Dorian Teliti, Këshilltar për Çështjet Ekonomike në PD, tha se Shqipëria është vendi i fundit në rajon dhe rezulton më pak tërheqësi në sytë e investitorëve të huaj.
Teliti iu referua Indeksit Glogal të Mundësive 2024, të publikuar nga Milken Institute në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas të cilit, Shqipëria renditet e fundit në rajon dhe rezulton të jetë vendi më pak tërheqës në sytë e investitorëve, apo e thënë ndryshe Shqipëria është vendi më pak i dëshiruar.
“Në vend që Shqipëria të përmirësohej në renditje të paktën krahasuar me veten e tij, raporti i Milken Institute vlerëson se Shqipëria është përkeqësuar me plot 6 vende në renditje vetëm gjatë vitit të fundit.
Vendet e tjera të rajonit janë treguar më të afta për të tërhequr vëmendjen e investitorëve të huaj dhe financimet e tyre, dhe këtë e tregon qartë edhe indeksi në fjalë, i cili ka vlerësuar se Mali i Zi renditet në vendin e 50, Maqedonia e Veriut në vendin e 54 dhe Serbia në vendin e 59.
Ndër komponentët që kanë ndikuar në këtë vlerësim ngelës të Shqipërisë në klasën ballkanike të thithjes së investimeve të huaja direkte, janë (i) komponenti i standarteve dhe politikave ndërkombëtare, (ii) shërbimet financiare dhe ai (iii) i kuadrit institucional, ku ky i fundit shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë pengesat institucionale ndaj aktivitetit të biznesit të shkaktuara shpeshherë nga performanca e dobët e administratës dhe të drejtat e cënuara të investitorëve”, tha Teliti.
Ai tha se rritja e taksave dhe ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal, procedurat e komplikuara dhe shpeshherë të pakuptueshme, kontrollet abuzive dhe pa paralajmërim, cënimi selektiv sipas dëshirës i sigurise juridike, mungesa e garës së ndershme dhe korrupsioni në sektorin publik dhe prokurime, mungesa e theksuar e konkurencës së lirë dhe të ndershme, ekonomia e madhe informale dhe fenomeni tejet i përhapur i pastrimit të parave, kanë qenë dhe mbeten edhe sot problematikat kyçe që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të ekonomisë shqiptare.
“Shqipëria dhe ekonomia jonë ka potenciale të mëdha. Duhet thjesht vullnet politik për të ndërmarrë hapat dhe vendimet e duhura, duke bërë atë që bëjnë vendet e tjera të rajonit, të cilat në qëndër vendosin interesin e qytetarëve dhe sipërmarrjes, e jo të miqve dhe shokëve të interesave të ngushta financiare.
Kjo mazhorancë dhe kjo qeveri ka patur kohë boll për të bërë punë, por jo vetëm që nuk e ngriti Shqipërinë në piedestalin që i takon, por e kanë fundosur ate në vendin e fundit të rajonit.
Ndaj zgjidhja nuk duhet parë më te qeveria e majtë në fuqi, por o sot o kurrë Shqipërisë i duhet ndryshimi politik i drejtimit të punëve.
Dhe për të siguruar një jetesë normale dhe dinjitoze, këtu në tokën tonë, për cdo shqiptar, pavarësisht moshës së tij, zgjedhjet e lira e të ndershme të zhvilluara nga një qeveri teknike është sot më shumë se kurrë një domosdoshmëri për ti dhënë vendit tonë dhe shqiptarëve atë që meritojnë”, u shpreh Teliti.




