Reforma për Drejtësi është kryefjala e çdo takimi që mbahet mes ambasadorëve të ndryshëm në vendin tonë dhe drejtuesve të institucioneve shtetërore dhe atyre të drejtësisë. Gjatë ditës së djeshme Ambasadori i SHBA Donald Lu , e Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, Kreu i Misionit Euralius IV Ranier Deville si dhe Drejtuesi i Misionit OPDAT Z. Jon Smibert, shvilluan një takim me Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Zhezair Zaganjori dhe anëtarë të trupave gjyqësore. Objekt i këtij takimi ishte Reforma në Drejtësi dhe zhvillimet e pritshme. Në të u theksua rëndësia e nevojës për reformë dhe u shpreh gatishmëria e komunitetit të gjyqtarëve për të bashkëpunuar në implementimin e saj. Nga të pranishmit u ra dakord që reforma në thelb duhet të ketë forcimin real të pavarësisë së sistemit gjyqësor, rritjes së efektivitetit dhe performancës së tij, luftës kundër fenomeneve negative, veçanërisht kundër korrupsionit, etj. Gjatë diskutimeve, u theksua se ekzistojnë probleme serioze që kanë të bëjnë me cilësinë e vendimeve, kushtet e punës, zvarritja e proceseve gjyqësore, niveli i ulët i besimit të publikut te drejtësia, disiplina dhe etika profesionale, etj. U tha gjithashtu se guhet të jenë pikërisht këto fenomene që kjo reformë duhet të adresojë dhe korrigjojë duke mbajtur parasysh respektimin e standardeve ndërkombëtare në fushën e drejtësisë. Gjyqtarët vunë në dukje se suksesi i kësaj reforme lidhet me nevojën për gjithëpërfshirje dhe një konsensus sa më të gjërë, në mënyrë që ajo të prodhojë rezultatë pozitive, të jetë e qëndrueshme në kohë dhe efektive. Pjesëmarrësit në këtë tryezë shkëmbyen ide dhe paraqitën opinione për aspekte të veçanta që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese si dhe implementimin e tyre në të ardhmen, nëpërmjet legjislacionit zbatues që do të miratohet mbi bazën e këtyre amendamenteve. Gjthashtu edhe të ftuarit sqaruan efektet përmirësuese që priten të arrihen nga kjo reformë duke paraqitur vizionin e tyre, si dhe duke siguruar vullnetin e tyre të palëkundur dhe asistencën e vazhdueshme për realizimin me sukses saj.




