Elton Qyno
Si kundërshtoi gjyshin e Deliut për njohjen e vajzës së Ada Musarajt
Gruaja: Ndihem e frikësuar, autori mund të kthehet të më qëllojë
Admirim Sako, njeriu më i besuar i familjes së Elton Deliut, duket se kohët e fundit ishte vënë kundër tyre, madje në një rast ai ka dalë dëshmitar para Gjykatës së Tiranës, dukë rrëzuar pretendimet e gjyshit të Elton Deliut dhe duke mbrojtur ato të ish-të dashurës së Deliut, shtetases Ada Musaraj. Një kundërshti e tillë e klanit “Deliu” është bërë pikërisht në një proces gjyqësor të zhvilluar mes Ada Musarajt dhe gjyshit të Deliut, shtetasit Adem Çaushi. Ky i fundit akuzonte ish-të dashurën e nipit se fëmijën me emrin Eltona Musaraj, nuk e kishte me Elton Deliun, por me persona të tjerë, duke i kërkuar gjykatës që të mos lejonte regjistrimin e fëmijës të seksit femër me mbiemrin Deliu, pasi një gjë e tillë për gjyshin e Elton Deliut do të sillte marrjen e pasurisë disa miliona euro nga ish-e dashura e të nipit, e cila do të shfrytëzonte vajzën për të ngritur padinë. Mirëpo gjatë seancave gjyqësore Ada Musaraj, duke shfrytëzuar njohjen me ish-shoferin personal të Deliut, shtetasin 40-vjeçar Admirim Sako, i ka kërkuar këtij të fundit që të paraqitet në sallën e gjyqit dhe të dëshmojë në favor të saj, duke treguar se fëmija e seksit femër ishte fryt i marrëdhënies së saj me shtetasin e vrarë Elton Deliu dhe me askënd tjetër.
Paraqitja në gjykatë
Me kërkesën e Ada Musarajt, gjykata ka marrë edhe provën me dëshmitarë duke thirrur në këtë cilësi shtetasin Shpëtim Çaushi (djali i të paditurit kundërpaditës Adem Çaushi dhe daja i të ndjerit Elton Deliu), shtetasit Marjo dhe Kledis Çaushi (nipat e të paditurit kundërpaditës Adem Çaushi) si edhe shtetasin Admirim Sako, mik i paditëses së kundërpaditur Ada Musaraj dhe të ndjerit Elton Deliu. Nëpërmjet dëshmive të tyre të gjithë këta persona konfirmuan kronologjinë e ngjarjeve që nga vitit 1999 e në vijim, përfshirë këtu faktet e ngjara gjatë kësaj periudhe, bashkëjetesën e pandërprerë mes të ndjerit Elton Deliu me paditësen e kundërpaditur Ada Musaraj, dijeninë mbi shtatzaninë e kësaj të fundit deri në momentin e vrasjes së të ndjerit Elton Deli dhe nënës së tij, ardhjen në jetë të fëmijës Eltona Musaraj dhe përfshirjen e anëtarëve të familjes Çaushi në këtë gëzim. Pas dëgjimit të dëshmisë së Admirim Sakos, i cili sigurisht në sallën e gjyqit ka mbrojtur versionin e Ada Musaraj dhe jo të gjyshit të Elton Deliut, Adem Çaushit, gjykata ka vendosur të njohë fëmijën, duke urdhëruar gjendjen civile të regjistrojë beben, si foshnjën e Elton Deliut, duke mbajtur dhe mbiemrin e babait. Sipas policisë së Tiranës, e cila po kryen hetime rreth kësaj çështje, kjo është një ndër kundërshtitë që Admirim Sako, i ka bërë klanit “Deliu”, ndërkohë që ka edhe të tjera raste kur anëtarë të kësaj familje të jenë konfliktuar me Admirim Sakon, për çështjen e pronave.
Gruaja: Ndihem e frikësuar
Bashkëshortja e Admirim Sakos, E. Sako, ka parë të gjithë skenën e krimit dhe se gjatë marrjes në pyetje në polici por edhe gjatë këtyre ditëve të qëndrimit në shtëpi, ajo është shprehur para policisë se ndihet e frikësuar. “Kam frikë ende nga autori, ai duhet të më njohë dhe kam frikë se mos më vijë në shtëpi apo të më qëllojë dhe mua në rrugë”, – mësohet të ketë thënë E. Sako përpara agjentëve të policisë së Tiranës. Sako, është dëshmitarja kryesore e vrasjes së bashkëshortit të saj, pasi ajo ka parë nga një distancë dy ose tre metra autorin e krimit. E tronditur nga skena makabre dhe në mungesë të dritës elektrike, Sako ka treguar se s’ka mundur t’i shohë fytyrën autorit të krimit, ndërkohë që ajo dyshon se personi që i vrau bashkëshortin, mund të rikthehet dhe të qëllojë mbi të, duke e eliminuar si dëshmitare të vetme që ka parë agresorin. Ajo ka pohuar se gjithçka ka ndodhur për 5 sekonda dhe se autori është larguar me vrap, i qetë duke hyrë në rrymën e njerëzve. Pas kësaj E. Sako, nuk ka mundur të bëjë asnjë gjë për ndalimin e tij, ndërkohë që ka vrapuar duke hapur derën e makinës tip “BMW”, ku dhe ka parë të përgjakur bashkëshortin e saj Admirim Sako. Ajo kujton se autori ka qëlluar vetëm dy herë në drejtim të Admirimit, dhe jot re herë siç ka bërë me dije policia e Tiranës.
Hetuesit: Vdekja e Admirim Sakos s’na ndalon të hetojmë
Task-forca vijon hetimet për pasurinë
“Antimafia” shtrin efektin tek familjarët
Megjithëse 40-vjeçari Admirim Sako është ekzekutuar dhe tashmë nuk jeton më, Prokuroria e Tiranës shprehet se do të vijojë hetimet për akuzën e “Pastrimit të parave” për çështjen ku Sako ishte vënë nën hetim. Burime pranë njësisë hetimore task-forcë, thanë për gazetën “Standard” se në bazë të ligjit “Antimafia”, hetimi nuk mbyllet në rastet kur i dyshuar vdes. Sipas hetuesve të çështjes në rastet e tilla hetimi shtrihet tek trashëgimtarët e tjerë të familjes, duke lënë të nënkuptohet se tashmë llogari në prokurorinë e Tiranës, për pasurinë e sekuestruar do të japë bashkëshortja e Admirim Sakos. Sipas burimeve nëse do jetë e nevojshme ajo do të merret e pandehur dhe se masa e sekuestrimit të pasurive nuk do të hiqet, edhe pse Admirim Sako tashmë nuk jeton më. Në këtë çështje nën hetim është dhe gjyshi i Elton Deliut, shtetasi Adem Çaushi, si dhe ish-e dashura e tij shtetasja Ada Musaraj. Burime pranë prokurorisë thanë se pritet që pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, çështja në ngarkim të tyre të kalojë në gjykatën e Tiranës, për akuzën e pastrimit të parave. Ndërkohë që materialet e dosjes do i kalojnë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, me qëllim vijimin e hetimit pasuror me qëllim konfiskimin e të gjitha pasurive, të cilat në total duket se kapin shifrën prej 3 milion euro pasuri. Janë dhjetëra apartamente, troje, llogari bankare dhe automjete të cilët janë sekuestruar nga prokuroria e Tiranës, pasi dyshohet se ato janë vënë si rezultat i të ardhura financiare të fituara nga trafiku i heroinës.




