Analisti Neritan Sejamini, duke folur për betonizimin e Tiranës prej vitit 2016, me ardhjen e Erion Veliajt në krye të bashkisë, tha se pushteti vendor ka interes që të japë sa më shumë leje ndërtimi, që të marrë të ardhurat nga taksa e ndërtimit. Por, shumica e ndërtimeve bëhen me të ardhurat që vijnë nga trafiku i drogës dhe nga korrupsioni.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Sejamini tha se ky sistem i ngritur në Tiranë, është një mekanizëm grabitje edhe nga politika.
Pjesë nga biseda
Neritan Sejamini: Këtu nuk është problem se nga vijnë paratë. Këtu gjithëkush kërkon të marrë para. Bashkisë i duhen ca para dhe thotë: po më solle mua 3 apo 7 për qind që të bëjë lulishtet dhe rrugët, nuk ka rëndësi se ku i ke gjetur, merri komshikut nëse nuk i ke, nëse nuk i ka komshiu silli me thes. Qeveria thotë: Ti e ndërton këtë? Ma bën këtë siç e dua unë projektin se ta jep të gatshëm projektin qeveria? Kemi të gjithë që duan të sigurojnë buxhetin e tyre, po e lë anën korruptive dhe burimi i të ardhurave të bashkisë së Tiranës vjen nga taksa e ndërtimit. Ajo ka interes që të japë sa më shumë leje ndërtimi.
Ola Xama: 70 milionë euro vitin e kaluar.
Neritan Sejamini: Pra 70 milionë euro vetëm nga taksa e ndërtimit në Tiranë, ndërkohë që totali i buxhetit të bashkisë së Tiranës është 110 milionë euro. Pra merr 40 milionë euro nga çdo gjë që bën dhe 70 milionë euro nga taksa e ndërtimit. Pra ne kemi faktikisht edhe pushtetin lokal që financohet nga paratë e krimit. Bashkisë së Tiranës nuk i interesojnë nga vijnë paratë, këto 70 milionë. Jemi në një situatë ku askush nuk do që të preket sistemi. A mundet banka që ta parandalojë? Po, patjetër. A mundet SPAK-u ta parandalojë? Patjetër, se i kemi në mes të Tiranës. Këta të gjithë mund t’i kapësh për evazion fiskal, minimalisht. Është një sistem i qëllimshëm ku të gjithë mundohen të grabisin. Dhe kanë gjetur një sistem ku grabitja vjen nga trafiku ndërkombëtar.



