Punësohet si shofer dhe i vjedh makinën pronarit, dënohet 1 vit për mashtrim

Sonja Caka

SHOFERISkema e përdorur/ E kërcënon në telefon dhe i kërkon 5 mijë euro, duke pretenduar se ishte marrë peng dhe kjo shumë ishte paguar nga familjarët e tij. Familja Leka mohon të ketë paguar pengmarrës për lirimin e Bujar Lekës

 

I vjedh makinën e sapoblerë punëdhënësit, duke u punësuar tek ai si shofer. Madje, i kërkonte edhe para në formë gjobe, duke aluduar se e kishin rrëmbyer dhe duhej t’u paguante rrëmbyesve shumën prej 5 mijë eurosh. Vetëm pas marrjes dijeni se pronari i ri i automjetit kishte njoftuar policinë mbi mashtrimin dhe vjedhjen e automjetit, i pandehuri e ka rikthyer makinën në Tiranë, duke ia dërguar të dëmtuarit me anë të vëllait. Kjo ishte skema e parapërgatitur nga i riu Leka në dëm të të dëmtuarit, me të cilin ishin njohur rastësisht dhe kishte mësuar mbi faktin se do blinte makinë dhe do punësonte një shofer për t’ua mësuar fëmijëve. Për këto veprime të kryera në dëm të të dëmtuarit Geriando Muja, gjykata e ka dënuar të pandehurin Bujar Leka për veprën penale të mashtrimit, ndërsa ka veçuar akuzën e “vjedhjes me dhunë”. Vendimi është dhënë disa ditë më parë, ndërsa i pandehuri Bujar Leka është dënuar me 1 vit burg.

Vjedhja

Sipas vendimit të gjykatës, në datën 16 shtator 2011, i pandehuri Bujar Leka i ka vjedhur me mashtrim të dëmtuarit Geriando Muja, autoveturën pronë e tij, tip “Mercedez Benz” me targë TR 7211 P. I pandehuri dhe i dëmtuari rezultojnë të jenë të dy banorë të kryeqytetit. Sipas vendimit rezulton se 4 ditë para ngjarjes, konkretisht më 12 shtator 2011, i dëmtuari Geriando Muja ka blerë në bazë të kontratës me nr 3892 Rep dt.12.09.2011 një makinë tip “ Mercedes Benz“ me targa TR 7211P. Rastësisht, i pandehuri Bujar Leka në shtator të vitit 2011, disa ditë përpara ngjarjes, është njohur me të dëmtuarin Muja. Ky i fundit sapo kishte arritur të posedonte makinën e sipërcituar dhe kërkonte te punësonte një shofer, me të vetmin qëllim që t’ua mësonte më mirë fëmijëve të tij, të cilët ishin pajisur me dëshmi të drejtimit të mjetit, drejtimin sa më të mirë të makinës ( saktësisht t’iu realizonte guidë shoqëruese në drejtimin e mjetit), por edhe për të punuar si mjet taksi për pasagjere. Ky ishte qëllimi i të dëmtuarit Muja në momentin kur vendosi të punësonte të pandehurin Bujar Leka. Të dy bashkë kanë realizuar dhe një rrugë për në Kukës, ku rrugës në kthim, të pandehurit i është marrë leja e drejtimit të mjetit nga policia për shkak të drejtimit tejet shpejtësisë së lejuar.

