Deputeti Armand Prenga sqaroi dje pozicionin e tij pas akuzave të opozitës. “Është lajthitje e opozitës që kërkon që unë të mos bëj detyrën time si deputet. Në një kohë që Xhelal Mziu, kryetar i Bashkisë së Kamzës ushtron detyrën e tij, pavarësisht se ka një vendim gjykate që e ka dënuar atë. Për mua ende nuk ka një vendim gjykate. Çështja është në proçes dhe duhet të presim vendimin e Gjykatës. Por kjo që po bën opozita, është njësoj sikur një kryetar partie të mazhorancës të kërkojë bllokimin e punës në të gjitha bashkitë e vendit se Xhelal Mziu është ende në detyrë edhe pse ka një vendim gjykate për të”, tha Prenga për TCH. Prenga shtoi se opozita po e identifikon atë më kot si deputet të Partisë Socialiste, në një kohë që ai është përjashtuar nga ky grupim dhe tashmë është një deputet i pavarur. Partia Socialiste gjithashtu ka deklaruar se Armand Prenga nuk është më pjesë e grupit parlamentar të saj. “Në janar të 2016, Prenga nuk figuron më si anëtar i grupit parlamentar socialist, në bazë të vetëdeklarimit të çdo deputeti për përkatësinë në grupimet parlamentare” – sqaroi PS.




