Halil RAMA
Një minutë heshtje në nderim të komisarit të vrarë Musa Skura dhe më pas denigrim i kolegëve të tij në strukturat e policisë së shtetit! Ky qe lajtmotivi që përshkoi punimet e Asamblesë Socialiste të së shtunës. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë gjithë fjalimit të tij dogmatik u përpoq ta përdorte politikisht vrasjen e ish-shefit të Rendit të Burrelit në përballjen me trafikantë të armëve. Ai sulmoi sërish në mënyrën më të paprinciptë Policinë e Shtetit, duke i konsideruar strukturat e saj të kriminalizuara. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Asamblesë Socialiste, ku si edhe herën e shkuar kishte vendosur zhurmuesit ndaj valëve televizive, Rama e cilësoi betejën e shtetit me krimin një ndeshje të shitur. Njeriu mbi të cilin rëndojnë dhjetëra akuza për lidhjet e tij me njerëz të botë së krimit përsëriti refrenin e trishtë: “Policia e Shtetit është tradhtuar dhe braktisur dhe se po rrënohet dita-ditës!”
Pas këtyre deklaratave, për këdo është e qartë se nuk ka qëndrim më të papërgjegjshëm sesa ky i shefit të opozitës sonë.
Në një kohë kur funksionarët më të lartë të shtetit, drejtues të forcave kryesore politike dhe shoqërisë civile, pas vdekjes së ish-shefit të Rendit të Burrelit konfirmuan mbështetje ndaj strukturave policore në betejën me krimin e organizuar, kryetari i PS-së, Edi Rama, ishte i vetmi që edhe në këtë rast tragjik bëri të kundërtën, duke dhunuar deri dhe kodin e mortjes. Dhe sërish para tri ditësh, në forumin më të lartë socialist, lideri i tij tentoi të “bombardonte” opinionin publik me qasje politike rreth krimit të organizuar, duke deklaruar se kriminelët do të marrin dënimin e duhur vetëm kur ai të bëhet (nëse do të arrijë një ditë) Kryeministër. Kësisoj, shqiptarët kanë sërish përballë njeriun që për pushtetin e tij të pamerituar (për të zënë kolltukun kryeministror me sulm të organizuar ndaj Kryeministrisë) para dy vitesh çoi drejt vdekjes katër viktima të pafajshme, të cilët edhe sot e kësaj dite po i përdor politikisht në funksion të qëllimit të tij të mbrapshtë. Nëse para dy vitesh, një i afërm i Aleks Nikës e qëlloi liderin socialist me shaminë e turpit, në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS-së, shqiptarët panë sërish të njëjtën fytyrë që çmendurinë e tij po e shfrytëzon për të mbajtur përjetë të lidhur pas filozofisë së tij viktimat e krimit.
Janë vërtet tragjike vrasja para katër muajsh e ish-shefit të Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj dhe e shefit të Krimeve të Burrelit, Musa Skura, i cili pasi u plagos me dy plumba më 13 janar të 2013-ës, gjatë një aksioni policor për kapjen e një grupi trafikantësh armësh, është ndarë nga jeta mbrëmjen e së hënës. Të dy ish-funksionarëve të Policisë së Shtetit, të shquar për përkushtim, ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe profesionalizëm në përmbushjen e detyrave, duke gëzuar edhe respektin e kolegëve dhe të komunitetit në zonat ku kanë jetuar dhe punuar.
Ndaj, kushdo ndien dhembje dhe njëherësh apelon për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar. Veçanërisht pas lajmit të kobshëm për ndarjen nga jeta para disa ditësh të Musa Skurës, pothuajse e gjithë politika shqiptare dhe shoqëria civile u bashkua në mbështetje të strukturave policore që përballen me krimin dhe kriminelët.
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, përveçse ngushëlluan familjen Skura dhe përshpejtuan procedurën për shpalljen e komisar Musa Skurës “Dëshmor i Atdheut” shprehën vendosmërinë për të rritur forcën goditëse ndaj falangave të krimit të organizuar që s’ngurrojnë të qëllojnë deri edhe mbrojtësit e rendit e të sigurisë. Këto veprime energjike të ministrit Noka dhe kreut të policisë Burgaj janë mbështetur gjerësisht nga opinioni publik në rang kombëtar.
