Kryeministri: Shqipëria, e përgatitur që të marrë përsipër përgjegjësinë e saj dhe të luajë rolin e saj si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit për të lehtësuar krizën e refugjatëve sirianë
Edhe pse ende nuk është publikuar progres-raporti i Komisionit Evropian, qeveria duket e dorëzuar, duke bërë të ditur se shpreson që çelja e negociatave për anëtarësim të ndodhë në 2016-ën. Ishte Kryeministri Rama që në konferencën me Presidentin e Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve në PE, Gianni Pitella, deklaroi se vendi do të mund të sigurojë hapjen e negociatave vetëm vitin e ardhshëm. “Ne jemi plotësisht dakord, të paktën në këtë spektër politik të Evropës, që viti i ardhshëm duhet të jetë viti i hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, bazuar në gjithë ecurinë e qëndrueshme dhe të vendosur të qeverisë shqiptare dhe të shumicës së qeverisë, për të çuar përpara një proces të gjerë reformash shtetndërtuese”, – u shpreh Rama. Në të njëjtën linjë me të, Pitella, i cili shoqërohej në takim nga raporteri për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, dhe eurodeputeti Richard Howitt, theksoi se vendi do të përfitojë hapjen e negociatave në vitin 2016, ndërsa theksoi se anëtarësimi do të mund të ndodhë në 2019-ën. “Unë besoj se 2016-ta duhet të jetë viti i hapjes së negociatave. Siç po thoshim me Edin gjatë takimit tonë, nuk mund të jemi kandidatë për fejesë pa komunikuar. Nëse duhet ndërmarrësh një fejesë e më pas një martesë, duhet të diskutohet, të flitet. Kështu që, është e drejtë që pasi ka bërë mirë detyrat në shtëpi, Shqipëria të shndërrohet negociatore, partnere me BE-në, që pastaj të arrijë në 2019-ën të jetë një anëtar i Bashkimit Evropian”, – deklaroi Presidenti i Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve në PE.
Konferenca
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Pitellën, Rama bëri të ditur disa detaje të takimit, duke theksuar se në qendër të diskutimit ishte reforma në drejtësi. “Ne presim me qetësi, por edhe me padurim, reagimin e Komisionit të Venecias përmes një raporti të ndërmjetëm, shpresojmë në fund të nëntorit apo fillim të dhjetorit, që besojmë se do të jetë një konfirmim i rëndësishëm në prag të Këshillit Evropian”, – tha Kryeministri. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë foli edhe lidhur me krizën e refugjatëve, ku theksoi se Shqipëria është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësitë e saj si vendet e tjera të Ballkanit. “Shqipëria, pavarësisht se nuk është pjesë e korridorit, është e përgatitur që të marrë përsipër përgjegjësinë e saj dhe të luajë rolin e saj si të gjithë vendet e tjera të Ballkanit dhe të bëjë gjithçka për të lehtësuar sadopak këtë krizë të rënde dhe për t’iu gjendur pranë një aleati të madh strategjik, siç është Bashkimi Evropian dhe posaçërisht, një partneri kaq të rëndësishëm, siç është për ne Gjermania”, – theksoi ai. Lidhur me këtë çështje, Pitella pohoi se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit po i japin të gjithëve një leksion të gatishmërisë dhe të aftësive mikpritëse. “Edhe Shqipëria që deri tani nuk është prekur nga kjo çështje është e gatshme, ka deklaruar gatishmërinë e asaj, duke afirmuar vlerën e solidaritetit që disa herë është harruar nga disa shtete evropiane. Politikisht kjo është shumë domethënëse”, – theksoi ai.





