Administrata në provim/ Të parët në trajnim, tatimorët dhe doganierët. Rama: S’i hap vendet e punës qeveria, po biznesi

administrate Administrata publike është futur në një fazë trajnimi. Sesioni i parë u takoi drejtuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Inspektorati Qendror Teknik dhe të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural. Në këtë trajnim, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri dhe ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, Rama theksoi nevojën e një qasjeje ndryshe në marrëdhënien e administratës me biznesin e qytetarin. “Nuk e krijon mirëqenien qeveria. Në një sistem si yni, mirëqenien e krijon në radhë të parë biznesi; nuk i hap vendet e punës qeveria, vendet e punës i hap biznesi; nuk i rrit të ardhurat qeveria, të ardhurat i rrit biznesi. Në qoftë se po bëni shumë punë, atëherë për të njëjtën energji që po harxhoni mund të bëni dyfishin e rezultatit. Në qoftë se do të jemi në gjendje, që të gjithë këtë proces ta kthejmë në një proces kualifikimi të të gjithë administratës, në qoftë se do të jemi në gjendje që të gjithë atyre që vijnë te dera e administratës doganore, tatimore apo të tjerave si vartësit tuaj, t’i japim mundësinë të ndjehen të dobishëm”, – u shpreh Kryeministri. Më tej, duke iu referuar një studimi të BE-së, kreu i qeverisë nënvizoi se “kompanitë e trajnuara apo që investojnë për trajnimin kishin rritur të ardhurat e tyre mbi 40%. Kompanitë që nuk kishin investuar për trajnimin kishin rënë në 22%. Shtetet që trajnojnë më shumë kanë performancë më të lartë. Shtetet që trajnojnë më pak kanë performancë më të ulët. Shtetet që lindin të trajnuar dhe që nuk mendojnë më kurrë se kanë nevojë të trajnohen, rrinë në fund dhe bëjnë sikur janë të parët”.

 

 

Fronti i ri

Pas Spahiut të AK-së, Ngjela takon Topin: Do të kemi pjesëmarrje të palëve të tjera

Pas takimit që u përmbyll me një marrëveshje në tri pika me kreun e AK-së, Spartak Ngjela, në kuadër të platformës së tij për suitemin e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, zhvilloi dje një diskutim me kreun e FRD-së, Bamir Topi. Në takimin e mbajtur në një nga lokalet e kryeqytetit, mësohet se në qendër të diskutimit ka qenë situata politike në vend. Duke theksuar se ende nuk ka asgjë konkrete lidhur me një bashkëpunim të mundshëm mes këtyre partive në kuadër të zgjedhjeve vendore të 2015-ës, kreu i PLD-së pohoi se ky diskutim do të vazhdojë me tej. “Po goditet korrupsioni, por ende nuk po shohim një reformë në drejtësi. Natyrisht me Topin kemi qenë bashkëpunëtorë politike me njëri-tjetrin. Lamë të kuptonim se do të vazhdojmë me tryeza të gjera, ku do të ketë pjesëmarrje dhe të palëve të tjera. Nuk ka asgjë politike pas, veç po mundohemi të përmirësojmë klimën politike në vend”, – tha Ngjela pas takimit. Rritja e kriminalitetit, nevoja për reformën në drejtës, lufta kundër korrupsionit si edhe zhvillimet e fundit politike në vend ishin temë diskutimi edhe në takimin e zhvilluar më parë mes Ngjelës dhe Kreshnik Spahiut të AK-së. Në këtë takim u nënshkrua edhe një marrëveshje politike mes dy partive, ku u ra dakord për 3 pika të përbashkëta, si: patriotizmi, lufta kundër korrupsionit dhe politika e jashtme.

 

 

Shtyhet me 1 vit projekti TAP, shkak mosmarrëveshjet në Itali

Projekti i gazsjellësit TAP nuk do të nisë punën sipas parashikimeve në gjysmën e dytë të këtij viti, por do të shtyhet edhe me një vit. Shkak për shtyrjen e këtij projekti janë bërë mosmarrëveshjet në politikën italiane, më konkretisht, vonesa e ratifikimit të marrëveshjes nga ana e Dhomës së deputetëve të Parlamentit të Italisë, për kalimin e gazsjellësit në Gadishullin Apenin. Zv.ministri i Energjisë, Ilir Bejtja, e konfirmoi dje shtyrjen e projektit, duke thënë se ai do të fillojë vetëm nga fundi i vitit 2015, në një kohë që Shqipëria ka përcaktuar gjurmën se ku do të kalojë tubacioni. Zv.ministri Bejtja ka zbardhur edhe detaje nga projekti i gazifikimit të Shqipërisë, sipas të cilit po diskutohet me Bankën Botërore për një financim të mundshëm, duke theksuar se aktualisht nuk kanë asnjë version apo plan për këtë projekt.

 

Share it :