Kreu i Shoqatës së Prokurorëve, Hajdari: Reforma në drejtësi duhet të nisë pikërisht nga organi i akuzës
Komisioni i Venecias do të shqyrtojë në mbledhjen e 24 tetorit draftin e mazhorancës për reformën në drejtësi. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe kreu i komisionit të posaçëm parlamentar për këtë reformë, socialisti Fatmir Xhafaj, i cili edhe do të prezantojë draftin e ekspertëve të nivelit të lartë. Ndërkaq, Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit pritet të shqyrtojë në sesionin e dhjetorit opinionet e PD-së për 53 amendamentet e propozuara nga grupi i ekspertëve për kryereformën e Shqipërisë. Në kohën kur propozimet e mazhorancës janë protokolluar në Komisionin e Venecias që më datën 9 tetor dhe pasqyrohen edhe në faqen zyrtare të këtij Komisioni, Opinionet e PD janë depozituar në “Venecia”, por mësohet se publikimi i tyre do të bëhet ditën e sotme. Në axhendën e Komisionit, bëhet e ditur gjithashtu se do të ftohet të shqyrtojë me synimin për miratim, një projektopinion mbi këto ndryshime në sesionin e vet të dhjetorit. Si mazhoranca ashtu edhe opozita e cilësojnë opinionin e Komisionit të Venecias si vulosës për reformën në drejtësi, ndërsa palët në qëndrimet e tyre duken krejt të kundërta sa i përket sidomos ndërhyrjeve në ligjin themeltar të vendit.
Reforma dhe Prokuroria
Reforma në drejtësi krahas gjyqtarëve pritet të prekë në thelb edhe organin e akuzës. Kreu i shoqatës së prokurorëve Shkëlqim Hajdari deklaroi dje se reforma në fakt duhet të nisë pikërisht nga prokuroria. “Reforma në tërësi është shumë e rëndësishme për vendin tonë, ndërsa reforma në prokurori është pjesa më e rëndësishme e reformës në tërësi. Pasi sfidën e integrimit dhe plotësimin e kritereve për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin nëpërmjet reformës në drejtësi, nuk e kanë organet kushtetuese, nuk e ka vetëm gjyqësori, por kryesori është institucioni i prokurorisë dhe prokurorët shqiptarë. Janë këta njerëz që do hetojnë që nga krimi ordiner e deri te krimi i organizuar dhe zyrtarët e lartë”, – tha ai për “Top Channel”. Ndërkaq, duke folur për disa nga detajet e propozimeve për reformën në drejtësi, Hajdari tha se në rast humbjeje të çështjes prokurori i dosjes përkatëse do të ngarkohet direkt me përgjegjësi. “Kur ne themi që ne i çojmë në gjyq, kurse gjykata me të drejtën e saj ligjore i jep pafajësi. Unë mendoj se në ndryshimet e pritshme, me inspektoratet që krijohen për kontrollin e punës së prokurorisë dhe gjyqësorit, do të marrë fund dhe kjo histori. Do të ketë shumë kujdes se një prokuror që të marrë pafajësi për një çështje do të shikohet profesionalisht. Kurse një gjyqtar që do të japë pafajësi, kur provat janë të plota, fajësia është tërësisht e vërtetuar, do ta ketë shumë të vështirë”, – theksoi Hajdari. Në propozimet e ekspertëve të nivelit të lartë pranë komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi sa i përket organit të akuzës është ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilit do i jepen kompetenca të plota jo vetëm për emërimet e prokurorëve por edhe për të nominuar emrin e kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm. Ndërkohë siç ka bërë të ditur socialisti Fatmir Xhafaj, kryeprokurori aktual Adritiak Llalla do të ndërpresë punën e tij nëse hyn në fuqi propozimi i mazhorancës i cili do të bëjë të mundur zgjedhjen e një kreu të ri për organin e akuzës.




