Manny Pacquiao, ish-kampioni i botës në boks, do të përfundojë karrierën më 9 Prill të vitit 2016. Njoftimi u dha nga menaxheri i filipinasit, Bob Arum. Drejtuesi i “Top Rank”, kompania që menaxhon karrierën e Pacquiao-s, zbuloi se boksieri do të zhvillojë një sfidë të fundit në ring dhe më pas do t’i kthehet jetës politike në vendin e lindjes. Aktualisht, 36-vjeçari është kongresmen në Filipine, por aspirata e tij është që një ditë të bëhet senator. Sipas Arum, ambicia e Pacquiao-s në karrierën si politikan mund të realizohet prej muajit maj, me zgjedhjet në provincën e Sarangani-t.Nëse fiton një nga 24 vendet kombëtare në Senat, boksieri do ta kishte shumë të vështirë të përqendrohej maksimalisht më ring. dueli i fundit për Manny Pacquiao-n kundër Floyd Mayweather, u cilësua edhe si “sfida e shekullit”. Filipinasi u thye në atë mbrëmje, por megjithë zhgënjimin për rezultatin, ai u ngushëllua me përfitimet ekonomike. Në duelin më të kushtueshëm në histori, ku të ardhurat arritën vlerën e 600 milionë dollarëve, edhe pse doli i humbur Pacquiao përfitoi plot 180 milionë dollarë. Boksieri që në karrierë regjistron 57 fitore, nga të cilat 38 me knock out, 6 barazime dhe 2 humbje, ka fituar tituj botërorë në tetë kategori të ndryshme, duke qenë i vetmi në histori që e ka realizuar diçka të tillë. Për sa i takon rivalit me të cilin do të mbyllë karrierën, për momentin nuk ka asnjë kundërshtar, por alternativa janë emra Terence Crawford, britaniku Amir Khan, meksikani Juan Manuel Márquez apo Timothy Bradley Jr. Dueli i lamtumirës së Pacquiao mund të zhvillohet në Garden Arena MGM Grand të Las Vegasit, por alternativa janë edhe Dubai ose Katari.




