Italiani Stefano Bodurra do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Tiranës i caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg” italianit Stefano Bodurra për akuzën e “Vjedhjes me anë të mashtrimit kompjuterik”. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura
Stefano Bodura, italiani i arrestuar dy ditë më parë në kryeqytet, pasi me anë të mashtrimeve kompjuterike transferoi 1 miliard lekë jashtë Shqipërisë, do të qëndrojë në burg. Ishte ky vendimi i Gjykatës së Tiranës, e cila këtë të enjte i komunikoi atij masën e sigurisë arrest me burg deri në përfundim të hetimeve. Pas masës së sigurisë, avokati pretendoi se italiani është një biznesmen që ka vendosur të investoi në Shqipëri dhe i cili i është përgjigjur ftesës së kryeministrit për të ardhur e investuar këtu. Bodura akuzohet se nga një bankë e nivelit të dytë me anë të sistemit “post pay” arriti të përvetësojë 1 miliard lekë. 43-vjeçari kërkohet dhe nga shteti italian ku është i dënuar me 8 vite burg, ndërsa pritet që në gjykatë të shqyrtohet dhe kërkesa e ekstradimit për llogari të drejtësisë italiane.
Masa e sigurisë
Italiani Stefano Bodurra do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Tiranës i caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg” italianit Stefano Bodurra për akuzën e “Vjedhjes me anë të mashtrimit kompjuterik”. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, ku mësohet se italiani Bodurra ka pretenduar se parat mund të kenë kaluar në llogarinë e tij bankare për shkak të ndonjë gabimi teknik apo njerëzor. Por në asnjë rast, ai tha se nuk kishte qëllim vjedhjen apo përfitimin me anë të mashtrimit, duke pretenduar se është përfaqësues i një kompanie të madhe suedeze në Shqipëri. E cila ka si aktivitet fushën e informatikës dhe teknologjisë kompjuterike. Për këtë fakt, ai kërkoi të lirohet nga burgu. Ndërsa avokati pretendoi se italiani është një biznesmen që ka vendosur të investoi në Shqipëri dhe i cili i është përgjigjur ftesës së kryeministrit për të ardhur e investuar këtu. Pavarësisht pretendimeve të avokatit dhe vet 43 vjeçarit Italian, prokurori tha se Stefano Bodurra është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e mashtrimeve kompjuterike. Duke i kujtuar gjykatës dënimin e marr në Itali me 8 vjet e 11 muaj burg po për të njëjtat vepra penale. Si dhe duke e njoftuar Gjykatës se drejtësia italiane ka kërkuar ekstradimin e tij. Gjykata pasi dëgjoi palët, vendosi izolimin e italianit Bodurra me masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Provat e prokurorisë
Prokuroria tha se në momentin e arrestimit në hotelin ku qëndronte italiani u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale 20 mln lekë, një laptop, aparat celular e disa orë të shtrenjta që sapo I kishte blerë me anë të kartave të kredit të klonuara. Prokurorët thonë se vetëm brenda 3 dite 43-vjeçari Bodurra ka kryer transaksione në vlerën rreth 92 milionë lekë. Transaksione këto të kryera me aparatin POS të po kësaj banke me 6 karta të ndryshme, duke deklaruar si blerje të ndryshme. Disa minuta pas transaksionit, italiani Bodurra nëpërmjet një opsioni në POS, i cili quhet “Refund Option” ai ka kthyer në të njëjtat karta shuma më të mëdha se ato që ai ka procesuar në blerje fillimisht. Këto transaksione dhe vjedhje, hetuesit thonë se italiani I ka kryer duke shfrytëzuar një gabim teknik që banka nuk e ka kapur në kohë për shkak të mungesës së eksperiencës në vjedhje të tilla kompjuterike. Në momentin e konstatimit, banka ka bllokuar llogarit e kompanisë së italianit, pasi rezultoi se ishte fiktivë dhe përdorej si kamuflim nga italiani për të kryer transaksionet e ndryshme bankare, dukë bërë blerje apo kalimin në llogarinë e tij personale nga e cila bënte edhe tërheqjen e parave.




