Kandidati në Primaret e PD për Bashkinë Tiranë, Gerti Bogdani, i ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën në Syri Tv deklaroi se platformën e tij për kryeqytetin e ka gati ndërsa shtoi se çdo gjë e sheh me sy kritik se çfarë duhet rregulluar.
“Në njësinë 10 njerëzit më njohin si një njeri që e ndryshoi njësinë 10 me aq pak sa kishim në dorë. Vendosëm disa standarde dhe kulturë pune që u kthye standard, e treguan rezultatet e mëpasshme.
Angazhuam të gjithë komunitetet, të gjithë duhen respektuar. Uroj që njerëzit të më njohin për mirë. Në Tiranë e shoh çdo gjë me sy kritik. Platformën time për Tiranën e kam gati edhe në këtë moment që flasim.”-tha Bogdani.
Gerti Bogdani tha se situata është shumë pranë pikës së moskthimit ndërsa u shpreh se zgjedhjet e vitit 2023 janë shumë të rëndësishme.
“Ka ende shpresë që Tirana të bëhet. Duhet një vullnet i mirë dhe dikush që e do këtë qytet, një njeri që i dhimbset ky qytet, një njeri që ka punuar me qytetin, që e njeh në çdo pëllëmbë, dhe një njeri që do ta bëjë të jetueshme Tiranën në çdo cep të saj.”-deklaroi Bogdani.
Gerti Bogdani u shpreh se Erion Veliaj është një klloun Instagrami ndërsa shtoi se pasi të fitojnë zgjedhjet e 14 majit 2023 do të zgjidhin hallet e qytetarëve dhe nuk do të bëjnë si kryebashkiaku aktual.
“Veliaj në vend që të mbjellë vërtetë pemë, mbjell pallate. Propagandë, rrjete sociale, ndërkohë njerëzit në Tiranë jetojnë në realitet dhe Tirana ka probleme. Pas 14 majit do ta kalojmë punën reale nga një virtualitet, nga zyrë shtypi me 30 kameramanë, do e kalojmë në terren duke zgjidhur hallet e banorëve të Tiranës.“-tha Bogdani.





