Tregtarët e kryeqytetit kanë zhvilluar një protestë maratonë sot para godinës së Bashkisë së Tiranës kundër taksave të reja të miratuara në ditën e fundit të vitit të shkuar për hapësirën publike, të cilat ata i cilësojnë si rrënuese për biznesin.
Në një reagim në lidhje me protestën, pasi ka shpjeguar se nuk bëhet fjalë për një rritje taksash për biznesin e vogël, por taksim për shfrytëzim të hapësirës publike nga njësitë tregtare, Veliaj lëshoi edhe një mesazh, në dukje të koduar për një ndër pjesëmarrësit në këtë protestë, i cili ka qenë një zë i zhurmshëm gjatë muajve të fundit kundër Bashkisë së Tiranës.
Ja se çfarë tha Veliaj: Sapo kam komunikuar me disa prej tyre, ata që besojnë se janë tregtarë të vërtetë. Dy drejtorë të Berishës për naftën organizojnë protestën, kështu që vjen pak era naftë dhe padrejtësi. Drejtorët e naftës së Saliut kanë trokitur në derën e gabuar.
Nëpërmjet “naftës” Veliaj i drejtohet Besjan Peshës, ish-shok tek Levizja MJAFT e dikurshme, por që u prishën dhe rrugët e tyre u ndanë.
Në fillim të vitit 2009 Besjan Pesha kaloi drejtor i Autoritetit Kombëtar të Burimeve Natyrore nën varësinë e Ministrisë së Ekonomisë, kurse Veliaj po përgatitej të katapultohej në PS pas dështimit për nxjerrë deputetë nga zgjedhjet dhe përfundimit të misionit të MJAFT.
Që prej prishjes që ndodhi në zyrat e MJAFT ata nuk e kanë honepsur më njeri-tjetrin, kurse mesazhi i sotëm i Veliajt duket se do t’i rikutojë Peshajt ditët që ka qenë në atë organizatë, por më tepër, periudhën që ka qenë në krye të një njesie tepër të rendësishme në administrimin e pasurive natyrore, si nafta, gazi, hidrocentralet apo mineralet.
Besjan Pesha është në krye të një tjetër levizje tashmë, e cila bën në mënyrë të vazhdueshme një opozitë të fortë ndaj sistemit fiskal të zgjedhur nga qeveria e majtë si edhe taksave të autoriteteve lokale, siç është edhe Bashkia e Tiranës.
Nuk dihet nëse kjo deklaratë ka të bëjë me një paralajmërim ndaj ish-shokut të tij apo thjesht me një rikujtesë se ai ka qenë drejtor në qeverinë e Berishës, megjithatë mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i Peshajt pas kësaj deklarate të koduar të Veliajt në drejtim të tij.




