Nga Ndriçm Mehmeti
Shkrimtari-politikan dhe politikani-shkrimtar, nuk ka asnjë gjë që i ndan. Madje, edhe kur është në një studio televizive dhe në kafenenë e Gracenit, shumë afër Bashkisë së Basenit, flet njësoj. I qetë, i hapur, kryelartë, pa iu dridhur qerpiku për asgjë dhe nga asgjë. Nuk qeshin, nuk qajnë, nuk ngrysen, nuk kërrusen, tallen me veten e me të tjerë, për gjëmat, bëmat, në të cilat, siç do ta kuptoni edhe vetë, ka qenë i pranishëm, madje fuqishëm shkrimtari-politikan dhe politikani-shkrimtar. Tani atë nuk është se e bren ndërgjegjja për atë që serviri si pjatën e preferuar për shqiptarët, nga restoranti i partisë së tij, ai është shqetësuar se krejt papritur ka zbuluar se të gjithë janë njësoj dhe duhet të ruhemi edhe nga vetja jonë, domethënë edhe nga ai.
Çfarë thoshte Blushi në kafen e Gracenit në prag të qershorit 2013
“Xhehenemit ku na ka zhytur Saliu, po i vjen fundi. Prej Ramës prisni shpëtimin në vitin e parë dhe në vitin e dytë xhenetin, që nuk do t’jua sigurojë as Allahu e asaj Shën-Pjetri”. Një zë i mekur diku nga fundi e pyeti kryekandiatin e qarkut të Basenit: “Ç’do të bëje zotrote nëse Saliu hap tunelin e na shkurton nga pak distancën. Allahile, nuk e kaloj dot Kërrabën. Më ngatërrohet zorrët si në të ri e tani në pleqëri”. Me brof u ngrit e pa menduar gjatë ju gjejgj kryekandidati: “Saliu gënjen. Po e hapi tunelin, unë marr teserën. Ky është basti im si politikan dhe këtë mos e harroni”. Mbase nën avujt e alkoolit, mbase i dehur nga era plot ajër e fshatit, shkrimtari-kryekandidat nuk e kuptoi fare që po gënjente veten dhe të tjerët. I pyetur pak orë pas zgjedhjeve nën dritën e zbehtë të kamerave në një nga vendrojat e klasës së Basenit, ku kishte marrë pozicionin e kryekandidatit fitimtar për premtimin e tij për teserën, avujt e alkoolit e çuan larg, shumë larg. Duke u zënë me veten për atë që kishte thënë, përdori togfjalëshin e kryekomandantit të tij në PS, “sido që të jetë, edhe premtimin që vetë e dhashë, faj nuk kam unë, por Saliu, që hapi tunelin”. Në kafen e Gracenit, herë kur vinte kafeja e sajdisur më së miri, e herë kur vinte kalastreni me pilaf, që kullonte nga yndyra, sapo hidhej gota e parë me verë, shkrimtari-kryekandidat kishte të njëjtin urim: “Kështu do ta kemi të mbushur tryezën ngahera, sapo të heqim qafe Saliun e të sjellim Ramën në pushtet. Dëgjojeni mirë këtë fjalë që ju them, se unë nuk gënjej. Këtu do të jemi e do të piqemi dhe do të më thoni se kishe të drejtë”. Tani kafja e Gracenit është mbyllur. Jo se nuk kishte shumë punë, porse ai qafir-pronar harroi të priste kuponin dhe e çuan drejt e në komisariatin më të afërt që i binte të ishte Baseni. Gjindja e Gracenit kënaqen e nxjerrin mallin me kryekandidatin sa herë që e thërret Blendi, Arjani, Ylli, Much-i apo kur del i irrituar nga mbledhjet e partisë së tij përballë kamera që e ndjekin. Kryekandidati me zemër sigurisht, ka shkuar në Gracen, por librat, urrejtja dhe refuzimi që ka për politikën, nuk ia jep këtë të drejtë. Sikur të ishte ndryshe, ai do të kishte shkuar, madje nga rruga e vjetër. Rrugën e re nuk e ka shumë qejf. Kur kalon andej i duket sikur i del përpara Saliu me teserë në dorë dhe i thotë: “Merre se mezi ia mora Lulit një për ty. Nuk e besonte që e doje, por unë hyra garant, e ti e di që ai s’ma prish”. Do të shkoj në Gracen e jo më tutje, se këmbët nuk i bëjnë. Tani e ka kapur inati i patriotit, politologut, puritanit evropian me dimensione humane të mëdha.
Çne Lef Nosi të kapardiset në mes të sheshit, përballë kalasë e rrugës ku kalon Sedini?
