EDITORIAL
Rilindja do të mbahet mend në historinë e Shqipërisë si sekti qeverisës që shkaktoi plagën më të thellë sociale në vend, atë të shpopullimit. Më shumë se 500 mijë shqiptarë janë larguar në dy mandatet që qeverinë e ka drejtuar Rama dhe oligarkët pranë tij.
Por nëse vendi po zbrazet, dhe bizneset po mbyllen, administrate shtetërore ka ardhur gjithnjë e më shumë në fryrje. Dhe e gjitha kjo po ndodh në prag te zgjedhjeve. Megjithëse pandemia shkurtoi shumë vende pune, të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, tregojne se Sektori i administratës shtetërore ka nisur të zgjerohet me ritme të larta që prej tremujorit të dytë të vitit 2018.
Në tremujorin e fundit 2020, janë punësuar mbi 8 mijë persona më shumë në krahasim me fundin e 2019. Teksa numri i ministrive dhe njësive administrative janë është ulur, shpenzimet publike dhe numri i të punësuarve në shtet janë rritur pikërisht në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, ku PS kërkon mandatin e trete.
Për këtë reagoi edhe Presidenti Meta, i cili tha se : “Koston e punësimeve elektorale e paguajnë direkt edhe bizneset, që për shkak të pandemisë ndodhen në kufijtë e mbijetesës, në mungesë të një mbështetjeje financiare nga shteti. Përdorimi i shtetit për qëllime elektorale është një tjetër dëshmi serioze dhe skandaloze e degradimit dhe e kompromentimit të reformës në administratën publike nga ana e Kryeministrit ende në detyrë.”.
E gjithë kjo situatë me administratën publike po ndodh kur situata ekonomike në Shqipëri është më rënda që nga viti 1991. Ndërkohë që fryrja e administratës nuk ka asnjë impakt tek shërbimet, duhet theksuar se kjo shumë me të cilën paguhet administrata elektorale e Rilindjes do të mjaftonte që të gjitha pensionet në Shqipëri, asistenca sociale dhe ndihma ekonomike të rriteshin të paktën me 50 %.
Kemi të bëjmë me një sekt që e di fare mirë se e pret humbja në 25 prill dhe po përdor të gjitha marifetet për të manipuluar verdiktin popullor. Punësimet në shtet për vota dhe ndryshimet e vendbanimeve me urdhër nga PS janë taktika malinje të Rilindjes, e cila po jep shpirt dhe po mundohet të mbajë kthetrat e saj pas këtyre strategjive tipike të një regjimi.




