhe personat me aftësi të kufizuar, pjesët më të dobëta të zinxhirit shoqëror, hyjnë tek paguesit më të rregullt të energjisë elektrike në vite. Ky fakt kuptimplotë u heq çdo justifikim atyre që mundohen më kot të justifikojnë vjedhjen e energjisë me varferinë. Nuk janë të varfërit shkaku i shkatërrimit që ka sjellë vjedhja e energjisë për vendin e për shoqërinë tonë, po janë ata që e vjedhin energjinë edhe pse i kanë lekët për të paguar – në radhë të parë ata që kanë biznese të mëdha e njësi tregtare dhe janë mësuar të paguajnë sa një konsumator familjar.Rreth 200 mijë familje në nevojë do të marrin shtesë pensioni, shtesë ndihme ekonomike apo shtesë në pagën e aftësisë së kufizuar, për të mos e ndjerë asnjë grimë heqjen e fashës 300kë”, pohoi Rama. Në këtë kontekst, kryeministri tha se të gjithë të tjerët do të paguajnë detyrimin, : “ose do të përballen me forcën e vullnetit tonë të palëkundur për ta vendosur shtetin në anën e ligjit, të interesave kombëtare, të interesave të shoqërisë e të çdo individi që respekton ligjin dhe paguan rregullisht energjinë që konsumon.”

 

Reagimi/ Halimi: I lumtur me gjykatat kur futen në burg kundërshtarët, filozifi neo-diktatoriale

Ish-ministri i Drejtësisë, deputeti demokrat Eduard Halimi ka reaguar lidhur me qëndrimin e shprehur nga kryeminstri Rama për gjykatat duke theksuar me ironi se,: “sot Rama lajmëroi se ishte i lumtur me gjykatat pasi ato kishin lënë në burg të akuzuarit prej tij dhe po lëvizkan në drejtimin e duhur! Para disa ditësh, në Kuvend tha se gjykatat administrative po e merrnin ne qafe shtetin se po mbanin anën e qytetareve dhe jo te qeverise. Ndaj nuk i donim, tha, gjykatat administrative!”. Më tej, Halimi e vazhdoi argumentin e tij, duke theksuar se sjellja e kreut të qeverisë përngjan me një filozi neo-diktatoriale. “Kjo është reforma që kërkon Rama për drejtësinë: Po futen në burg qytetarët dhe kundërshtarët janë burra të mirë; po mbajtën anën e qeverisë, janë në rrugën e duhur dhe Rama është i lumtur; po nuk mbajtën anën e tij, janë banditë, kriminelë, hajdutë! Kjo është e vërteta, por a janë dakord qytetarët me lumturinë e Ramës dhe me këtë filozofi neo-diktatoriale?!”, u shpreh deputeti demokrat.

 

Share it :