Tenton kalimin e 40 kg drogë duke përdorur familjen, arrestohet korrieri

Sonja Caka

DROGAPolicia: Edi Gashi përfitonte 5 mijë euro për kalimin e drogës drejt Italisë, në makinë kishte gruan shtatëzanë dhe dy vajzat e mitura

 

Tenton të kalojë 40 kg drogë drejt Italisë, duke përdorur edhe familjen e tij, gruan shtatëzanë dhe dy vajzat e mitura. Por, lëvizjet e pakontrolluara, ankthi dhe disa spostime të dyshimta të pjesëve të plastikës së automjetit, çuan në një kontroll të imtësishëm të makinës me të cilën po lëvizte familja. Dhe, gjatë këtij kontrolli nga efektivë të policisë kufitare, u zbuluan të fshehura plot 70 pako, të cilat ishin vendosur në vende të ndryshme, ndërsa destinacion kishin shtetin fqinj të Italisë. Menjëherë është bërë ndalimi i familjes Gashi, është marrë në pyetje kryefamiljari drejtues i automjetit dhe nga hetimet e para është zbuluar se ishte vetëm korrieri dhe për këtë transport do të paguhej me 5 mijë euro. Policia ka ndaluar Edi Gashin nga Mamurrasi, ndërsa familja e tij është shoqëruar sërish për në vendin e origjinës.

Ngjarja

Sekuestrimi i një sasie prej 40 kg lënde narkotike, e ndarë në 70 pako, është bërë në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në pikën kufitare të Muriqanit në Shkodër. Lënda narkotike rezulton e llojit kanabis. Policia sqaron se lënda në fjalë është gjetur në mjetin tip ‘Benz’ me targa AA 135 EH të shtetasit Edi Gashi nga Mamurrasi, i cili edhe është arrestuar. Ky i fundit po udhëtonte drejtë Milanos së bashku me bashkëshorten, e cila është në muajin e 8 të shtatzënisë si dhe me dy vajzat, njërën 6 vjeçe dhe tjetrën 3 vjeçe, kur është ndaluar nga policia kufitare. Ka qenë dyshimi i inspektorëve të policisë kufitare, të cilët pasi kanë kryer kontrollin rutinë të dokumentacionit, kanë vijuar me kontrollin ndaj mjetit. Në disa pjesë të tij kanë vërejtur spostime të dyshimta të pjesëve të plastikës, ku me mjetet e specializuara kanë vërejtur se në pjesë të ndryshme të këtij mjeti ndodhen pako të dyshimta si kanabis sativa. Policia ka ndaluar drejtuesin dhe ka sekuestruar lëndën narkotike, ndërsa materialet hetimore do i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për hetime të mëtejshme, për veprën penale “trafik droge”, e mbetur në tentativë.

Dëshmia

Burime policore bëjnë me dije se fillimisht, i arrestuari Edi Gashi ka dëshmuar se po udhëtonte drejtë Italisë së bashku me bashkëshorten e tij, me qëllim lindjen e fëmijës së tretë të tyre në Milano. Me vete kishte edhe dy vajzat e mitura dhe po shkonte që gruaja ta kryente këtë lindje në shtetin fqinj, duke qenë se dispononte leje qëndrimi në shtetin italian. Sipas burimeve policore, 34-vjeçari do merrte 5000 euro për shërbimin e transportit të drogës në momentin e dorëzimit të saj në Milano dhe se detyra e tij ka qenë thjeshtë e korrierit. Gjatë vitit të kaluar në këtë pikë kalimi kufitar janë sekuestruar rreth 200 kg drogë e llojeve të ndryshme. Ndërsa nga policia kufitare e Shkodrës nga mesi i kësaj jave janë sekuestruar 1406 kg drogë marijuanë që kishin destinacion Italinë, si dhe një gomone me dy motor.

