Tenderi / PD çon në prokurori Lamen e ALUIZNI-t, Strazimiri: I dha 1.5 milionë USD mikut të tij

 

strazimiriDeputeti i PD-së: Cili ekspert prokurimesh garanton pastërtinë e një tenderi konsulence 600,000 dollarësh në veç 3 javë? Cila kompani konsulence paguhet 8000 dollarë në ditë, d.m.th. 100 dollarë ora?

 

Gëzim Saliu

 

Partia Demokratike ka ngritur një akuzë zyrtare ndaj kreut të ALUIZN-it Artan Lame lidhur me një tender të paligjshëm që ka sjellë 1.5 milionë dollarë humbje për qytetarët shqiptarë. Deputeti i PD-së Gent Strazimiri bëri të ditur se dokumentacioni që zotëron forca më e madhe opozitare do të dorëzohet në Prokurori pasi sipas tij janë të shumta faktet që vërtetojnë se Lame ka favorizuar mikun e tij të afërt për të përfituar tenderin. “Më 28 mars, Lamja i Ramës ishte tek zyrat e ALUIZNI-t tek “Ali Demi”, dhe tha: Kemi 40 grupe në terren, rreth 100 specialiste që punojnë vetëm në Tiranë, duke bërë matje. Ja ku kemi këtu, faqen zyrtare të ALUIZNI-t, që tregon për punën e madhe në njerëzve të Lames. Pra, kishte një ushtri me njerëz në rrugë për të bërë matjet, dhe sot për punën e bërë, për produktin që e ka në sirtar, në fakt një produkt që e ka gjetur aty sepse është bërë para vitit 2013, Lamja ka nxjerrë ca miliona të mira nga arka e shtetit, 1.5 milionë dollarë, dhe ia ka dhënë mikut të tij. Për operacionin korruptiv është kujdesur drejtoresha e Lames, zonja Dervishaj! Ajo që mban firmën dhe vulën, ka përcaktuar kriteret e tenderit, dhe rastësisht në fund, milionat i merrka burri i saj, zoti Dervishaj”, – tha ai.

 

Faktet e PD-së

Sipas demokratëve, kreu i ALUIZN-it nuk po jep asnjë shpjegim për 1.5 milionë dollarët e paguar, për të prodhuar të njëjtat letra dhe për prokurimin dy vite rresht të së njëjtës konsulence dhe për të njëjtin terren. “Nëse “zoti Lam” do të fliste, do të duhej të na tregonte cili ekspert prokurimesh garanton pastërtinë e një tenderi konsulencë 600,000 dollarësh të kryer në veç 3 jave? Nëse “zoti Lam” do të fliste, do te duhej të na tregonte cila qenkësh kjo kompani konsulencë Shqiptare që paska mbi 200 punonjës të trajnuar dhe me eksperiencë që të mundet të tejkalojë ritmet e ALUIZNI-t i cili na paskësh patur mbi 100 punonjës ne terren vetëm në Tiranë? Nëse “zoti Lam” do të fliste, do të duhej të na shuante kureshtjen edhe mbi faktin se cila kompani konsulence paguhet 8,000 dollarë në ditë, d.m.th. 100 dollarë ora? PSE duhen bërë këto matje nga firma private, kur ALUIZNI e ka strukturën të ngritur prej vitesh, me qindra punonjës me eksperience e të trajnuar dhe që po ecnin me ritme aq te larta sa ç’na deklaruat para 16 muajsh? Si shmanget konflikti i interesit kur tenderin e fiton bashkëshorti i drejtoreshës që harton termat e referencës për tenderin në fjale?”, – pyeti Strazimiri. Në fund të deklaratës së tij, deputeti i PD-së bëri të ditur dërgimin e çështjes në Prokurori duke theksuar se “dita e fundit është pranë”. “Shqiptarët nuk meritojnë këtë qeveri hajdutësh që po vjedh ditën për diell sikur të ishte dita e fundit. Partia Demokratike po depoziton sot gjithë dokumentacionin përkatës në Prokurori dhe garanton Shqiptaret që hajdutet nuk do mund të gëzojnë asnjë cent nga paratë e vjedhura në mënyre kaq të pacipë”, – u shpreh Strazimiri.

 

Reagimi

ALUIZNI: Tenderi, për shërbime e jo konsulencë

 

ALUIZNI reagoi dje pas akuzave të PD-së duke theksuar se tenderi i cili denoncohet nga opozita është kryer për shërbime. Duke sqaruar se kemi të bëjmë me “tender për shërbime”, zëdhënësja e ALUIZN-it tha se kompania që ka fituar tenderin do të hartojë një dosje dokumentare tekniko-ligjore e cila merret në dorëzim nga punonjësit e ALUIZNI-t. “Bëhet fjalë për “Tender i hapur dhe kërkesë për kuotim për shërbimin” organizuar nga disa drejtori rajonale të ALUIZNI-t (në Durrës; Tiranë, Shkodër, Fier, Elbasan, Lezhë, Vlorë, Berat, Lushnjë). Më tej ALUIZNI iu referuar një vendimi qeverie të vitit 2014 lidhur me akuzën e PD se tarifat me të cilat po paguhet kompania private. Po me vendim qeverie, ALUZNI justifikoi edhe kryerjen e këtij procesi përmes subjekteve private dhe jo nga vetë punonjësit e institucionit. “Përmes prokurimeve të bëra këtë vit, do të realizohen vetëm në dy muaj rreth 15.000 përditësime në terren, apo ndryshe thënë 1/3 e numrit të përgjithshëm të evidentimeve të bëra në 8 vitet 2006-2013 të punës së ALUIZNI-t. Ndërkohë, për 8 vitet e Partisë së Strazimirit numri i përgjithshëm i punonjësve të ALUIZNI-t ka qenë rreth 5300 persona dhe janë bërë gjithë-gjithë 45.000 përditësime”, – tha zëdhënësja e ALUIZNI-t.

 

Share it :