Dr. Ndriçim Mehmeti
Që të dyja bashke shkojnë. Aty ku ka mjerim nuk arsimi dhe anasjelltas aty ku nuk ka arsim nuk ka begati, por mjerim. Mjerimi shqiptar, për fat të keq është i gjithanshëm; Shpirtëror, ekonomik, institucional, infrastrukturor, shëndetësor, mungesë respekti për mjedisin e me radhë. Në një vend ku prindërit nuk dinë ku ta përplasin kokën, për të gjetur mundësinë për të ushqyer fëmijët, vështirë se do të gjesh arritje të larta në arsim. Në një vend ku kryeministri, i tij, ngre gishtin dhe i bënë gjithë të rinjtë dembel e të pazot, vështirë se mund të gjesh dashuri, pasion, respekt, për arsimin. Në një vend ku fëmijët nuk kanë bukë të hanë vështirë, vijnë të lagur e nuk kanë ku të thahen, ikin me vrap nga shkolla dhe varin në kurriz një çantë të mbushur me stilolapsa, çakmak, fazoleta e paketa, për të nxjerrë ndonjë lek as që bëhet fjalë për arsim.
A e kemi pranuan mjerimin si fatin tonë?
Kam frikë se po. Rrugëve, kafeneve të zymta, pak prej kohës e pak prej fytyrave të ngrysura, dëgjon psherëtima të thela, të dala me ofshamë nga kraharori që thonë: “Ky qe fati ynë të vuajtën të parët, të vuajmë dhe ne”; “Mjerë ne ku po i rrisim fëmijët”; “Ishalla e bën Zoti mirë se po të jetë për dhe qeverinë, do të vdesim nga uria”. Por nuk janë vetëm këto përshtypje që i merr nga kafenetë në qendër të Tiranës, e jo në ndonjë fshat të humbur. Ne kemi pranuar fatin tonë, që kur prindërit kanë frikë të ankohen për mësuesit, se ky i mban inat fëmijës, mësuesi nuk ankohet dot jo për Ministrisë së Arsimit, jo e jo, por as për drejtorin e Drejtorisë Arsimore, por as ndaj drejtorit të shkollës së tij se e flakin në rrugë, nxënësit nuk dinë përse të ankohen, maturantët janë të hutuar nga një bombardim lajmesh, heshtje pastaj lajme pa kuptuar asgjë, për të ardhmen e tyre. Por asnjëri nuk pipëtin. Mbase nga ideja se shqiptarët, besojnë se “i madhi do të verë dorën në zemër për ta, e t’i ndihmoj për hallin që ka”. Ka të tjerë që mendojnë se i madhi i di ca gjëra, por të vegjlit aty poshtë ja trazojnë ujin që vjen i kulluar. Të tjerë mendojnë: “Edhe po të flas kush do të na dëgjoj e do të na i vari neve?” Ne pranuam mjerimin si fatin tonë, që kur fëmijët ja besuam njerëzve pa shkollë që drejtojnë arsimin si në Lushnjë, kur në mes të Tiranës, vendosëm në krye të një shkolle me traditë drejtues që ishin shquar në fushën e humorit, apo që ishin ende të proces gjyqësor për falsifikim dokumentesh. Ne e pranuam mjerimin si fatin tonë kur hodhëm në rrugë mësuesit e matematikës, i denigruam i degdisëm larg e më larg që të lenë punën dhe më pas ankohemi për analfabetizëm funksional. Ne e pranuam mjerimin si fatin tonë, kur mësuesit u morën, si bagëti, e u çuan në testime, ku gjetën rastin të talleshin me ta, kokat e arsimit në rrethe dhe në Tiranë. Ne e pranuam mjerimin si, fatin tonë kur sindikata të rrahura si qeni në shi, shkuan e firmosën kontratën kolektive të punës, që skadon më 31 maj 2017. Dhe të mos harrojmë një fakt mjerimi shpirtëror është shumë më i rëndë se ai ekonomik. Ndodh që nga mjerimi ekonomik të dalësh në pak vite, por nga ai shpirtëror do të duhen dekada e ndoshta shekuj. A mos është mjerimi që na ndëshkon më shumë se fati, apo fati na ndëshkon në mjerim, skamje dhe pamundësi për të menduar se jeta dhe fati ndryshohen nga mendësitë dhe qëndrimet tona? Ndoshta kësaj analize, nuk i hyn kush, nuk do t’i hyj kurrkush dhe nuk ka leverdi ndokush që ta bëjë.