 

 

Durrës

Rrugorët nisin aksionin, bllokohen 40 motorrë, gjobiten drejtuesit e tyre

Policia Rrugore e Durrësit prej disa ditësh ka ndërmarrë e po zbaton një plan-masash në drejtim kontrollit të dokumentacionit të drejtuesve të motorrëve. Punonjës të kësaj strukture janë vendosur në pika apo segmente të ndryshme rrugore me qellim verifikimin  e dokumentacionit përkatës. Në kuadër të zbatimit të këtij plani masash, vetëm gjatë ditës së djeshme është bërë i mundur bllokimi administrativ i 40 motorëve, drejtuesit e të cilëve kishin mangësi në dokumentacion të tilla si leje drejtimi, targim, etj. Në vijim të këtij aksioni, të shtunën janë bllokuar 20 motorë të konsideruar të fuqive të mëdha. Ky plan masash do të vazhdojë të zbatohet edhe në ditët në vijim. Vihet re se, mjete të tilla duke u konsideruar si mjaft praktike janë shtuar së tepërmi në qarkullim, dhe drejtuesit e tyre neglizhojnë apo keqinformohen nga blerësit e tyre lidhur me detyrimet për dokumentacionin e nevojshëm, apo nuk kanë informacion lidhur me normat e qarkullimit të këtyre mjeteve në rrugë, duke u bërë kështu në jo pak raste burim aksidentesh rrugore. Disiplinimi i këtyre mjeteve në trafik konsiderohet edhe si një masë parandaluese në drejtim të aksidenteve rrugore, veçanërish në ditë trafiku,  i cili sjell një ngarkesë  në rrugët kryesore qytetit të Durrësit. Aksione të tilla po merren  në drejtim të disiplinimit të motorëve, ciklomotorëve apo mjeteve të tjera të motorrizuara, kanë bërë të mundur që drejtuesit e tyre të marrin masa në drejtim të pajisjes me kaska mbrojtëse (të cilat konstatohet se shpesh mbahen në motorr por nuk vendosen prej drejtuesve gjatë qarkullimit) si dhe targimit të këtyre mjeteve. Policia e Qarkullimit Rrugor kujton përdoruesit e kësaj kategorie mjetesh të informohen lidhur me dokumentacionin e nevojshëm në vartësi të mjeteve që ata përdorin, respektimin e moshës minimale e maksimale për përdorim të tyre si dhe zbatimin e normave të parashikuara në Kodin Rrugor për drejtimin e tyre.

 

Aksidenti

Përplaset fugoni me autoveturën, plagosen 6 persona

Përplasja e një fugoni me një autoveturë ne aksin e vjetër rrugor Lezhë – Laç, ka shkaktuar plagosjen e 6 personave, një prej të cilëve në gjendje të rëndë. Sipas burimeve policore, aksidenti i rëndë ndodhi në vendin e quajtur kryqëzimi i Pllanës, ku një automjet tip Fiat me targa greke që drejtohej nga Dedë Frroku, 46 vjeç, në tentativë për të dalë nga një rrugë dytësore, ka goditur një fugon të linjës Lezhë – Laç, i cili drejtohej nga Kol Nikolli, 52 vjeç nga qyteti i Laçit. Për pasojë, kanë mbetur të plagosur dy drejtuesit e automjeteve dhe 4 pasagjerë që ndodheshin në fugon. Po sipas burimeve policore, ata u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Lezhës, ku në gjendje më të rëndë ka qenë një grua, e cila i është nënshtruar mjekimit intensiv.

 

Vlorë

Shkatërrimi dhe vjedhja e linjave të energjisë elektrike, 6 nën hetim

Gjashtë persona janë nënë hetim nga policia e qytetit bregdetar të Vlorës, dy prej të cilave në gjendje të lirë dhe katër të tjerë në pranga, pasi akuzohen për vjedhje të telave të energjisë elektrike. Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë për vjedhje të telave të energjisë elektrike, e kryer në bashkëpunim 18-vjeçarin Taulant Pekmezi, dhe 40-vjeçarin Antonel Hoxhaj, të dy banuesa në lagjen “24 Maj” Vlorë. Sipas policisë, arrestimi i këtyre personave u krye pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, si dhe me shtetasit Donald Çobaj, 21 vjeç dhe Blerim Zekaj, 22 vjeç, edhe këta nga Vlora, për këta dy të fundit ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, kanë vjedhur rreth 1700 metra linear tel të energjisë elektrike në fshatin Kotë. Gjithashtu, në lidhje me këtë rast vjedhjeje të telave të energjisë elektrike janë ndaluar për moskallëzim krimi edhe 29-vjeçari Haris Zykaj dhe 48-vjeçari Bujar Agaj, të dy banuesa në fshatin Kotë. Arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi, edhe pse kishin konstatuar 4 personat duke duke prerë telat e energjisë elektrike, nuk kanë kallëzuar këtë krim në polici.

 

 

 

 

 

 

Share it :