Lideri historik i PD, Sali Berisha deklaroi gjatë një lidhje direkte për ‘Opinion’ se Lulzim Basha do të shkarkohet nga kryetar i PD nga Kuvendi Kombëtar në 11 dhjetor.
I pyetur se çfarë do të bëjë Berisha nëse Lulzim Basha nuk i njeh vendimet e 11 dhjetorit, Berisha tha se ata që vendosin janë 5100 delegatët që kanë firmosur për Kuvendin.
Berisha tha gjithashtu se pas 4 humbjeve të Lulzim Bashës, ai kishte vendosur të niste lëvizjen brenda PD, edhe nëse nuk do të ishte përjashtuar nga grupi parlamentar i PD.
Blendi Fevziu: Po nëse Lulzim Basha nuk njeh vendimet?
Sali Berisha: Lulzim Basha pushon së qeni kryetar i PD pas votimit të Kuvendit Kombëtar, në datën 11 dhjetor. Veprimet e ligjshme statutore të PD për rivendosjen e pluralizmit dhe opozitës së vërtetë në Shqipëri nuk mund t’i injorojë askush. Të gjithë delegatët në formularin që kanë firmosur kanë patur të paraqitur edhe qëndrimin ndaj Lulzim Bashës. Pra, shkarkimi i tij është firmosur nga 5 mijë e 100 delegatë. Nëse ky Kuvend mbahet në stadium, kjo sepse në mënyrën më absurde Lulzim Basha zmadhoi Kuvendin në 7 herë më të madh se sa Kuvendin e CDU-së gjermane dhe po kaq herë më të madh se Kuvendin e Partisë Popullore të Kinës. Ne detyrohemi të mblidhemi në stadium për hir të transparencës. Dhe një problem i dytë është COVID. Salla e Kongreseve ze 2200 vetë dhe nëse ulemi një po, një jo, aty nuk merr më shumë se 1100 delegatë. Kuvendet që ka bërë Lulzim Basha në atë sallë kanë qenë fiktive.




