“Më vjen turp…, ndale dorën shkatërrimtare!” Presidenti i Vatrës i ashpër me Yuri Kim: Dil nga selia e PS-së!

Presidenti i Nderit të Vatrës në SHBA-së, Agim Rexha, adresoi kritika të forta ndaj ambasadores amerikane në Tiranë.

Në takimin online me ish-kryeministrin Berisha, ai  tha se ndiqet i fyer si qytetar amerikan që përfaqësuesja e atij shteti sillet si Guvernatore apo shefe e një agjencie private.

Rexha i bëri thirrje Kim të dalë nga selia e PS dhe të sillet si një diplomate.

Rexha: Dy fjalë do i flas për ambasadoren e Amerikës në Tiranë. Nuk mund të pranoj sjelljen jodiplomatike të ambasadores amerikane në Tiranë, zonjës Yuri Kim, e cila e ka njësuar dhe identifikuar veten me një palë politikë në Tiranë. Ndjehem i fyer që një amerikane njësoj si fëmijët e mi, bijë emigrantësh të natyralizuar në këtë vend, sillet në Tiranë jo si përfaqësuese e imja por si një Guvernatore dhe shefe e Agjencie private. Ndihem i fyer që ajo shpenzon taksat e mia në Tiranë dhe shkel çdo normë dhe rregull ndërkombëtar të sjelljes diplomatike.

I them ambasadores Yuri Kim: Ti do të ikësh një ditë nga aty por jehona e keqbërjeve dhe shkatërrimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA do të vazhdojë dhe më gjatë sepse ju po bëni të kundërtën e asaj që Amerika ka bërë në rrjedhë të historisë. Ambasadore Kim, dil nga selia e PS, mos shkel në derën e asaj partie sepse nuk është në tagrin tënd diplomatik  të merresh me parti politike, të shkatërrosh zgjedhjet e lira siç bërë me 25 prill 2021.

Mos festo 29 Nëntorin e komunistëve të Tiranës dhe Beogradit, Enverit dhe Titos, Milladinit, kështu ke hedhur poshtë gjithë politikën anti-komuniste amerikane nga Rusvelti te presidenti  Biden. Ndale dorën shkatërrimtare të pluralizimit politik për të mbajtur në pushtet ata që për 50 vjet ishin anti-amerikanët më të zellshëm në botë, mos shkatërro dhe injoro trashëgiminë e presidentit Bush, presidentit Bill Clinton etj.

Share it :