“Në qeverisjen e PD-së fondi për bujqësinë do të jetë shumë më i madh sesa në buxhetin më të lartë që ka pasur për bujqësinë. Taksat e ulëta në qendër dhe 650 milionë eurot e taksave te larta do t’u kthehen qytetarëve
Në kuadër të turit “Fjalën e kanë qytetarët!”, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua dje me fermerët e Petovës në Fier, ku u njoh me shqetësimet e tyre që lidhen me çmimin e lartë të plehrave kimike, mungesën e subvencioneve, mungesën e investimeve në kanalet kulluese dhe vaditëse, si dhe mungesën e tregut. Kryedemokrati theksoi se taksa e vetme për fshatin do të jetë taksa mbi tokën. “Taksë tjetër nuk do të ketë. Taksë prej 350 lekë për dynym dhe taksë e tokës do të shpenzohet e gjitha për vaditjen dhe kullimin. Hapi i dytë është nafta pa akcizë, dhe hapi i tretë që do të ndërmarrim është ulja e çmimit për të gjitha imputet”, – theksoi Basha. Ndërkaq, banorët e zonës theksuan se shqetësim kryesor mbetet rritja e taksave dhe mungesa e vendeve të punës. “Pamundësia për të blerë plehrat kimik ka bërë që këtë vit të mos ketë prodhim” i thanë banorët liderit të demokratëve. Nga ana e tij ky i fundit theksoi se në qeverisjen e Partisë Demokratike fondi për bujqësinë do të jetë shumë më i madh se sa në buxhetin më të lartë që ka patur për bujqësinë. “Taksat e ulëta do të jenë në qendër të politikave të Partisë Demokratike dhe 650 milionë eurot e taksave te larta, që sot përfundojnë në xhepat e qeveritarëve do t’u kthehen qytetareve”.
Shqetësimet e fermerëve
Në takimin me kreun e PD-së, tregtarët shprehën një sërë shqetësimesh, duke theksuar se çmimi i plehrave në Shqipëri është më i lartë se në Itali dhe në vendet e rajonit. “Domatja shitet nga fermeri me 200 lekë të vjetra ndërsa në Tiranë ajo arrin në 1000 lekë të vjetra, pasi kalon në 3 apo 4 duar”, – tha një tregtar. Ndërkaq, një tjetër fermer pohoi: “Një pleh që është shumë i domosdoshëm për serat, në Itali është 20 euro këtu tek ne është 250 mijë lekë. Në Kosovë një kuintal ure është tek 30 euro, tek ne është 70 mijë lek. Edhe mungojnë tregjet zoti kryetar, ne nuk kemi një treg, nuk dimë ku ti çojmë. Ia dhe mikut, ia dhe shokut, nuk na i ke dhënë ne”. Ndërkohë, një grua pjesëmarrëse ne takim u ankua tek Basha duke theksuar: “Po lajmë me kazan, po pjek bukën me çerep, çfarë të them më. Fukarallëk i paparë dhe nuk e dimë si do të përfundojmë. Burrë i papunë, djali papunë, unë vetë papunë. Do thuash me ugaj, ugaj s’jep asgjë ne. Sivjet nuk kanë zënë se po nuk u hodhe pleh ato nuk zënë”. Ndërkohë në fjalën e tij lideri i opozitës theksoi se paratë që do ti dedikohen fshatit do të jenë shumë më shumë se ç’janë dedikuar në vitin më të mirë të qeverisjes së PD-së. “Këta këtë vit 6 milionë dollarë. Se çfarë do të bësh me 6 milionë dollarë kujt do t’ia japësh më parë, gjysmën i marrin për vete. 650 milionë euro që i marrin këta sot me taksat e rritura ne do t’ia kthejmë njerëzve”.