A do ta mund arsimi, mjerimin dhe të shpresojmë që drita e diturisë përpara të na çoj, apo do të degdisemi në honet e historisë
Arsimi do të ishte zgjidhja më e mirë për t’i dhënë fund kësaj agonie. Në mos për t’u dhënë fund shuam halleve që kemi nëpër këmbë, së paku do të kishte mundësinë të çelte një tjetër dritare, nga ku njerëzit do të shihnin një tjetër pamje, larg pesimizmit dhe skepticizmit aktual Por arsimi i është futur një rruge, ku mungon dëshira, kuraja, vizioni, pasioni dhe shfrytëzimi i mundësive të jashtëzakonshme që gjenden ende në këtë vend. Arsimi shikohet si një lëmi, ku ke mundësi të futësh dorën në thesin pafund, me lek, dollar e euro të shtetit, e tërheqësh ca si shumë. Arsimi është sektori, ku ligjin për punësimin e 35 mijë e kusur njerëzve e ka shteti dhe më saktë pushteti. Arsimi është vendi që ta ndërron benzin e vjetër me fuoristardë, të çon tek stilisti për fustane njëherë në javë, ku kreh më shpesh flokët, blen ndonjë parfum të shtrenjtë, që të heqësh erën e trupit të palarë prej jave. Arsimi të bën me zyra të reja, me telefon të fjalës së fundit, të çon nga njëri shtet në tjetrin, nga njëra ndeshje në tjetrën, evropian, botëror qoftë, kjo pak rëndësi ka. Të drejtosh arsimin në këtë kohë, të jepet mundësia që të gënjesh sy për sy dhe pa t’u dridhur buza e skuqur faqja. Po një gjë nuk del ende në pah: Shpresa e prindërve, të rinjve, mësuesve, pedagogëve se arsimi, mund të dhe duhet të na çeli një tjetër rrugë zhvillimi. Prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre, të mos i zgjidhin problemet mes tyre, me grushte, leva, thyerje e sharje, përdorim thikash e kaçavidash, pistoletash e automatikësh në mjediset e shkollës. Prindërit nuk duna që të dëgjojnë zilen e telefonit, e dikush t’iu thotë se duhet të paraqiten në repartin e toksikologjisë, pasi fëmija ka përdorur lëndë narkotike. Nxënësit duan më shumë hapësirë, për veprimtaritë në shërbim të tyre, më shumë hapësirë për mendimin tyre kritik, më shumë terrene sportive, aktivitete, që largojnë rininë nga droga, alkooli, dhuna etj. Nxënësit duan të dinë se cila është e ardhmja e tyre, sa kujdeset shteti për perspektivën e tyre, sa mundësi kanë ata të integrohen në jetën ekonomike, shoqërore dhe politike. Ata nuk mund të veçohen në ekselent që ju jep teserën partia në pushtet dhe në pjesën tjetër, që duhet të vihet në shërbim të ekselentëve, për të pasur sukses. Mësuesit duan të dinë nëse rrogat e tyre do të ngrihen, mosha e pensionit do të ulet, dinjiteti i tyre të mos nëpërkëmbet nga komisarët politikë të emëruar në drejtim të institucioneve shkollore. Pedagogët, kërkojnë që pushteti të dëgjojë më shumë mendimin e tyre, t’i pyes përpara se të vendosi për ta, të garantojë një pagë dinjitoze, së paku sa homologët e tyre në Kosovë, të ketë respekt për punën e tyre, të mos i quajnë të gjithë hajdutë dhe njerëz që vrapojnë pas parasë.
Nëse kemi një kryeministër që ka harruar kohën kur ishte pedagog dhe fillon tallet me profesorët, që ja kanë kushtuar jetën e tyre arsimit dhe edukimit të brezave të tërë, nëse kemi një ministre, që bën sikur i dëgjon, e flet më shumë se sa di dhe njeh nga arsimi, nëse kemi zyrtarë që mbi ligjin kanë fjalën e të madhit, nëse vendosim në drejtim të arsimit njerëz, që nuk kanë asnjë lidhje me këtë sektor, është e papranueshme që gjithë fajin t’ia ngarkojmë fatit. Heqja e gurëve të themelit ndërtesës së arsimit, që nuk është se ka qenë godina ku nuk frynte erë e pikonte çatia, do të na bjerë në kokë të gjithëve. Kur të kujtohemi se fatin e kemi në dorë vet do të jetë vonë. Kur të mendojmë seriozisht se arsimi, është arma për një popull të vogël si i yni të mposhti varfërinë e të konkurrojë me sukses në rajon, do të jemi në fund të greminës, ku ngjitja është e lodhshme dhe e mundimshme sa një jetë. Nga drita e diturisë që rilindësit e shek. XIX, e propaganduan, investuan, punuan luftuan e lanë kokën, ne pasardhësit e tyre, që mbahemi më të mençur e më të kulturuar, po e vendosim paditurinë, në shërbim të mirë kriminalizimit të shoqërisë, të degjenerimit moral të saj, të korrupsionit, të partive politike që ndajnë vendet e drejtuesve dhe mësuesve, sikur janë në pronën e vet. Nëse misioni i arsimit po i drejtohet honeve të historisë, për fat të keq nuk shpëtohet dot nga shoqëria jonë, që është bërë një spektatore e heshtur dhe pa asnjë interes, për të njohur fundin e saj të hidhur.




