Nisma Deputetët e PD-së: T’i hiqet mandati Fidel Yllit, ka shkelur Kushtetutën

Ina Jano

selia PDLigjvënësit e djathtë i kanë propozuar Kuvendit që të çojë rastin në Gjykatën Kushtetuese

 

Fidel Ylli mund të mos jetë më pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Një grup deputetësh të djathtë kanë konstatuar papajtueshmëri me Kushtetutën gjatë mandatit të deputetit socialist Fidel Ylli dhe nën këtë shkak ata i janë drejtuar Kuvendit me arsyen që ky institucion ta çojë rastin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Për ligjvënësit demokratë, Fidel Ylli ka bërë një shkelje flagrante të nenit 70 të Kushtetutës. Në kërkesën e tyre thuhet se deputeti socialist ka rezultuar të jetë ortaku i vetëm i një radioje, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti. Siç dihet dhe siç përcakton ligji, frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike. Sipas Kushtetutës, deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Burimet për gazetën saktësojnë se pas katër muajve në shkelje të hapur me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, zoti Ylli rezulton të ketë bërë një shitje fiktive të radios, duke e kaluar atë në pronësi të së motrës, në fund të dhjetorit 2009.

Por ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që për deputetët socialistë ndodhin të tilla ngjarje. Brenda këtij mandati nga grupi socialist është larguar edhe ish-deputeti Ilir Beqja, i cili tani ka vetëm një post në parti dhe asnjë funksion zyrtar. Sipas deputetëve demokratë, rasti i zotit Fidel Ylli është i ngjashëm me atë të kolegut Beqja. “Zoti Beqja e humbi mandatin e deputetit rreth dy vjet më parë, pasi Kuvendi çoi në Gjykatën Kushtetuese fakte, që provonin se ai kishte përfituar fonde nga pushteti vendor, gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit. Gjykata Kushtetuese e çmoi si të drejtë kërkesën e Kuvendit, i cili u vu në lëvizje sërish nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike”, – thuhet më tej në kërkesën e ligjvënësve demokratë, dorëzuar ditën e djeshme në Kuvend.

 

Neni 70 i Kushtetutës, pika 3 dhe 4

3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.

4.  Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.

 

Ylli: Nuk kam shkelur ligjin

Deputeti Fidel Ylli deklaroi se nuk ka pasur asnjë konflikt interesi dhe në asnjë moment nuk e ka shkelur ligjin. Sipas Yllit, kjo është një luftë politike dhe qeveria përmes akuzave të pabaza kërkon të tërheqë vëmendjen nga problemet reale. “Kjo është një shashkë e radhës që PD hedh për të sulmuar opozitën dhe deputetët e saj. Gjithçka është brenda normave ligjore. Unë kam qenë pronar i një radioje lokale që quhet “House of Arts” që në vitin 2002 kam marrë licencën. Brenda të gjithë rregullave, duke parë dhe ligjin, kur kam bërë deklarimin e pasurive kam deklaruar që jam aksioner i vetëm i një radioje lokale dhe kërkova pranë KKRT-së për të rinovuar licencën. Ajo i bën një letër ILDKP-së dhe i thotë se mendojmë që ka konflikt interesi sepse Ylli është deputet. Kam shkresa nga institucionet shtetërore që gjithçka është brenda ligjit. Këta duan të bëjnë zhurmë, por kjo mua nuk më shqetëson, sepse është një qeveri që do të heqë vëmendjen nga kriza ekonomike”, – sqaroi deputeti Ylli për rastin në fjalë.

 

 