Mashtrimi

I  punësuar prej disa ditësh si shofer i familjes, ditën e ngjarjes,  pikërisht në 16 shtator 2011, i pandehuri Leka i ka qenë në shoqërinë e kallëzuesit Geriando Muja gjatë gjithë paradites së kësaj date. Rreth orës 17.00, ai  është takuar me të  dëmtuarin në Laprakë, tek karburant “Elda“ dhe gjoja  me qëllimin se do të çonte disa pasagjerë në Kukës, si ka marrë edhe miratimin e këtij të fundit, ka marrë  automjetin dhe  është larguar duke ndërprerë më pas çdo lloj komunikimi me të. Përpjekjeve të të dëmtuarit  Geriando Muja për t’i kthyer mjetin e tij, i pandehuri i është  përgjigjur vetëm në një prej thirrjeve telefonike duke e gënjyer se pasagjerët që kishte marrë me vete e kishin marrë peng dhe ishin paguar nga familjarët e tij 5000 euro për ta lëshuar, dhe se i dëmtuari duhej të paguante këtë vlerë për t’ia kthyer familjarëve te tij, çka nuk është besuar nga i dëmtuari.  Ai është përpjekur të kontaktojë me familjarë të të pandehurit, të cilët e kanë bërë me dije se nuk dinin ndonjë informacion se përse i pandehuri nuk ishte kthyer në shtëpi. Disa ditë më vonë, pas marrjes dijeni se kërkohej nga policia dhe se i dëmtuari kishte bërë ndaj tij kallëzim penal, i pandehuri Bujar Leka është kthyer nga Kukësi, konkretisht nga fshati Surroj ku kishte qëndruar gjatë  këtyre ditëve, dhe mjetin me targe TR 7211 P, ia ka dhënë të vëllait Luan Leka për t’ia kthyer të dëmtuarit. Vëllai i të pandehurit është kapur tek Fusha e Aviacionit në Tiranë nga policia, e cila ka bërë sekuestrimin e sendit të vjedhur me  mashtrim shtetasit Geriando Muja. Në përfundim të hetimeve më datë 20 dhjetor 2011, është marrë vendim për marrjen të pandehur të shtetasit Bujar Leka duke i komunikuar edhe akuzën e “Mashtrimit” në vlerën 650.000 lekë.

Makinat e tjera të marra nga Bujar leka

I dëmtuari ka dëshmuar se xhaxhai i të pandehurit i ka deklaruar se Bujari ishte djalë i keq dhe se kështu si me Mujën, kishte vepruar edhe me të dhe disa persona të tjerë. “Osmani më ka thënë se Bujari është djali i keq, kishte marrë edhe makinën e tij, dhe babai i Bujarit kishte paguar lekët. Por, më tha se i kishte marrë edhe një personi tjetër makinen dhe e kishte dërguar në Suroi të Kukesit….” Po sipas Mujës, “diten e tretë që më kishte marrë mjetin Bujari, xhaxhai i tij Osmani më ka thirrur dhe më tha se makina është në Kukës, pasi nipi i tij e kishte takuar Bujarin, dhe i kishte thënë se Bujari bënte rrugën Krumë-Kukës me pasagjerë. Më pas e bëra me dije Komisariatin e Policisë Kukës që mjeti im ndodhej atje, por nuk bënë asnjë përpjekje për të ma kthyer”.

 

Dëshmia e të dëmtuarit

Muja: Si u njoha me personin që më mashtroi

I dëmtuari Geriando Muja ka shpjeguar edhe versionin e tij të ngjarjes, mbi njohjen me të pandehurin, i cili përmes mashtrimit i mori makinën dhe i kërkonte edhe 5 mijë euro. “Me të pandehurin Bujar Leka jam takuar për herë të parë  rreth 1 jave përpara  datës së ngjarjes , në datë 15 shtator 2011 nëpërmjet një të afërmit të tij, djali i hallës së tij i quajtur Lirim Peposhi. Unë po atë jave kisha blerë një makinë tip ‘’Benz C 220 Class’’ dhe Lirim Peposhi dhe djali im Aurel Muja kane qenë prezent kur unë kam blerë makinën, pasi Lirimi ishte shoku i djalit tim. Unë i kam kërkuar Lirimit që të më gjente një shofer me qëllim që të dy djemtë e mi që e kanë marrë patentën të ushtroheshin me makinën që unë kisha blerë. Lirimi më ka propozuar të pandehurin Bujar Leka. Shoferin e doja për 3 muaj. Të nesërmen, Lirimi dhe Bujari kanë ardhur në shtëpinë time. Bujarit i kam thënë se do ta punësoja për tre muaj si shofer, dhe për tre muajt do ta paguaja 30.000 lekë të reja. Duke i përcaktuar edhe orarin nga ora 07:00 deri në orën 15:00, dhe në fund të çdo dite makina do të ishte në parkimin tim. I pandehuri më ka kërkuar që ta mbante në shtëpinë e tij makinën, por unë nuk pranova. Ditën e parë të punës kam qenë unë, Lirim Peposhi dhe Bujar Leka rrugës për në Kukës, ku në Milot ka dalë policia dhe i ka marrë patentën Bujarit. Kemi shkuar në Kukës, kemi mbaruar disa punë tonat, por nuk mbaruam dot punë dhe u kthyem mbasdite në Tiranë. Dhe të nesërmen do të shkonte përsëri me të dy djemtë e mi në Kashar për të nxjerrë Librezat e mjetit. Kanë shkuar dhe janë kthyer në banesë. Më pas, po atë ditë unë me Bujarin kemi shkuar në Baldushk për një vizitë, dhe në orën 17:00 mbasdite Bujari është nisur për në Kukës. Kemi qenë ke rrethrrotullimi i Doganës në Laprake. Bujari ka zbritur nga makina dhe ka takuar disa persona, të cilët unë nuk i njihja, dhe me ka thënë se gjeta disa pasagjerë për në Kukës dhe më pyeti a të nisem për Kukës. Une i kam dhënë leje të ikte në Kukës dhe nëse nuk gjente pasagjer për t’u kthyer të qëndronte në Kukës. Kam parë që kanë hipur 4 persona në makinën time për në Kukës. I kam thënë Bujarit që me lekët që do të merrte nga këto persona, çmimi ishte 6000 lekë të vjetëra per person, t’i hidhte naftë makinës. Më pas, rreth orës 18:00 të mbasdites, i kam telefonuar Bujar Lekës dhe më është përgjigjur vetëm një herë të vetme dhe me ka thënë se kam kaluar urën e Milotit. Une i telefonoja pasi isha i shqetësuar, sepse Bujari nuk kishte patentë, ia kishte marrë policia. Unë disponoj dy numra telefoni për të pandehurin Bujar Leka. Dhe të dy numrat e tij më pas më dilnin të fikur. Sqaroj se mbasi doli i fikur telefoni rreth orës 22:30, kam shkuar tek familja e  Bujar Lekes, kam komunikuar me të emën, xhaxhain e tij Rexhep Lekën dhe vëllain Luan Leka për t’u thënë nëse dinin gjë për Bujarin. Ata më kanë thënë se nuk dinë gjë, nuk ka telefonuar as me ne, por më thanë se ai dispononte edhe numra të tjerë telefoni. Kam komunikuar me Bujarin mbas 2 ditëve, e kam marrë unë në telefon dhe i kam thënë se përse nuk je kthyer për Tiranë, çfare ke? Bujari më tha se më kanë marrë peng pasagjeret që mora me vete. Une i kam thënë se këto janë filmat e tua, por lëri këto dhe nisu për Tiranë, ndërsa ai ka nisur të më fynte, të më kërcënonte, si dhe më kërkoi 5000 Euro që t’i paguaja unë për ta liruar Bujarin, pasi këto leke i kishte paguar xhaxhai i tij Osmani  3000 Euro dhe daja i tij 2000 Euro. Sqaroj se Bujari më tha se këto lekë i kishin paguar familjaret e tij, e kishin liruar nga pengmarrja dhe m’i kërkonte mua që t’ua kthente mbrapsh familjarëve të tij. Po kështu më ka thënë se makinen nuk ta sjell pa paguar 5000 Euro. Të nesërmen e kësaj dite kam shkuar tek xhaxhi i tij Osman dhe i kam thënë lidhur me bisedën që kam pasur me Bujarin, dhe ai më ka thënë se nuk është e vërtetë që unë kam paguar lekë për të. Ata nuk dinin gjë për pengmarrjen, por më kanë thënë se e kanë gjetur se ku është, ishte në Kukës. Mbas këtij momenti, nuk kam kontaktuar me Bujarin dhe kam shkuar në komisariat për të bërë kallëzimin, pasi kështu më udhëzoi edhe xhaxhai i tij Osmani. Ditën e dytë të ngjarjes, fillova të dyshoj tek veprimet e të pandehurit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share it :