Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se ka ndryshuar lista e lojtarëve të Shpresave për dy ndeshjet eliminatore në “Elbasan Arena”. Deri këtu gjithçka normale por sipas njoftimit, ndryshimi ka ardhur pasi një futbollist ka rezultuar me Covid-19 dhe bëhet fjalë për Marsel Ismajlgecin.
Lojtari i Tiranës është infektuar me koronavirus dhe menjëherë pasi kanë marrë përgjigjet, drejtuesit e FSHF, kanë bërë teste për të gjithë lojtarët e tjerë dhe anëtarët e stafit të cilët fatmirësisht kanë rezultuar negativë.
Shqipëria e 21-vjeçarëve do të luajë ndeshjen e tretë eliminatore të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ndaj Andorras, më 7 tetor ndërsa katër ditë më vonë do të luajë kundër Sllovenisë.
Ndërkohë që jo vetëm Shpresat por edhe ekipi U19 i drejtuar nga Armando Cungu kanë njoftuar për një lojtar me covid-19.
Është Mateo Çipi, i cili ishte në listën e lojtarëve të thirrur në Kombëtaren U-19 të Armando Cungu në kuadër të dy ndeshjeve miqësore ndaj Malit të Zi dhe pasi ka marrë përgjigjen e testit, është larguar nga grumbullimi në vendin fqinj, ku kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet që nga dita e hënë.
Ndeshjet miqësore të Shqipërisë U19 ndaj Malit të Zi do të luhen më 8 dhe 12 tetor.




