Këshilli i Rregullimit të Territorit, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka betonizuar vijën bregdetare duke dhënë për vitin 2021, 64 leje ndërtimi për resorte, hotele e fshatra turistikë. Vetëm për bashkinë Himarë janë dhënë 40 leje, e ndjekur më pas nga Durrësi e Kavaja. Pak kohë më parë qeveria dorëzoi në parlament një nismë ligjore për “Menaxhimin e Integruar të zonës bregdetare”, për investime strategjike, por duket se vetë kryeministri është treguar dorëlëshuar me leje ndërtimi të copëzuara në të gjithë vijën bregdetare
Gjatë vitit 2021, Këshilli i Rregullimit të Territorit ka dhënë 64 leje ndërtimi për resorte, hotele e fshatra turistikë në zonën bregdetare, duke e betonizuar të gjithë Rivierën Shqiptare nga Velipoja në Veri e deri në Sarandë, në Jug.
Goro qëndroi i heshtur para kryetarit të Partisë së tij, pa arritur të sqarojë se ndotja më e madhe e bashkisë vjen nga kantierët e ndërtimit të hapur për hotele e resorte në çdo cep të Himarës. Pas Himarës, Durrësi është bashkia me numrin më të madh të lejeve të ndërtimit të dhëna nga Këshilli i Rregullimit të Territorit për vitin 2021. Struktura qeveritare e drejtuar nga Rama ka lëshuar 7 leje për resorte e hotele në këtë bashki, kryesisht në zonën e bregdetit të Hamallajt.
Më tej, nga 6 leje për struktura hoteliere e resorte janë dhënë në territorin e Bashkisë së Vlorës dhe të Sarandës. Në Velipojë të Shkodrës dhe në Shëngjin të Lezhës, KRRT-ja e drejtuar nga Edi Rama ka lëshuar nga dy leje për ndërtim resortesh dhe hotelesh. Listën e lejeve të ndërtimit për zonën e bregut e plotëson Kavaja, me një të tillë në zonën bregdetare të Qerretit.
Një nismë ligjore e qeverisë “Rama”, e dorëzuar para pak kohësh në Parlament për “Menaxhimin e Integruar të zonës bregdetare, synon që lejet e ndërtimit të jepen vetëm për investime strategjike dhe projekte të Partneritetit Publik-Privat. Qeveria, sipas asaj që deklaron nëpërmjet kësaj nisme synon që të shmangë rrëmujën me lejet e ndërtimit në bregdet dhe të vendosi një rregullshmërisë. Por, përtej asaj që deklaron publikisht qeveria, vetë kryeministri Rama nuk duket se është i bindur me projektin që i ka dorëzuar Parlamentit.
Ai dhe kabineti i tij flasin për investime strategjike, ndërkohë që Këshilli i Rregullimit të Territorit, i drejtuar nga vetë kryeministri, është treguar tejet dorëlëshuar me leje ndërtimi të copëzuara në të gjithë vijën bregdetare.




