Europa League / Skënderbeu në kërkim të pikëve ndaj Lisbonës

 

Skënderbeu humb ndaj DinamosKorçarët kanë mundësi të marrin pikë ndaj portugezëve, duke pasur parasysh se kundërshtarët duhet të mendojnë edhe për sfidën me Benfikën

 

Jurges Veizaj

 

Në “Estadio Jose Alvalade” të Lisbonës, Skënderbeu mund të ketë rastin ideal për të marrë pikët e para në grupin H të Europa League. Të enjten në orën 19:00, kampionët e Shqipërisë do të sfidojnë Sportingun e Lisbonës me shpresën për të regjistruar një rezultat pozitiv, përballë skuadrës që drejtohet nga Jorge Jesus. Portugezët edhe pse janë një skuadrat më të frikshme të grupit, gjatë këtij sezoni po mendojnë më shumë për kampionatin ku synojnë të fitojnë titullin, trofe i cili u mungon që nga viti 2002. Për këtë arsye ndaj Skënderbeut, Sportingu nuk pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm, pasi vëmendja më e madhe e bardhjeshilëve është të derbi i Lisbonës përballë Benfikës që do të zhvillohet të Dielën e ardhshme. Në dy ndeshjet e para në grup skuadra e Jorge Jesus ka grumbulluar vetëm 1 pikë, statistikë kjo që tregon qartë se Sportingu mendon më shumë për kampionatin portugez të cilin e kryeson në kuotë të barabartë pikësh 17 me Porton. Në fitoren 4-0 në Kupë ndaj modestëve të Vilafranqueneses, trajneri Jesus la në stol shumë titullarë dhe të njëjtën gjë numri 1 i stolit të Sportingut pritet ta bëjë edhe në sfidën ndaj kampionëve të Shqipërisë. Portieri Rui Patricio dhe sulmuesi kostarikan Bryan Ruiz nuk janë riaftësuar ende plotësisht nga dëmtimet respektive dhe për ti patur të gatshëm për ndeshjen ndaj Benfikës, Jorge Jesus nuk pritet ti aktivizojë ndaj Skënderbeut. Në stol mund të qëndrojnë edhe emra të tjerë të rëndësishëm si Andre Carillo, Teofilo Gutierrez apo edhe mesfushorët Adrien Silva e Joao Mario. Në fakt edhe Skënderbeu ka një ndeshje shumë të rëndësishme në kampionat atë ndaj Partizanit por në ndryshim nga Sportingu korçarët pritet të luajnë me formacionin më të mirë të enjten. Në Jose Alvalade objektivi i të besuarve të Mirel Josës do të jetë një dhe i vetëm të marrin pikët e para në grupin H. Pas lojrave të mira përballë Beshiktashit dhe Lokomotivës së Moskës por pa marrë qoftë edhe 1 pikë, Skënderbeu tashmë synon të bëjë rezultat, dhe rasti ideal është ndeshja ndaj luanëve të Lisbonës.

 

Arbitër maltez për sfidën

 

Sfida e Jose Alvalades mes Sportingut të Lisbonës dhe Skënderbeut do të gjykohet nga një 6-she gjyqtarësh maltezë. UEFA publikoi emrat e arbitrave që do të vendosin drejtësi në takimin e kësaj të Enjteje. Kryesor do të jetë 37-vjecari nga Malta, Clayton Pisani, ndërsa asistentë të tij bashkëkombasit Alan Camilleri, Mitchell Scerri, Marco Borg, Philip Farrugia dhe Edward Spitteri. Clayton Pisani është një gjyqtar i njohur në arenën ndërkombëtare pasi mban stemën e FIFA-s që prej vitit 2009. Nga data 12 Gusht e këtij viti deri në 14 Gusht ai është përfshirë nga UEFA në kursin e përgatitjeve të arbitrave më të mirë të këtij institucioni. Në karrierën e tij të deritanishme Pisani ka vizituar edhe në një rast Shqipërinë, teksa në datën 10 Korrik të vitit 2014 ka gjykuar sfidën e vlefshme për raundin e parë të Europa League mes Flamurtarit të Vlorës dhe gjeorgjianëve të Sioni Bolnisit. Ky takim përfundoi me fitoren 1-2 të Sioni Bolnisit por falë fitores 2-3 në ndeshjen e parë në transfertë, Flamurtari avancoi më tej. Një ndër ndeshjet më të rëndësishme që ka drejtuar 37-vjecari nga Malta në karrierën e tij të deritanishme ka qenë ajo mes Gjibraltarit dhe Gjermanisë që u mbyll me fitoren 0-7 të skuadrës së Joachim Low. Sfida e fundit për eliminatoret e Evropianit, Francë 2016-të e gjykuar nga Pisani ka qenë ajo mes Lituanisë dhe San Marinos e fituar 2-1 nga vendasit. Në atë ndeshje San Marino shënoi golin e parë në një fushatë kualifikuese pas plot 2 vjetësh, një dhënë kjo që tregon se ky arbitër është fatsjellës për skuadrat e vogla. Ndoshta Pisani mund t’i sjellë fat edhe Skënderbeut që në Lisbonë do të kërkojë të shënojë golin e parë në fazën e grupeve të Europa League si dhe të grumbullojë pikët e para.

Share it :