Kryeministri godet korrupsionin

 Laert Islami

 

krueDje kreu i qeverisë reagoi menjëherë nga denoncimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, strukturë kjo e ngarkuar nga Kushtetuta të zhbirojë të gjitha rastet e dëmtimit të interesave të Arkës së Shtetit. Reagim i vendosur, njëlloj si shkarkimi në 4 minuta i një ministri me problem morali kohë më parë. Kuptohet që mediat pro opozitës e kaluan në heshtje këtë veprim. Që përbën një lëvizje që shpreh një vullnet të hekurt për ta mbytur abuzimin me pronën dhe interesat publike që në djep. Shkeljet e zbuluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Komisionin e Prokurimit Publik dhe procesi i ankimimit për këtë proces, kanë bindur drejtuesin e qeverisë të sjellë furtunë në drejtimin e këtij Komisioni, agjencia më e lartë ekzekutive në këtë fushë. Dje, qeveria, me propozim të Kryeministrit Berisha, mori vendimin për të shkarkuar Kryetarin e Komisionit të Prokurimit Publik. Kryeministri nuk u ndal nga fakti se kjo strukture varej drejtpërsëdrejti nga Kryeministria dhe mund të kishte kosto politike. Ai e di fare mirë se kosto shumë më e lartë, e papërballueshme është bashkëjetesa me korrupsionin. Mosgoditja e tij nga frika e kostove të mundshme elektorale. Jo! Interesat e shtetit, vendosja e shtetit të së drejtës është e para. Dhe godet fort. Furtuna në këtë institucion qendror dhe fuqiplotë për sa i përket prokurimit publik ka prekur dhe dy anëtarë të tjerë. Dhe ata të denoncuar nga KLSH. Institucion që ka kallëzuar në Prokurori vitin e kaluar dy herë më shumë raste korruptive nga sa pati bërë në tre vitet e shkuara. KLSH, duke kontrolluar mënyrën sesi Ministria e Brendshme i realizonte tenderat, zbuloi shkelje me pasoja të rënda që Komisioni i Prokurimit i ka shkaktuar Buxhetit të, pas shpalljes si fitues të disa firmave private, në mënyrë të padrejtë. Auditimi është kryer gjatë muajve të verës 2012, duke pasur në fokus të gjithë dokumentacionin e realizimit të prokurimeve nga 1 janari 2011 deri në gusht 2012. Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, me cilësinë Autoriteti Kontraktor, në disa procedura prokurimi ka kualifikuar në përputhje me rregullat e prokurimit disa operatorë ekonomikë, të cilët kanë paraqitur ofertat e tyre në vlera më të vogla sesa operatorët e tjerë pjesëmarrës. Disa operatorë të tjerë pjesëmarrës në tender të interesuar për të dalë fitues, kanë paraqitur ankim administrativ pranë Komisionit të Prokurimit Publik për këto procedura. Sipas KLSH, këtu nis procesi tjetër i shpalljes së fituesve në mënyrë të padrejtë. Nga vlerësimi i dokumentacionit të shqyrtimit administrativ të këtyre ankesave të marrë nga Ministria e Brendshme dhe sistemi elektronik i prokurimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik, rezultoi se Komisioni i Prokurimit Publik ka vepruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, sepse ka skualifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit operatorët ekonomikë, të cilët kanë paraqitur ofertat në vlera më të ulëta. Perceptimi në publik mund të jetë më i lartë për dukuritë e korrupsionit në qeverisje, por kjo qeveri e ka treguar në shumë raste se prodhon ambient antibiotik ndaj dukurisë më gërryese të demokracisë e shtetit të së drejtës. Korrupsioni dhe mashtrimi financiar mund të luftohen me sukses vetëm me punë në sistem dhe Kryeministri vepron shumë mirë që i beson Kontrollit të Lartë të Shtetit, organit ekspert dhe që ka detyrë zhbirimin e dukurive abuzuese ndaj interesave të Buxhetit të Shtetit. Të tilla shkarkime që nuk kursejnë as edhe majat më të larta të vendim-marrjes qeveritare (prokurimi publik lëviz me qindra miliona euro para shtetërore) janë shembull i qartë se lufta ndaj korrupsionit dhe toleranca zero ndaj kësaj dukurie nuk janë fjalë boshe, as propagandën e qeverisë së sotme.

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :