Java Ndërkombëtare e Ujit/   Të gjitha detyrimet do të përmblidhen në një faturë, Veliaj: Tolerancë zero

 

Skema e re, sipas Veliajt, konsiston në detyrimet e përmbledhura në një faturë të vetme, si dhe për zbritjen e faturave për klientët e rregullt

 

erjon veliaj

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Ujit, në një aktivitet të organizuar, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila tashmë do të jetë nën administrimin e Bashkisë, do të ndryshojë tërësisht dhe se nuk do të ketë më asnjë tolerim për ata që vjedhin këtë të mirë publike të përbashkët. Veliaj shpalosi skemën e re të bashkisë në menaxhimin ë këtij institucioni të rëndësishëm. “Kemi organizuar disa grupe pune task-forcë, si rezultat i së cilës ne kemi bërë disa bllokime, sekuestrime, arrestime. Janë bllokuar 15 autobote dhe kemi arrestuar 10 punonjës të UKT-së, tolerancë zero për cilindo punonjës. Kemi bllokuar veprimtarinë e lavazheve apo subjekteve private me lidhje të paligjshme”, – deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës. Gjithashtu, Veliaj bëri me dijë se duke nisur nga viti i ardhshëm, të gjitha detyrimet ndaj Bashkisë do të përmblidhen në një faturë të vetme të shpërndarë në 12 muaj, me qëllim shmangien e sorollatjes së qytetarëve nëpër zyra. Ndërkaq, ai shtoi se 70% e ujit të pijshëm në kryeqytet vidhet ose shpërdorohet, ndërsa ka shtuar se nuk do të ketë më asnjë tolerancë për subjektet që e shpërdorojnë ujin e pijshëm, siç ka ndodhur më lavazhet apo për personat që e tolerojnë këtë shkelje, siç janë punonjësit e UKT-së. Ndërkohë, Veliaj sqaroi: “Zakonisht vendet që nuk kanë ujë janë menaxherë të mirë të çdo pike të ujit. Ne bëjmë të kundërtën, notojmë në ujë dhe jemi menaxherë më të këqij të ujit, ku 70% të ujit që prodhohet në territorin e Tiranës humbet. Qytetarët sipas skemës së re të menaxhmit që do të hartojë Bashkia do të ngarkohen me dy detyrime të reja. Së pari në faturën e ujit të pijshëm do të mblidhen disa taksa të Bashkisë mes të cilave ajo e pronës. Kur të shkoni të merrni një certifikatë në sportelin e njësisë administrative do t’ju thonë nuk ke paguar taksën e pronës, ik paguaj njëherë atë dhe pastaj hajde merr certifikatën. Duke filluar nga fundi i këtij viti dhe fillimi i vitit tjetër të gjitha detyrimet e Bashkisë do të jenë në një faturë të vetme. Së dyti, klientët që paguajnë rregullisht faturat e ujit, do të jenë dhe aksionerë në UKT. Nga fatura klientëve të rregullt në fund të muajit zbritet përqindja e fitimit të kompanisë, që do të thotë nëse shoqëria del me fitim 5% në muaj, kaq do të jetë dhe përqindja që do të zbritet nga faturat e klientëve të rregullt”. Ujësjellësi dhe Bashkia pas ardhjes së Veliajt në krye të këtij institucioni kanë nisur një valë të thellë kontrolli si pasojë e të cilit janë kryer edhe arrestime të punonjësve, por edhe të qytetarëve për vjedhjen e ujit.

 

Share it :