Kuriozitete Nofkat që kanë “tjetërsuar” Brazilin

Marrë nga FIFA.com

braziliNë Brazil ashtu si në asnjë vend të botës, futbolli ka ndryshuar në çdo anë. Vendi amerikano-latin është një nga ato që i ka dhënë tjetër stil kësaj loje që u shpik në Angli qindra vite më parë. Përveç teknikave apo skemave të ndryshe, brazilianët kanë dashur që të jenë origjinalë dhe kanë menduar që autorëve të veprave të artit t’u japin edhe emra arti apo nofka, siç njihen rëndom në jetën e përditshme. Në pjesën e parë të shkrimit, ju prezantuam me prejardhjen e nofkave të legjendave si Pele e Garinça, ndërsa tani do të njiheni me disa prej nofkave më të reja.

 

Përveç nofkave që tregojnë veçanti fizike të futbollistëve, ka edhe nga ato që tregojnë prejardhjen apo vendin e lindjes së lojtarëve. Si këto të fundit mund t’ju japim shumë shembuj. Zhunior Bajano (tregon prejardhjen nga Bahia) apo Marselinjo Karioka (nga Rio, banorët e këtij vendi njihen si Kariokas).

 

Zhuninjo

Një tjetër rast është ai i Antonio Zhuniorit, i cili njihet shkurt si Zhuninjo, deri në mesin e vitit 2000, kur Vasko de Gama firmosi me Osvaldo Zhuniorin i njohur gjithashtu si Zhuninjo (e huazoi nga Atletikoja). Ky i fundit u njoh si Zhuninjo Paulista, sepse vinte nga San Paoloja. Ndërsa tjetri vinte nga Pernambuko kështu u thirr Zhuninjo Pernambukano.

 

Ronaldot

Të njëjtin problem patën edhe dy Ronaldot më të famshëm të historisë së Brazilit. Sulmuesi i Korinthiasit, Ronaldo Luiz Nazario de Lima, herët njihej si Ronaldinjo. Por kur nga Gremio doli një tjetër Ronaldinjo, Ronaldo de Asis Moreira, atëherë “injo” e Ronaldos së parë ra dhe kështu mbeti vetëm Ronaldo ose me mirë “o Fenômeno”. Ndërsa Ronaldo de Asis Moreira u njoh si Ronaldinjo Gauço.

 

Gabime

Historia tregon se jo të gjithë emrat e artit tregojnë diçka të saktë. Për shembull, mesfushori Mineiro, një që ka qenë pjesë e Brazilit të Botërorit Gjermani 2006, është në të vërtetë një Gauço (Gaúcho, vjen nga shteti i Rio Grande do Sul) dhe jo Mineiro (njihen kështu ata që vijnë nga Minas Gerais). Një tjetër emër i artit që ka çuar shumë në konkluzione të gabuara është edhe ai i Rikardo Roxherio de Britos. Futbollisti ishte titullar i përfaqësueses së Brazilit që mori pjesë në Meksikë 1986 dhe Itali 1990. Lëkura e tij e bardhë dhe flokët e tij të verdhë bënë që ai të merrte nofkën teutone “Alemao” (Gjermani).

Share it :