Vetëm Edi Rama bën të kundërtën, duke deklaruar se dita e zmbrapsjes së krimit do të jetë dita kur ai të vijë në krye të qeverisë. I gjithë fjalimi i tij në forumin më të lartë socialist përmbante shpifje ndaj krerëve të mazhorancës aktuale që edhe nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare konsiderohet si më e suksesshmja në rajon. Pikërisht ditën që shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, e konsideronte Shqipërinë nga të paktat vende që i rezistoi krizës, shefi i opozitës shqiptare derdhi një lum shpifjesh ndaj qeverisë “Berisha” dhe veçanërisht ndaj strukturave të Policisë së Shtetit.
Në këto kushte, kur drejtpërdrejt apo indirekt shefi i opozitës rreshtohet kundër luftëtarëve të vërtetë të krimit të organizuar, besimi dhe siguria janë gjendje tepër të vështira për t’u ndërtuar, pra edhe shumë delikate për të rezistuar. Ky qëndrim i lidershipit opozitar dëshmon qartë inkurajimin, madje mbështetjen që ai u jep strukturave të krimit. Nga ana tjetër nuk është e vështirë për ta kuptuar që qëndrime të tilla mbahen edhe për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga implikimi i lidershipit opozitar në afera të ndryshme kriminale dhe korruptive për 11 vitet që ai drejtoi Bashkinë e Tiranës.
Mjafton qoftë dhe analiza e këtyre qëndrimeve të kreut të PS-së për të konkluduar se suport i falangave të krimit, jo rrallëherë është politika opozitare, që qëllim të vetëm ka pushtetin me çdo formë e mjet. Lidershipi opozitar këta shembuj të hidhur përpiqet t’i përdorë në funksion të politikës së tij, duke u përpjekur të manipulojë mendjet e çoroditura dhe fytyrat e terrorizuara nga ngjarje të tilla kriminale. Kësisoj, në vend që të shuajë zjarrin, dëmton dhe atë çka është përreth. Është vërtet tronditës ky qëndrim i lidershipit opozitar në një kohë që krimi i organizuar vlerësohet si një rrezik real për sigurinë e jetës së qytetarit.
Qëndrimet apo qasjet politike të lidershipit socialist mbi kriminalitetin dhe luftën ndaj tij janë sot në vëmendjen e shumicës së shqiptarëve që duan konsolidimin e shtetit ligjor në këtë vend, që kërkojnë efikasitetin e strukturave policore në luftën ndaj krimit të organizuar. Ndërkohë, lufta me zero tolerancë ndaj tij ka përbërë në vazhdimësi dhe përbën edhe sot një ndër prioritetet kryesore të mazhorancës aktuale.
Përballë kësaj mazhorance të suksesshme dhe solide, mendimi politik opozitar, me gjithë përpjekjet e shumta në një masë të madhe demagogjike duke luajtur me të pavërtetat nuk mund ta fshehë faktin e madh të përparimit të vendit dhe të qëndrueshmërisë së treguesve kryesorë të gjendjes ekonomike dhe shoqërore. Madje, në kushtet e një krize të mirënjohur financiare botërore, e cila kërcënon prej disa vjetësh, por që fatmirësisht kanë filluar të shfaqen shenjat e para të daljes prej saj.
Bllokimi opozitar i statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian nga ana e opozitës nuk e ndihmon as Partinë Socialiste, as aleancën e sforcuar dhe të kopjuar që vjen pas saj për t’i shpëtuar një humbjeje të tretë radhazi më 23 qershor. Ndoshta, ky bllokim parlamentar opozitar i statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, përkundrazi, e ndihmon këtë humbje të së majtës më 23 qershor si edhe ndërgjegjëson më tej bashkësinë ndërkombëtare për shkaktarët e vërtetë të këtij bllokimi.
Lidershipi socialist edhe në këtë mbledhje të radhës të Asamblesë së PS-së nuk dha asnjë shpresë se mund t’i lirojë deputetët e forcës së tij nga ky ngërç i bllokimit dhe t’i lejojë ata të votojnë tre ligjet e reformës së integrimit, duke dalë kështu hapur sërish kundër zyrtarëve të lartë të Brukselit që premtuan sërish dhënien e statusit të vendit kandidat në fund të 3-mujorit të parë të këtij viti. Përkundrazi, Rama shantazhoi anëtarët e forumit, duke paralajmëruar lënien e elitës së PS-së jashtë vëmendjes dhe përfshirjen në qeverinë e tij (nëse vërtet do të arrijë ta krijojë) të aleatëve të vjetër, trashëgimtarë të denjë të PPSH-së. Dhe për t’u bërë sa më i besueshëm u serviri atyre sondazhin imagjinar të radios së Fidelit, që s’ka asnjë bazë reale, përveçse epsheve të frenuara të tij për pushtet të pamerituar.





