Importet e zarzavateve u rritën në mënyrë të pazakontë këtë vit, ndryshe nga të gjitha grupet e tjera të importit duke përfshirë edhe ushqimet.
Kriza e çmimeve të larta pas luftës në Ukrainë ka ndikuar negativisht importet e përgjithshme të mallrave në sasi, të cilat këtë vit kanë shënuar ulje, përveç zarzavateve.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se sasia e importeve totale shënoi rënie vjetore me 5.8% në janar-shtator. Edhe ushqimet si një nga grupet kryesore të artikujve të importit u reduktuan me 2.7% në sasi përveç zarzavateve, importet e të cilave janë rritur me rreth 40%, ritmi më i lartë i rritjes që nga viti 2006 (shih grafikun bashkëngjitur).
Gjatë 9 mujorit janë importuar mbi 34 mijë tonë zarzavate ose 43.7% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Nga 99 grupet kryesore të mallrave, zarzavatet rezultuan me rritjen më të madhe të importeve duke shënuar rekord historik, në një kohë që klima e vendit tonë siguron mbjellje me dy sezone qarqet me bujqësi intensive në vend (Berat, Lushnjë, Fier, Divjakë).
Prodhuesit në zonën e Fierit dhe Beratit e shpjeguan këtë ecuri të importeve me reduktimin e prodhimit vendas, sidomos në sera. Shumica e prodhimit në serat shqiptare ka kontrata me eksportuesit dhe e dorëzojnë mallin në magazinat e tyre.
Eksportet e zarzavateve në të njëjtën periudhe janë rritur me 7 për qind. Kjo rritje është nxitur nga investimet e mëdha të grumbulluesve në magazina frigoriferike dhe në zinxhirët e eksportit dhe rritja e kërkesës nga jashtë këtë vit. Eksportet në rritje me një prodhim në rënie kanë nxitur importet e zarzavateve të cilat këtë vit arritën kulmin, duke zëvendësuar mungesat në tregun e brendshëm të prodhimit vendas.
Të dhënat mujore të importeve të zarzavateve 2022 të krahasuara me vitin 2021 tregojnë se muajt e pranverës janar, shkurt dhe mars importet e zarzavateve janë rritur më shume. Në muajt e parë të vitit 2022 fermerët shqiptarë hezituan të mbillnin në sezonin e parë për shkak të humbjeve që pësuan me mbjelljet e vitit 2021.
Më vonë pas luftës në Ukrainë e cila i rriti ndjeshëm edhe kostot edhe çmimet e zarzavateve, fermerët rriten mbjelljet në fillim të verës, por gjithsesi importet mbetën të larta edhe nga qershori në shtator.




