Përtej skandalit në zyrë/ Safet Gjici në politikë, dy kompanitë e tij përfituan mbi 100 mln euro tendera

Skandale të shumta seksuale janë përfolur edhe në Shqipëri, por vetëm janë përfolur pasi asnjëherë më parë, të paktën me pamje filmike, nuk kishim parë një funksionar publik shqiptar, të dilte me video dhe me zë, të ushtronte këtë ndikim të tijin si pushtetar, për të kryer marrëdhënie seksuale në ambientet e një zyre shteti.

Kjo deri në mëngjesin e së premtes së datës 16 qershor 2023, kur një video me përmbajtje të fortë seksuale, ku shfaqej kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici, duke kryer marrëdhënie orale me një grua deri në atë moment të paidentifikuar, në zyrën e tij të punës në bashki, filloi të shpërndahej me shpejtësi nëpër telefona.

Ndërkohë në video, e pyet ku banon dhe ajo i përgjigjet në Kashar, duke e gënjyer pasi ajo prej vitesh është banore në Durrës.

Të jetë e vërtetë që kryebashkiaku nuk di se ku banon gruaja me të cilën thotë se ka lidhje? Së dyti, ajo prezantohet me emër të rremë.

Kur nënkryetari i Bashkisë e pyet për emrin, ajo thotë se është Alma Tafa, në një kohë që identiteti i saj është ndryshe. Por përtej detajeve të videos, shumë pika mbeten ende të errëta.

A veproi gruaja e vetme? Po videon kush e nxori në publik, duke publikuar me fytyrë edhe gruan?

SPAK po heton në lidhje me rastin dhe krahas pyetjes së protagonistëve, të videos dhe zyrtarëve të tjerë të Bashkisë, ka sekuestruar serverin e kamerave në Bashki, kamerat e disa bizneseve private si dhe një numër të madh dosjesh.

Por të kthehemi sërish te Safet Gjici? Si mundi ai të ngjitet në politikë? Çfarë interesash përfaqësonte?

Safet Gjici e nisi rrugëtimin e tij politikë në 2013. Nga marsi i vitit 2014 deri në maj të 2015-ës ai ka mbajtur funksionin e Prefektit të Qarkut Kukës.

Në vitin 2017 ai kandidoi për deputet, por nuk siguroi një vend në parlament.

Në vitin 2019 u zgjodh kryetar i Bashkisë së Kukësit dhe fitoi mandatin e dytë në vendoret e 14 majit 2023.

Safet Gjici erdhi nga bota e biznesit në politikë.

Në vitin 2001 ai themeloi kompanisë ‘Euro Gjici’ Security sh.p.k dhe në 2006 kompaninë e ndërtimit ‘Kevin Security’ sh.p.k.

Të dyja këto kompani i kalon në emër të vëllait, Lavdërim Gjici në 2014 kur i hyn rrugës së politikës.

Sipas një investigimi të mëparshëm të emisionit ‘Në shënjestër’ kompanitë e vëllait të Gjicit kishin përfituar miliona euro tendera nga rindërtimi.

Përgjatë 4 viteve të fundit, në total të dyja kompanitë me kontratat me institucionet vendore e qendrore, kanë përfituar mbi 100 milionë euro tendera, një tjetër aspekt që do duhet të hetohet nga SPAK. Po ashtu zotëron aksione në masën 87.5 për qind në Klubin e Futbollit të Kukësit.

Gjici deklaron pasuri të patundshme në Kukës, Tiranë e Durrës, si dhe llogari bankare.

Edhe pse Kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici, është tashmë i shkarkuar nga detyra, me firmë të kryeministrit Rama, mungesa e një reagimi të qartë nga Partia Socialiste, që e ka kaluar këtë skandal më shumë në heshtje, nuk e heq dot nga përgjegjësia politike këtë parti.

Balkanweb

 

Share it :