A do të mbyllet Teatri i Komedisë?!

Violeta Murati

 

Reagon Ministria e Kulturës: ndryshon vetëm emerëtesa!

 

Ministria-e-Kultures_10Nëpër rrjetet sociale ka nisur nënshkrimi i një peticioni ku kundërshtohet mbyllja e Teatrit të Komedisë nga Ministria e Kulturws. Por mesa duket konteksti i ndërrimit të destinacionit të Komedisë në teatër eksperimental, ka shkaktuar zemërimin ndër artistë. Nuk ka rëndësi nëse janë pak apo shumë që kundërshtojnë këtë ide të ardhur nga Ministria e Kulturës. Përkundër kësaj fryme dje në një njoftim për mediat, ministrja Mirela Kumbaro bën me dije se në lidhje me propozimin për “ndryshimin e emrit të Teatrit Kombëtar të Komedisë në Teater Kombetar Eksperimental “Kujtim Spahivogli””, nuk “synon në asnjë rast dhe në asnjë formë mbylljen e kësaj skene”. “Çdo zhurmë, deformim informacioni, rrekje për kufizime,  apo aludim për mbyllje teatri, apo për prapaskena politike është spekulim i pastër! Skenat nuk janë as majtas as djathtas, ato janë vetëm të artistëve”

Përmes një njoftimi për shtyp thuhet, se “ndryshimi i emërtesës në “Teatër Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në të kundërt nga kufizimi i sotëm, vetëm në një gjini teatrale, synon  hapjen e kësaj skene për të gjitha format e artit skenik, për të gjitha rrymat e tendencat, për të gjitha performancat skenike, që mund të vijnë nga profesionistët dhe subjektet e lira artistike, duke u dhënë prioritet të rinjve, por pa penguar asnjë artist të eksperimentojë idetë e format e ndryshme te shprehjes artistike, pa kufizime”.

Në fakt deri tani është folur për ndryshim emërtese të Teatrit të Komedisë, por në një realitet më të gjerë kjo mund të konsiderohet dhe ndryshim “identiteti”, për t’i lënë vend siç është propozuar teatrit eksperimental, ky i fundit shpesh në vështirësi përkufizimi të konceptit. Rasti më i hapur i këtij debati ishte në komisionin e medias, kur javën që shkoi Kumbaro propozoi shkrirjen e Qendrës së Artit në Ministri, si dhe ndryshimin e emërtimit të TKK-së. Më pas, disa përfaqësues të teatrit, si dhe drejtues, kanë pasuar takimin përpara deputetëve në shumicë duke kundërshtuar ndryshimin e emërtimit, duke e konsideruar si ndryshim identiteti. Por kishte dhe palë që i bashkoheshin nismës së Ministrisë, si drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, ndërsa regjisori Kiço Londo duke parë rëndësinë e pranisë së “institucionit”, shprehu se do ishte më mirë emërtesa, teatri alternativ. Ky debat vazhdon të mbetet i hapur që ka më shumë në fokus konceptin e funksionimit, ku nuk kanë munguar dhe disa dilema se Teatri aktual i Komedisë dublon Teatrin Kombëtar, dhe se kundërshtia justifikon shkarkimin e drejtorit te tanishem, Kastriot Çipi. Ndonëse teatri vihet sërish në qendër të debateve përballë politikës së Ministrisë, këtë herë dallon akoma më qartë ndërhyrjen e politikës në institucionet kulturore, sado që Kumbaro është përpjekur ta shpjegojë si një çështje jashtë këtij konteksti. Por në realitet ky debat është prodhuar nga politika, si herë të tjera, duke çuar në konflikt komunitetin për shkak të krahëve nga anojnë aktorët. Të paktën nga ana e aktorëve kjo është gjëja më flagrante që nuk jep tjetër model përveçse mentalen e trashëguar nga diktatura: përdorimin nga politika. Kur të marrë fund kjo politikë, atëherë merita, aftësia dhe konkurrenca e lirë edhe pa vullnetin politik do të shtojë numrin e teatrove në kryqytet. Atëherë do jetë edhe koha kur teatri i gjallë do ngrejë perden klasike: si mund të bëhet dhe teater në liri!

Share it :