Rusia ua ka ndaluar hyrjen mbi 200 qytetarëve amerikanë, përfshirë edhe këshilltarit të lartë politik të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe zëdhënësit të këtij institucioni, Matthew Miller. Këto veprime të Moskës janë në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura nga Uashingtoni ndaj rusëve për mbështetjen e tyre për pushtimin rus të Ukrainës.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha përmes një deklarate se 227 amerikanëve u është ndaluar hyrja në Rusi “sepse ata janë të përfshirë në hartimin, zbatimin dhe justifikimin e kursit rusofobik të administratës aktuale të Shteteve të Bashkuara si dhe janë të përfshirë drejtpërdrejtë në veprimet kundër Rusisë”.
Lista, që tashmë numëron 2.078 persona, shënjestron përfaqësuesit e Qeverisë amerikane, afaristët, gazetarët dhe akademikët, shkruan rel.
Përveç Millerit, në listë janë përfshirë edhe ish-ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, ish-sekretari i Thesarit, Lawrence Summers, zëvendëspërfaqësuesja për tregti, Sarah Bianchi dhe drejtori për çështje evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Alexander Vidman. Vidman, i lindur në Kiev, më herët kishte dëshmuar para Kongresit amerikan lidhur me abuzimin e pushtetit në gjykimin e parë të presidentit të atëhershëm, Donald Trump.