Balla nuk paraqitet në gjyq, banorët reagojnë për mungesën e seriozitetit të tij

Taulant Balla nuk është paraqitur në gjyqin e hapur ndaj tij nga disa banorë të cilët e akuzojnë atë për shpifje. Me anë të një reagimi deklaruan se është hera e dytë që gjyqi shtyhet për shkak të mungesës së zotit Balla në seancë. “Sot përsëri Taulant Balla iu përvodh drejtësisë. Ne pronarët e ligjshëm të tokës, të cilët jemi fyer nga taulant Balla para 3 muajsh kur na quajti mashtrues dhe hajdutë të gjithëve ne, me dhjetëra familje pasardhëse të familjeve të vjetra të Tiranës (ku jemi të majtë dhe të djathë deri përfshi edhe të shoqen e Marko Bellos si bashkëpronare). Menjëherë sapo u fyem i kërkuam PS-së të hidhte poshtë me neveri sulmin e ulët dhe të pavërtetë të deputetit të saj si një sulm të padenjë dhe të drejtuar gjithë shtresës së ish-pronarëve, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi”, – reaguan banorët. Ata u shprehën se zyrtarisht edhe nëpërmjet medias duan që ta venë në dijeni deputetin socialist Balla se seanca e radhës është në datën 6 shkurt në orën 15.30. “Dëshirojmë t’ju themi që lojërat politike ti mbani për vete se nuk na interesojnë. Pronarët e vjetër që pasi ju vodh prona për dhjetëra vjet dhe mezi po marrin pjesë të trashëgimisë së tyre të ligjshme presin së paku dinjitet dhe korrektesë nga forcat politike për më tepër do ishte mirë që të uleshit e të votoni ato tre ligje, që kanë tre muaj që pengojnë integrimin tonë në Evropë, pasi mendojmë që statusi vjen edhe me detyrime por një më të rëndësishmit është edhe respekti më i madh për pronën dhe pronarët”, – shprehen banorët e shqetësuar për mungesën e zgjidhjes së problemit të tyre.
PD: Rama po shmang transparencën, standarde të ulëta pune kur drejtonte bashkinë

Partia Demokratike deklaroi dje se kreu i opozitës Edi Rama nuk është duke bërë transparencë dhe për këtë arsye kjo forcë politike do të publikojë të gjitha të dhënat që ajo disponon në lidhje me tokën e blerë nga çifti Rama. Partia Demokratike i ka kërkuar sërish kreut të PS-së, Edi Rama, të bëjë transparente për publikun çmimin e vërtetë të blerjes së vilës së tij 8 mijë metër katrorë në tokë, në një zonë në të cilën toka është blerë nga qytetarë të tjerë, jo 2 dollarë siç e deklaron Rama, por së paku 22 e më shumë dollarë, çmime shitjeje këto të regjistruara në dokumente zyrtare. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, i bëri thirrje Ramës të mos fshihet pas afera të tij korruptive personale dhe familjare. “Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, po i fshihet dhe po shmang prej disa javësh transparencën për një seri aferash të tij korruptive personale dhe familjare dhe nuk po mban kështu premtimin e tij publik për të zbardhur aferat e tij. Unë jam sot këtu për t’i bërë thirrje zotit Rama t’i tregojë publikut çmimin e vërtetë të blerjes së vilës së tij 8 mijë metër katrorë në tokë, në një zonë në të cilën toka është blerë nga qytetarë të tjerë, jo 2 dollarë siç e deklaroni se e keni blerë ju, por së paku 22 e më shumë dollarë, çmime shitjeje këto të regjistruara në dokumente zyrtare. Çmimi prej 2 mijë lekësh apo 2 dollarësh apo 1,3 euro që ju keni deklaruar, është qesharak dhe nuk ekziston askund në periferinë e Tiranës, prandaj ju bëjmë thirrje t’i thoni publikut çfarë fshihet prapa këtij çmimi, shmangia e detyrimit tatimor të shumës së vërtetë të përdorur për blerjen e tokës apo origjina jo e pastër e parave të përdorura për këtë qëllim. Partia Demokratike kërkon nga zoti Rama të paraqesë para publikut të gjitha dokumentat zyrtare bankare, tatimore dhe faturat e paguara, firmës së ndërtimit për 1 milion euro investim në pallatin 5-katësh me sipërfaqe ndërtimi 900 metra katrorë me investitorë dhe pronarë kunatin e shokut Rama të vetëpunësuar, dhe xhaxhain e tij pensionist”,- deklaroi zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi. Kjo e fundit pohoi se pallati nuk mund të futet në kasafortën e PS-së, por duhet të bëhen publike të gjitha shpenzimet, ndërsa sqaroi se në fakt lejet e dhëna për ndërtimin e këtij pallati janë dhënë, në kundërshtim të plotë më ligjin e urbanistikës. “Heshtja juaj familjare për këto çështje zoti Rama, flet vetë, madje shumë më tepër nga çmendoni ju. Së fundi, Partia Demokratike i deklaron zotit Rama se dy lejet e ndërtimit dhënë gruas së tij për ndërtimin e pallatit në pajë në sheshin e pallateve në konflikt të hapur interesi dhe shkelje të nenit 62 të Ligjit të Urbanistikës dhe anulimi i lejes së ndërtimit në faqen kallkan të pallateve po aty, dëshmojnë standardet më të ulëta të punës së një zyrtari”, – përfundoi Vorpsi, nga selia blu.

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :