Julian Kasapi
Për shumëkënd në Shqipëri, epoka e përbuzjes apo talljes me fenë duhet të kishte mbaruar me Shefqet Musarajn apo me Tuk Jakovën. Dy ditë më parë, hija e asaj epoke u shfaq në teatrin e qytetit të Korçës me dramën e titulluar “Shën Mërija e Beratit”. E shkruar nga Namik Dokle, pa dyshim në mënyrë mediokre siç ka bërë gjithçka në këtë lami ky autor, vepra fyen qartësisht të gjithë ata që kanë gjetur për udhërrëfyes të jetës dhe shpirtit të tyre besimin ortodoks. Çështja e besimit është një çështje madhore në një vend demokratik siç është e tillë edhe liria e shprehjes tek e cila siç duket strehohet z. Namik Dokle. “Liria e shprehjes megjithatë nuk është një liri për të fyer”, thotë filozofi francez Andre Glucksman, e aq më pak për të tallur besimin fetar. Feja është një e drejtë themelore e njeriut e garantuar nga kushtetuta. Po ashtu, siç thotë Robert Pattison i Universitetit të Oksfordit, “askush nuk ka të drejtë të përdorë lirinë e shprehjes si një mjet për të stigmatizuar besimin fetar të dikujt ndonëse ai mund ta cilësojë fenë një opium sipas derivës marksiste”. Pak kohë më parë gjykata e lartë e Karolinës së Veriut shpalli të pafajshëm një të ri mysliman, i cili kishte rrahur në rrugë gjatë një proteste të një organizate ateiste dikë që ishte veshur si zombie i profetit Muhamed. Gjykata tha se protestuesi kishte provokuar besimin e myslimanëve, ishte tallur me besimin e tyre dhe për këtë ai nuk kishte asnjë të drejtë. Besimi, tha gjyqtari është një gjë e shenjtë dhe askush nuk mund të tallet apo provokojë. Namik Dokle duket se është ende në atë mëngë të botës që e mendon fenë opium dhe një objekt me të cilën arti, në këtë rast shëmbëllimet e artit socrealist, ka të drejtë të luajë. Në Shqipërinë e sotme, përpjekje si kjo e dramës së z. Dokle nuk janë të pakta dhe sigurisht nuk prekin vetëm besimin e krishterë ortodoks. Edhe ndaj besimit mysliman ka pasur raste kur liria e shprehjes është shndërruar në shprehje që nxit urrejtje, që nxit fyerje. Pas më shumë 20 vitesh liri dhe pas më shumë se 20 vitesh përpjekje për të ndërtuar në Shqipëri një shoqëri që e respekton mendimin dhe besimin e tjetrit edhe kur vetë nuk e ka të sajin këtë besim, z. Dokle revokon errësirën e viteve të komunizmit ku e vetja liri fetare e respektuar ishte ateizmi dhe të tjerat ishin objekt përçudnimi dhune e talljeje. Një vepër arti, sado e shëmtuar apo mediokre, mund të jetë një mjet i mirë për të treguar se ti je përjashtues, se tjetri duhet të ndreqet për të qenë edhe pjesë e kulturës tënde. Z Dokle, siç ka bërë për vite me radhë lidhja e shkrimtarëve gjatë viteve komunizmit, këtë kërkon të tregojë dhe padyshim që është përjashtues. Sot bota demokratike nuk respekton dhe as mbron romane, komedi, drama apo filma që stigmatizojnë fenë përkundrazi i përbuz këto vepra jo se bota demokratike është domosdo fetare por sepse besimi fetar është një e drejtë themelore e njeriut dhe një element bazik i identitetit të tij. Është e mundur në një shoqëri demokratike të jenë bashkë dhe të kenë aspirata të njëjta për të mirën e përbashkët besimtarët, ateistët, agnostikët, të krishterët, ortodoksët etj. Vendi ynë e ka treguar këtë pafund me përjashtim të viteve kur Shqipëria ishte humbella më e madhe e antilirisë dhe kur z. Dokle kreshpëronte besimin e tij edhe tek ateizmi si përjashtim. Liria e shprehjes nuk është liri për të fyer fenë e as vetëkënaqje me nxjerrjen në skenë të mediokritetit dhe frymës përjashtuese.




