Është mbyllur me debate mbledhja e Këshillit të Mandateve teksa po diskutohej lidhur me zvarritjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
Klotilda Bushka kërkoi që të vendoset në seancën plenare të së enjtes nëse çështja për mandatin e deputetes Xhaçka do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim.
Por kjo solli edhe reagimin e kreut te grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili tha se ndër të tjera se socialistëve u duhen edhe 48 orë për të kuptuar nëse kryeministri Edi Rama ka lëshuar apo jo, ish-ministren Xhaçka.
Më herët gjatë mbledhjes Gazment Bardhi e Ervin Salianji akuzuan maxhorancën se është bërë mburojë e Olta Xhaçkës dhe kërkuan që çështja të mos zvarritet por të futet në rend të ditës në seancën e ardhshme.
Debatet:
Nikolla: Unë them ta mbyllim mbledhjen. Cështja do të çohet për votim në seancë plenare.
Bardhi: Nuk mund të talleni as me parlamentin as opozitën. U thamë ta dërgojmë në seancë plenare. Këmbëngulët që të mblidhet këshilli i mandateve. Kush është konkluzioni i kësaj mbledhjeje. Çfarë do i propozojmë seancës plenare
Nikolla: Do i propozojmë raportin që do më paraqisni brenda të mërkurës.
Bardhi: Kush është qëndrimi juaj apo nuk keni marrë akoma telefonatën nga Edi Rama çfarë do të bëni me mandatin. Për çfarë u mblodhëm sot?
Bushka: Në bazë të nenit 70 të Kushtetutës do i dërgohet raporti i këshillit të mandateve seancës plenare për të vendosur në lidhje me dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese. Do i propozojmë seancës plenare për të vendosur nëse do e cojë në Gjykatë Kushtetuese
Bardhi: Pra i duhen dhe 48 orë sa të kuptojnë e ka lëshuar apo jo Edi Rama Olta Xhaçkën