Shpjegimi është i qartë, për shumëkënd që nuk e di kush është Lefi, të vërtetën monopol e ka vetëm shkrimtari-politikan, historian i sprovuar e plot gallatë Blushi: Kolaboracionist i thekur, armik e kaluar armikut, që e kishte hak plumbin. Ishte i një kallëpi me Petenin, që Franca e dënoi aq shumë për atë që bëri, sa e la të jetonte. Lefi i poshtër e maskara duhej të pushkatohej. Madje edhe kockat është mirë të mos ia dimë. Çfarë!? Është nënshkruesi i pavarësisë? Punë e madhe. Vuri një firmë sa për tangërllëk e rrëmbeu aktin e nuk ia dha kujt. Madje akoma më keq, e shiti në treg? Sa lek Blushi nuk e di, mjafton që të thotë e shiti, e ne të tjerët duhet të përulemi përpara kësaj të vërtete. Po ç’rëndësi ka ajo që bëri Lefi për vendin? Rëndësi ka ku shkoi qeni besnik i Nolit, që mbartte me vete plot halle e derte të së mjerës Shqipëri. Erdhën gjermanët e Lefi shkoi me vrap e i përqafoi se i kish marrë malli. I dhanë në dorë drejtimin e Shqipërisë, që Lefi e shoi e bëri kërdinë. Koleksionist, pseudofirmëtar i pavarësisë, shitësi i objekteve të radhë, të Nolit e Qemalit – ja më thoni o shqiptarë – vijon të na thotë e shkruajë shkrimtari-politikan a vlen të nderohet? Do thoni ju që partia ime nderon akoma diktatorin Hoxha. E di edhe unë këtë fakt – sqaron shkrimtari-historian, por ata e kanë me shaka. U bëjnë qejfin të rrjedhurve që votojnë ende për ne dhe ca gomerëve që besojnë se ne e kemi xhan. Ju lutem mos më përmendni këmishën e fashizmit që pak kohë e veshi edhe gjyshi i kryeparlamentarit të Basenit. Ishte, i gënjeu i ziu, prandaj shkoi tek partizanët. Por ama unë nuk e duroj dot padrejtësinë, që në pikë të sabahut, Sejdini, kalon në mes të Elbasanit, sheh Nosin e përshëndet allaturka “merhaba zoti Lef” e më pas shkon tek puna. Ç’është kjo gjëmë që i ka rënë vendit? Djema, burra, gra, harroni bukën, skamjen, dhunën, varfërinë që ju vret çdo ditë, e rrëmbeni, kosore, litar, sfurqe, hunj e dhe një dumdum të fortë e rrëzojeni Lefin. Lehtësojeni shpirtin tuaj, me këtë vepër fisnike. Pas kësaj do të vij unë t’ju qeras në kafen e Gracenit me një teke e një buzëqeshje. Madje do ta shihini sa të qetë do të flini, edhe pse fëmijët atë natë nuk do të kenë asnjë gjë në tenxhere. Mos kujtoni se gjynahet lahen në kishë e xhami. Jo! Vetëm rrëzimi i bustit të Lefit, ju shpëtoj nga djalli që ju ka mbërthyer shpirtin e s’ju le të merrni frymën. Harroni çdo gjë, se duhen ende edhe dy vjet. Ama kur të rrëzoni bustin edhe unë do të fle i qetë. Të nesërmen do të çohem të ha mëngjes vetëm, të pij një kafe shoqëruar me cigare plot ëndje në ballkon dhe do të vazhdoj me ritualin tim ditor. Pas dëgjimit të gazetave, këmbët vetiu të çojnë drejt laptopit, të ulem e të shkruaj për thagmën që na bëri evropian: Qytetarët e Basenit të ndihmuar nga votuesit e mi besnikë të Gracenit, rrëzuan bustin. Do të flas edhe me Edin, pavarësisht se kemi dy vjet që nuk shihemi, të hartoj një VKM, që dita e rrëzimit të bustit të Lefit, të bëhet pushim. Atë ditë qytetarët e Basenit do të presin miq revolucionarë nga Venezuela e deri në Greqi, ndërsa fshatarët e Gracenit, me kasën tatimore në xhep, do të zbresin të nxjerrin ndonjë lek. Dhe mos harroni të thoni “Aferim o Blush, që na shtove ditët me festa, na mbushe mendjen se do të shkojmë në xhenet, e barkun jo me bukë, por me fjalë të ëmbla. A thua do ta presin përsëri të lumtur tek kafja e sajuar në mes të sheshit, qytetarët e Gracenit, kryeparlamentarin e Basenit? Unë jam i sigurt që po. Nuk ka ndodhur asgjë e keqe. Ai i ka përfaqësuar më së miri në Kuvend. Nuk ka marrë pjesë në sherr, i ka thyer turinjtë Saliut, Strazimirit, Flamurit e gjithë grupit armiqësor të deputetëve, njësoj si paraardhësit e tij Lefit më 1945. Blushi dhe të tijtë, nuk e dinin në 1945, se ç’ishte komunizmi. Kjo nuk ka shumë rëndësi nëse e dinte Mit’hati, Lefi e ndonjë tjetër. Populli është mbi udhëheqësit. Tani që Blushi e di se kë ka brenda në grupin e tij, nuk është se akuzon veten. Madje në kundërpërgjigje të kësaj padrejtësie të madhe, që i është bërë popullit të Blushit me ndihmë e tij, ai ka një zgjidhje origjinale: Rri e shkruaj, promovoj e shes, fitoj ndonjë lek, në shenjë refuzimi ndaj kolegëve të partisë time në pushtet.
Hobi më i fundit që nuk do ta lë të mërzitet Blushin është nxjerrja nga fundi i dheut i kolaboracionistëve. I ngatërron ndonjëherë por s’ka gjë. Për shembull në vend që të thotë Mehdi Frashëri, thotë Mit’hat Frashëri. Por nuk është se gabon ndonjë gjë të madhe. Në kuadrin e frymës revolucionare, kur një i fisit është armik, me rregull treshi i bie që i gjithë fisi të shpallet i padëshiruar. Tani vepra më e madhe e kryedeputetit të qarkut të Basenit është të tërheq zvarrë bustin e Lefit. Të nxjerrë “të vërtetën”, edhe prej varrit e të mos e varrosi përsëri, por kockat t’jua tregojë votuesve të Gracenit. Këta të fundit zamet e kanë ta mbajnë në qafë e nja katër vjet. Duke u moshuar e plakur, shkrimtari-politikan do të bëhet si vera, e ëmbël dhe më e mirë. Po të ra në kokë shumë shpejt, fajin nuk e ka Kryeparlamentari i qarkut të Basenit. Fajin e kanë ata që e mbajtën krah fuçinë me bërsi të kalbura, që jua shiti Blushi për rrush safi.




