Partia Demokratike është e vendosur për të audituar skandalin e lobimit të ish-Kryetarit Lulzim Basha me donacione me origjinë ruse. Burime nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike sot thanë për Syri TV se do të ngrihet një grup auditimi për financimin rus dhe kryetare e grupit të auditimit do të jetë znj. Ledina Mandia, Sekretare për Transparencën.
Vetëm tre ditë më parë, më 23 shtator, Kryetari i PD-së, Sali Berisha, e theksoi në konferencën e shtypit se “auditi i PD-së do të fillojë punë shumë shpejt” lidhur me origjinën ruse të financimit të Bashës.
Auditi do të fillojë shpejt punën. Unë u shpjegova se kanë marrë çdo gjë me vete. Edhe hard disqet edhe çdo gjë. Pavarësisht kësaj, ne do bëjmë punën. Ajo që kam unë, dëshmi dhe dokument, nga hetimi i prokurorisë dhe dëshmitë që kanë dhënë Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, del se asnjë qindarkë nuk ka hyrë dhe ka dalë në arkën e PD.
Në këtë kontekst, unë e quaj veprim të papërgjegjshëm personal të Lulzim Bashës. Se i tillë është. Ne do bëjmë të pamundurën për atë që hetim që mund të bëjmë. Tjetrën natyrisht e bllokon Edi Rama,” tha Berisha.
Mos harroni deklaratën që bëri Edi Rama se ai e dinte që paratë e Lulzim Bashës ishin ruse. Po nëse e dije, si ndërhyre në gjykatë ti për ta nxjerrë të pafajshëm? Nga kush e mori urdhrin ky? Edhe sot i them Lul Bashës: mos kujto se mbyllet ky problem. Do dalësh të deklarosh dhe t’u thuash shqiptarëve që tani se ka një raport me të dhëna konkrete për mbledhjen e fondeve, mos mendoni se kalohet me mbrojtjen që i bën Edi Rama”, nënvizoi Berisha të premten.




