Kushtet e PD/“Do pamundësojmë funksionimin e Parlamentit”, Basha: Prenga të ikë nga Kuvendi, miratim dekriminalizimit

 

Lideri i opozitës deklaroi pas mbledhjes së grupit parlamentar, se pasiguria publike, si dhe parametrat e varfërimit të skajshëm, vijnë si rezultat i vjedhjes së përditshme nga Edi Rama

Sava Sota

Pas mbledhjes së grupit parlamentar i cili u zhvillua me dyer të mbyllura në selinë blu, lideri i opozitës, i pyetur nga gazetarët se ëfarë u vendos për aksionin opozitar, nënvizoi se gjendja në vend po përkeqësohet. Sipas kreut  të demokratëve, parametrat e varfërimit të skajshëm që vjen nga vjedhja e  përditshme e Ramës me oligarkët dhe ministrat e tij të korruptuar, janë shkaqet që Shqipëria po zhbëhet. “Parametrat e pasigurisë publike si rezultat i bashkëjetesës së krimit të organizuar me Edi Ramën dhe qeverinë e tij, parametrat e varfërimit të skajshëm si rezultat i vjedhjes së përditshme nga Edi Rama me oligarkët dhe ministrat e tij të korruptuar, parametrat e rëna të demokracisë si rezultat i arbitraritetit dhe shkeljes së Kushtetutës dhe ligjit nga Edi Rama dhe skota e tij, po e zhbëjnë Shqipërinë, Shqipërinë që duam, Shqipërinë demokratike, Shqipërinë e shtetit ligjor” – deklaroi Lulzim Basha, ndërsa tha se kryeministri i vendit po e kthen vendin me një shpejtësi në parametrat e një regjimi aparteidi ku në krye qëndron Rama, i cili, sipas qëndrimit të kryedemokratit, ka strehuar në anën e kupolës së tij kriminelët si Armando Prenga. “Njeriu që botërisht dihet se plagosi, derdhi gjak qytetarësh të pafajshëm në Komisariatin e Laçit dhe për këtë në vend që të mbahet në burg, të gjykohet, rikthehet në Parlament nga Edi Rama. Pra, po ndodh kriminalizimi i shpejtë i PS-së, kthimi me parametra të shpejtë të saj nga një familje politike në një klan kriminal që drejtohet nga Edi Rama” – nënvizoi lideri i opozitës, ku më tej shtoi se këto janë zhvillime të cilat thërrasin për një gjykim dhe aksion mbarëpopullor i cili nuk mund të kufizohet vetëm tek PD dhe vetëm tek opozita. “Siç e kam thënë edhe më përpara, unë kam besim të madh që ndonëse nga njëra anë arbitrariteti, krimi, vjedhja shtohen, nga ana tjetër banda e Edi Ramës është më e izoluar se kurrë” – deklaroi Basha, ku tha se Rama me bashkëpunëtorët e tij, nuk punojnë për Shqipërinë, për demokracinë, dhe për qytetarët. Po ashtu, lideri i Partisë Demokratike, bëri me dije se përballja me regjimin e kryeministrit Rama, do të nisë të enjten me një sërë kushtesh. “Përballja me këtë regjim është dhe do të jetë e gjithanshme. Përballja në Parlament me këtë regjim do të nisë të enjten me një sërë kushtesh, mosplotësimi të cilave do të çojë në masat e grupit parlamentar për të pamundësuar funksionimin normal të Parlamentit. Dhe këto kushte janë ato që janë pjesë e marrëveshjes së 24 dhjetorit 2014, marrëveshje e cila sot është dhunuar në të gjitha format e veta: Largimi i Armando Prengës; miratimi të enjten i vendimit që fut në fuqi ligjin për dekriminalizimin, miratimin të enjten, pas shqyrtimit në Komisionin e Mandateve dhe Rregullores, të largimit nga Parlamenti i Shqipërisë i Koço Kokëdhimës, Valentina Leskaj, Rakip Sulit të cilët në kundërshtim me Kushtetutën kanë konsumuar paratë e publikut shqiptar, pasurinë publike ndërkohë që janë vetë deputetë; pamundësimi i mazhorancës për të penguar punën e komisioneve hetimore parlamentare siç ka bërë deri më sot, duke tërhequr kuorumin dhe efektivisht duke i kthyer këto komisione në komisione pa vlerë sepse puna nuk mund të vazhdojë dhe nuk është e ligjëruar në mungesë të përfaqësuesve të maxhorancës” – vuri theksin kryeopozitari Basha, i cili më pas shtoi se thelbi është dekriminalizimi, gërma e ligjit dhe shpirti i ligjit të dekriminalizimit. Në këtë kontekst, Basha tha se për sa kohë që simbolet e dekriminalizimit siç është Armando Prenga në të kaluarën e tij dhe siç është ai sot simbol i kriminalizimit, i deputetit që qëllon dhe gjakos me armë pa leje në derë të komisariatit, sipas tij, e kanë rrugën e hapur për atë që quhet Kuvend i Shqipërisë, dhe se ky institucion dhe kjo foltore nuk do të funksionojnë normalisht. “Kjo kërkon një mobilizim të madh qytetar të gjithë atyre që e ndjejnë se janë jashtë kupolës, se janë nën arbitraritetin e vazhdueshëm dhe nën goditjen e vazhdueshme të këtij regjimi. Ndërsa pyetjes se nëse  ka pengesë teknike për shkak se Meta është në një vizitë zyrtare jashtë vendit Basha tha se kjo nuk ka asnjë pengesë. “Kjo është çështje e vullnetit politik. Nëse ka vullnet politik kjo zgjidhet. Nëse nuk ka do të përballen me opozitën në Parlament dhe kudo tjetër” – deklaroi lideri i Partisë Demokratike.

Share it :