Propozimi i Vlora Hysenit nga kryeministri Rama për drejtore të SHISH shkaktoi reagime nga opozita.
Kjo pasi e njëjta ishte shkarkuar nga Presidenti dhe kryeministri i Kosovës si zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në qershor të 2021 për rrjedhje informacionesh.
Gent Strazimiri në një intervistë për Rtv Ora tha se nëse ajo nuk ka kaluar filtrin e Kosovës nuk mund të kalojë as filtrin e Shqipërisë.
Strazimiri: Me çfarë kam lexuar në media, përveç rrjedhjes së informacionit, një sjellje totalisht joprofesionale, është dhe për lidhjen me persona të papërshtatshëm që i përkasin shtetit serb. Nëse nuk e ka kaluar filtrin e Kosovës nuk mund të kaklojë as filtrin e Shqipërisë. Interesat shtetërore janë të njëjta, kanë të njëjtit armiq, aleatë, të njëjtën dëshirë dhe prosperitet për të shkuar në BE. Nuk e kemi luksin të mos kordinojmë me Kosovën për politikat e sigurisë për personat që do duhet të menaxhojnë politikat e sigurisë. Është krejtësisht i papërgjegjshëm. Po flasim për sigurinë kombëtare.
Strazimiri komentoi edhe arrestimin e kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla dhe marrjen në pyetje nga SPAK të kryebashkiakut të Krujës Artur Bushi dhe ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako.
Strazimiri: Cilido prej atyre që po thirren apo do të thirren në SPAK janë emërtesa të Edi Ramës. Pyetja që duhet ti japë përgjigje SPAK është: Cili është personi që ka pasur fuqinë të mbledhë 17 herë qeverinë brenda 48 orëve të firmosë 17 VKM për vjedhjen më të madhe të shekullit që janë incineratorët.





