Sonja Caka
Dëshmia e vëllait, Haxhi Kotarja: Pashë autorët, ishin dy persona me trup të shkurtër dhe të maskuar. U përleshën me Fatmirin, njëri e qëlloi me kallashnikov. Policia e Durrësit: 10 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion mbi autorët
Një krim i rëndë ka tronditur mesditën e djeshme qytetin bregdetar të Durrësit. Një kambist është sulmuar nga dy persona vetëm pak metra larg portës së banesës së tij, duke i grabitur një shumë prej 25 milionë lekësh, ndërsa e kanë qëlluar me armë zjarri në këmbë për shkak të rezistencës që kanë hasur në ato momente. Skena e grabitjes është parë nga vëllai i viktimës, Haxhi Kotarja, i cili në ato momente ka qenë duke hapur portën e banesës, ndërsa sapo ishin kthyer në banesë me makinë nga puna. Grabitësit janë larguar me shumën e parave, ndërsa 46-vjeçari Fatmir Kotarja mësohet të ketë humbur jetën brenda disa minutave duke u transportuar për në spitalin rajonal të qytetit. Mjekët e qytetit dyshojnë që viktima Fatmir Kotarja të ketë humbur jetën nga një infarkt i mundshëm, pasi plumbi i marrë gjatë grabitjes ka qenë në këmbë dhe nuk ka qenë ai që i ka shkaktuar vrasjen. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e këtij krimi të rëndë, ndërsa bën me dije se ka vënë në dispozicion për këdo që jep informata rreth autorëve, një shpërblim prej 10 mijë eurosh.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Stacionin e Hekurudhave, shumë pranë zonës së Plazhit, ku persona të maskuar e të armatosur i kanë zënë pritë kambistit Fatmir Kotarja 46-vjeç. Ngjarja ka ndodhur pak metra larg banesës së viktimës, i cili zakonisht në drekë kthehej në shtëpi pasi mbaronte punën. Nga hetimet e deritanishme të policisë, mësohet se kambisti iu ka bërë rezistencë agresorëve, prandaj ata e kanë qëlluar me armë në këmbë i kanë marrë të hollat, duke u larguar në drejtim të paditur. Gjatë rrugës për në spital, kambisti ka humbur jetën, ndërsa mjekët e qytetit bregdetar dyshojnë që ai mund të ketë pësuar ndonjë infarkt. Ndërkohë që në vendngjarje kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Policia deklaron se dy grabitësit kanë qenë të maskuar dhe të armatosur, ndërsa po punojnë për ndërtimin e një identikiti të tyre, falë dëshmisë së vëllait të viktimës që ishte dëshmitar i skenës së grabitjes dhe krimit.
Hetimi
Pas krimit të rëndë, policia e qytetit të Durrësit ka shkuar në vendngjarje, ka bërë këqyrjen e vendit ku ndodhi grabitja, si dhe ka marrë në pyetje disa persona, mes të cilëve edhe vëllain e viktimës që ka qenë me të në momentin kur ndodhi sulmi. Sipas burimeve policore, krimi ka ndodhur pak metra larg banesës së viktimës, në kohën kur i vëllai Haxhi Kotarja me të cilin ishte në shoqëri, po hapte portën. Ky i fundit ka dëshmuar në polici se i Fatmiri u sulmua nga dy persona me trup të shkurtër. Sipas dëshmisë së vëllait të viktimës, njëri nga ata, pasi u përball me rezistencën e kampistit 46-vjeçar, e qëlloi me plumb dhe mori çantën me 25 milion lekë të vjetra. Referuar kësaj dëshmie, dyshohet se ngjarja mund të ketë patur shkak grabitjen, por megjithatë për policinë kjo ende mbetet një pistë hetimi. Sipas policisë, Kotarja humbi jetën rrugës për në spitalin rajonal të Durrësit, ndërkohë që kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Dyshohet se grabitësit kanë studiuar çdo lëvizje dhe orar të viktimës, për të zgjedhur momentin kur duhej ta sulmonin dhe grabisnin. Burime nga policia bëjnë me dije se 46-vjeçari është plagosur në këmbë dhe mjekët dyshojnë se vdekja ka ardhur si pasojë e një infarkti të mundshëm.
