Rama: Ata që sulmojnë për punësimin janë gjynahqarë. Blushi: PS nuk më fton në asnjë takim, fajin për gjendjen aktuale nuk e ka populli, por qeveria
Gëzim Saliu
Debati i brendshëm në Partinë Socialiste mes kreut të kësaj force Edi Rama dhe deputetit Ben Blushi krahas qendrës po shpërndahet edhe në rrethe. Si kryeministri Rama ashtu edhe ligjvënësi socialisti Blushi ishin dje në Korçës, ku i pari mori pjesë në aktivitetin e PS në të cilën e ndanë kartat e anëtarësisë e ndërsa i dyti vazhdoi turin e nisur më parë në Kukës duke bashkëbiseduar me qytetarët për problemet aktuale. Në të dy këto takime, si kryesocialisti ashtu edhe deputeti nuk nguruan të përcjellin kritikat për njëri-tjetrin, ku rrezja e Ramës ishte dukshëm më e gjerë pasi përfshinte edhe opozitën. “Gjynafqarët që na sulmojnë përditë dhe që gjejnë në çdo përpjekje e nismë, në çdo vendim e punë arsye për të na përbaltur, rrudhin buzët edhe përpiqen të thonë se në Shqipëri ka më shumë të papunë se ç’kishte 2 vjet e gjysmë më parë. Fakti është që në Shqipëri ka 63 ca mijë njerëz qe punojnë jo në të zezë, që marrin rroga dhe që paguajnë taksa. Jam i bindur që edhe këtë vit ne do të vazhdojmë të rrisim punësimin real, dhe atyre që thonë s’keni bërë asgjë, thjesht dhe vetëm janë ca njerëz që punojnë në të zezë, ne do të themi që jemi krenar që kemi nxjerrë nga skllavëria nëna dhe motra, vëllezër e baballarë, burra e gra që deri dje merrnin një rrogë për të mbajtur frymën gjallë dhe nuk kishin sigurime shoqërore”- tha Rama. Më tej kryeministri tha se PS është e vetmja forcë që do ta çojë vendin në drejtimin e duhur, ndërsa nënvizoi se në këto dy vite e gjysmë, ndryshimet kanë qenë më të mëdha sesa në 23 vite bashkë. “Po sikur të gjithë këto reforma që ne kemi ndërmarrë, të ishin ndërmarrë 20, 15 apo 10 vjet përpara, sa më ndryshe do ishte Korça dhe sa më ndryshe do ishte e gjithë Shqipëria. Kemi bërë aq sa mjafton për çdo njeri të arsyeshëm dhe që e do këtë vend, për të kuptuar se ne jemi e vetmja fuqi që mund ta ndryshojë dhe ta çojë Shqipërinë në drejtimin e duhur. Kështu që, meqë disa u mërzitën që unë e shkrova, tani po e them edhe me zë: “Qentë le të lehin, karvani do të eci përpara!”. Ndërkaq kreu i qeverisë tha se pavarësisht se nuk është arritur maksimumi, angazhimi i mazhorancës për të sjellë ndryshim do të vijojë për sa kohë ka njerëz që janë ende të papunë. “Dikush mund të thotë mos të duket vetja se keni bërë çudi. Nuk kemi bërë çudi po kemi bërë diçka që të tjerët nuk e bënë 20 e kusur vjet me radhë. Nëse dikujt i dukem i kënaqur me ato që them. Do të siguroj se për sa kohë jam në këtë detyrë do ketë njerëz të palumtur, do jenë papunë, do kenë halle dhe për sa kohë të ketë të tillë unë nuk do jem i kënaqur nga detyra ime dhe e qeverisë sonë”, – deklaroi ai.
Ben Blushi
Ndërkohë po dje në Korçë Ben Blushi u takua me mbështetës të tij në atë që ai e quajti si “një bisedë për Shqipërinë”. “Nuk kam ardhur për miting, por për një bisedë mes miqsh”, tha Blushi. Deputeti socialist theksoi se ky nuk është vendi që meritojnë shqiptarët pas sipas tij, Shqipëria ka nevojë për shpresë për t’u rregulluar. “Fajin nuk e ka populli për gjendjen sot, por qeveria. Qeveria thotë ka punë, por shqiptarët janë dembelë. Unë nuk mund të pranoj këtë, duhet të reagojmë. Ky nuk është vendi që meritojmë. Jemi në mes të Evropës, i kemi të gjitha mundësitë. Nuk kam qëllim të ndaj partinë ku jam. Nuk më ftuan tek takimi i Ramës. Jam deputet i Elbasanit, por mua s’më ftuan. Nuk më ftojnë më. Me thonë s’ke të drejtë të zgjidhesh, unë s’kam hyrë në biznes privat dhe kjo parti është kthyer në një e tillë”, deklaroi Blushi. Në takimin e djeshëm në Korçë, deputeti socialist ndau edhe pikat kryesore të platformës së tij për kryetar të PS-së, ku tha se nëse do të lejohet që të shpalosë platformën e tij në Kongresin e 19 Marsit se si mund të drejtohet më mirë PS-së ai do të kërkojë dekriminalizim të partisë, të financave të saj, kufizim të hyrjes së biznesmenëve të mëdhenj, referendum për çështje madhore, etj.
Rama: Korça nuk ka vetëm kërnacka, por ka edhe pjeshka
Duke folur lidhur me investimet për Korçën, Rama tha dje se këtë vit do ndërtohet “qyteti i fëmijëve” i cili sipas tij ka dhënë fryte të dukshme që reflektohen në rritjen e numrit të turistëve. “Korça është bërë destinacion për shumë shqiptarë nga të gjitha anët e Shqipërisë, për çdo fundjavë. Ndryshimi që do të përjetoni në vitin që vjen, në vitet e tjera të Partisë Socialiste do të jetë edhe më i madh. Me PS në qeveri për Korçën është investuar nga Tirana më shuam se në 20 vjet të marra së bashku. Sa më shumë vizitorë t’i vinë Korçës aq më shumë kërnacka do shesin korçarët. Ka dhe pjeshka thotë Zamira…e di se Korça s’ka vetëm kërnacka. Korça është bërë një pikë tërheqëse për të gjitha llojet e produkteve”, – theksoi Rama. Më tej kryeministri tha se qeveria e kaluar jepte 2 milionë dollarë në kohën e Niko Peleshit për 8 vjet bashkë. “Me 3.2 mln $ do të bëjmë shpronësimin e pjesës private të stadiumit ku do të ndërtohet qyteti i fëmijëve, pastaj vijojmë me projektin e parkut sportiv olimpik të Korçës”,pohoi Rama duke shtuar se brenda pak javësh do fillojë programi i ujitjes dhe kullimit ku do përfitojnë fermerët e bashkisë së Korçës, Maliqit.
Kartat e anëtarësimi
Mësuesi që foli hapur: Në punë jam falë PS-së. Rama e justifikon: Nuk është ashtu si kujtoni
Një mësues i ri në Korçē, teksa mori kartën e anëtarësimit në Partinë Socialistë, në prani edhe të kryministrit Rama, u tregua më i sinqertë se sa duhej.“Jam Mateo Zguro, jam mësues prej një viti falë Partisë Socialiste”, tha i riu. Pas ovacioneve në sallë ai u shpreh: “E mo çfarë thashë?! Partia Socialiste thashë!” Pas kësaj ndërhyri edhe kreu i qeverisë i cili me sportivitet pohoi,: “Dëgjojeni deri në fund se nuk është ashtu si kujtoni”.