Dëshmia
Haxhi Kotarja: Autorët e maskuar dhe me kallashnikov
Pas ngjarjes, si për policinë, ashtu dhe për mediat ka reaguar vëllai i viktimës, Fatmir Kotarja. Duke qenë i pranishëm dhe dëshmitar okular i asaj që ka ndodhur, Haxhi Kotarja ka rrëfyer si dy autorët e ngjarjes kanë qenë të maskuar dhe të veshur me rroba të zeza. Sipas tij, ata kanë qenë gjakftohtë në çdo veprim që kanë kryer dhe kanë qenë të pajisur me armë zjarri kallashnikov. “Dy autorët e ngjarjes kanë qenë të maskuar dhe veshur me të zeza. Ata kanë pasur një armë kallashnikov dhe janë përleshur me fatmirin në momentin që ky bëri rezistencë për dhënien e parave. Njëri prej tyre u përlesh dhe e ka qëlluar me automatik” ka rrëfyer Haxhi Kotarja, i cili ka qenë nën shoqërinë e të vëllait pak sekonda para se të ndodhte ngjarja. Në momentin e sulmit, ai ka qenë duke hapur proton e banesës private.
Reagimi
Policia: 10 mije euro shpërblim per informatorin
Policia e Durrësit nisi menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm personash për zbardhjen e ngjarjes, persona që kanë punuar me kambistin, por edhe të afërm e fqinj të tij. Gjithashtu, Policia e Durrësit ka vënë në dispozicion 10 mijë euro shpërblim për çdo informacion mbi autorët që grabitën duke i marrë jetën 46-vjeçarit kambist, Fatmir Kotarja. Në dispozicion, policia e qytetit bregdetar ka vënë numrin 0694118890.
Itali
Baristi shqiptar mes jetës dhe vdekjes, agresori kërkon falje
E ka qëlluar me grusht në fytyrë një 45-vjeçar shqiptar, barist në një lokal, duke i shkaktuar një përplasje të fortë saqë tashmë ndodhet në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore, duke luftuar midis jetës dhe vdekjes. Baristi shqiptar gjendet tashmë i shtruar në Reanimacionin e spitalit, ndërsa agresori deklaron para policisë se i vjen vërtet keq për çfarë ka ndodhur dhe kërkon falje. I akuzuar për këtë ngjarje të dhunshme është 18-vjeçari nga Villasor Nicholas Melis, i cili kërkon falje: “Nuk doja të përfundonte kështu”. Studenti 18-vjeçar ka plagosur rëndë shqiptarin Artan Meta, 45 vjeç, ii cili ndodhej në shërbim në barin Mondial në Villasor. Ndërsa 45-vjeçari ndodhet i shtruar në spital, i riu tregon momentet e ngjarjes: “U afrua ndërsa unë po tentoja të nxirrja nga distributori i cigareve kusurin që më ishte bllokuar në brendësi. Mes nesh pati shkëmbim fjalësh të rënda. Duhej të përfundonte aty, ndërsa…” Në fakt situata vazhdon të mbetet e rëndë, pasi 45-vjeçari vijon në reanimacion duke luftuar mes jetës dhe vdekjes.
Durrës
Gjykata merr 25 ekspertë të përhershëm
Gjykata e Durrësit ka shpallur listën e ekspertëve, të cilët do të jenë pjesë e proceseve për të afruar mendimin e kualifikuar me ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e gjykatës. Lista ka në përbërje 25 ekspertë të miratuar përfundimisht për këtë vit kalendarik. Ekspertët janë të disa specialiteteve dhe në mesin e tyre bie në sy numri relativisht i madh i specialistëve kontabël i autorizuar. Janë plot 11 ekspertë të tillë duke zënë 40 për qind të numrit të përgjithshëm dhe që dëshmon për numrin e madh të dosjeve që kanë nevojën e kësaj kategorie specialistësh. Gjykata ka marrë për asistencë të kualifikuar edhe 5 specialistë inxhinierë ndërtimi dhe vlerësimi, 2 specialist inxhinierë ndërtimi supervizorë dhe kolauduesë, 5 inxhinierë gjeodet, 2 inxhinierë ndërtimi dhe 1 specialistë agronomie. Qendra shkencore “The Experts” do të afrojë ekspertë të ndryshëm grafike, teknike, audio video etj. Në vendimin e saj të mbështetur në akte ligjore, gjykata është shprehur se do të marrë edhe specialistë të tjerë sipas nevojës nga fusha të tjera për të thithur mendimin shkencor apo profesional sipas rastit. Togat e zeza do të marrin në konsideratë edhe raportet mjeko-ligjore të grupit të ekspertizës ligjore apo të specialistëve të trafikut rrugor e të sektorëve të tjerë. Lista me 25 emrat e ekspertëve të ndarë sipas specialiteteve është vendosur në një kënd të dukshëm në mjediset hyrëse në gjykatë. Artur Ajazi





